Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka reaguar duke u shfajësuar lidhur me skandalin në Aeroportin e Shkupit, ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Pjesëtarë të sigurisë së aeroportit kanë shtyrë presidenten Osmani si dhe kanë tentuar t’i marrin telefonin personal.
Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të RMV thuhet një tjetër version. Autoritetet maqedonase dukshëm kanë tentuar ta kalojnë përgjegjësinë te ekipi shoqërues i presidentes së Kosovës, duke theksuar: “Sot rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja Vjosa Osmani po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur iu kërkua që të kalonte celularin në skaner, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare”, sipas njoftimit.
Po ashtu, Ministria e Brendshme e RMV-së bën të ditur, se pas incidentit, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale po marrin masa për zbardhjen e rastit.
Reagimi i plotë:
Sot (01.08.2024) rreth orës 10 në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit përderisa presidentja e Kosovës ka kaluar kontrollin kufitar, në momentin kur i është kërkuar që të lëshojë telefonin për të kaluar nëpër skaner, një person nga sigurimi i saj ka shtyrë personin e punësuar nga TAV, për të shmangur kalimin e telefonit nëpër skaner që ishte në çantën e dorës.
Më vonë, çanta ka kaluar nëpër skaner. Pas gjysmë ore, në vendin e ngjarjes ka mbërritur sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Gashi (zyrtar policor) me dy persona tjerë zyrtar të cilët kanë kërcënuar dhe kanë kërkuar llogari nga personat e punësuar në TAV se kush e ka shqetësuar presidenten. Menjëherë është njoftuar Kontrolli i Brendshëm në MPB, hetuesit e kriminalistikës për standarde profesionale në MPB, Prokuroria publike dhe po merren masat e duhura për të zbardhur rastin.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co