Bota

A do të zgjerohet lufta në Lindjen e Mesme? Nis ceremonia e varrimit të liderit të Hamasit në Iran

a do te zgjerohet lufta ne lindjen e mesme nis ceremonia e varrimit te liderit te hamasit ne iran
a do te zgjerohet lufta ne lindjen e mesme nis ceremonia e varrimit te liderit te hamasit ne iran

Një ceremoni varrimi ka filluar të enjten në Teheran për Ismail Haniyeh, liderin politik të grupit ekstremist palestinez të mbështetur nga Irani, Hamas, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Irani ka thënë se Haniyeh, 62 vjeç, u vra më 31 korrik në Teheran nga një sulm ajror, për të cilin e ka akuzuar Izraelin. Ky sulm ka ngjallur frikë për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i udhëhoqi lutjet për Haniyehun, ndërsa në qendër të Teheranit u mblodhën turma njerëzish duke bartur në duar portrete të Haniyehut dhe flamuj palestinezë. Haniyeh pritet të varroset të enjten vonë në kryeqytetin e Katarit, Doha. Khamenei ka kërcënuar me “ndëshkim të ashpër” për vrasjen e Haniyehut. Muza Abu Marzuk, anëtar i zyrës politike të Hamasit, është zotuar për hakmarrje gjithashtu.

“Vrasja e liderit Ismail Haniyeh është akt qyqar dhe nuk do të shpëtojë pa përgjigje”, tha Marzuk. Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili ishte i pari që njoftoi vdekjen e Haniyehut, tha se po e heton sulmin në të cilin u vra ai derisa ndodhej në Teheran për të marrë pjesë më 30 korrik në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit, Masud Pezeshkian. Qeveria e Izraelit nuk ka komentuar vrasjen e tij, por një fotografi e Haniyehut me një vulë në ballin e tij që mbante mbishkrimin “i eliminuar”, u postua nga zyra për media e Qeverisë izraelite në Facebook. Postimi, i cili u fshi më vonë pa ndonjë shpjegim, nuk tregoi se sulmi u krye nga Izraeli, edhe pse theksoi se zyrtari i Hamasit “u vra nga një sulm i përpiktë në Teheran”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta shkatërrojë Hamasin, për shkak se ky grup e kreu një sulm brenda Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz. Mbi 250 të tjerë u rrëmbyen atë ditë, disa prej të cilëve janë liruar më vonë. Disa prej pengjeve kanë vdekur në Gazë, ku Izraeli është i përfshirë në një operacion masiv ushtarak, qëllimi i të cilit thotë se është ta çrrënjosë Hamasin. Një numër i pengjeve besohet se janë ende gjallë. Vrasja e Haniyehut ka nxitur frikë se gjendja në rajon do të përshkallëzohet, pasi tensionet kanë qenë vazhdimisht të larta prej se nisi lufta në Gazë.

Ai u vra në një kohë kur Uashingtoni është duke bërë trysni t’i bindë Hamasin dhe Izraelin të pajtohen për një armëpushim të përkohshëm dhe për një marrëveshje për lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë. Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti janë të përfshirë në rundet e fundit të bisedime për arritjen e një marrëveshjeje. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha për gazetarë se Uashingtoni “nuk është i vetëdijshëm për e as i përfshirë” në vrasjen e Haniyehut dhe se nuk do të spekulojë në ndikimin që mund ta ketë ajo në rajon.

Ai tha, megjithatë, se “mënyra më e mirë për t’i qetësuar gjakrat” është të bëhet shtytje për një armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit. Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent më 31 korrik me kërkesë të Iranit për të diskutuar vdekjen e Haniyeh, ku i dërguari i Teheranit, Amir Saeid Iravani, u kërkoi anëtarëve të ndërmarrin “veprim të menjëhershëm për të siguruar llogaridhënie për këto shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Ali Mamouri, hulumtues në Universitetin Deakin të Australisë dhe specialist për Lindjen e Mesme, tha për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë se, derisa lufta e plotë rajonale është ende larg, “do të ketë përshkallëzim të niveleve të reja të konfliktit”.

Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha për Radion Farda se ka “gjasa që iranianët të kërkojnë një mënyrë për të reaguar ndaj eliminimit të Ismail Haniyeh”. “Por, unë mendoj se fakti që Qeveria izraelite nuk e pranoi publikisht dhe zyrtarisht asnjë përgjegjësi…do të ndikojë disi në shtrirjen ose skajshmërinë e reagimit të Iranit. Mendoj se [përgjigja e Iranit] do të jetë disi më e moderuar seç do të kishte qenë në rrethana të tjera,” ai tha. Haniyeh u bë shef politik i Hamasit në vitin 2017 dhe jetoi në Rripin e Gazës deri në vitin 2019, kur u zhvendos për të jetuar në mërgim në Katar./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts