Ushtria izraelite mbrëmjen e të enjtes akuzoi një gazetar nga rrjeti televiziv Al Jazeera i Katarit, i cili u vra në një sulm ajror në Rripin e Gazës këtë javë, si një anëtar “terrorist” i lëvizjes islamike palestineze Hamas.
“Forcat ajrore eliminuan Ismail al-Gul, një anëtar i krahut ushtarak të Hamasit”, një “terrorist” i cili “mori pjesë në masakrën e 7 tetorit”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga ushtria dhe agjencia e spiunazhit izraelit Shin Bet. “Si pjesë e rolit të tij në krahun ushtarak (të Hamasit), al-Uoul ishte i përfshirë në mënyrë aktive në filmimin dhe shpërndarjen e përmbajtjes rreth sulmeve kundër trupave izraelite”, thuhet në njoftim.
Al Jazeera dënoi dje vdekjen e dy gazetarëve të saj në një bombardim izraelit në enklavën palestineze , duke përfshirë Ismail al-Uoul, duke denoncuar “vrasjen e tyre gjakftohtë” dhe “të shënjestruar”.
Që nga shpërthimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës më 7 tetor, Al Jazeera ka raportuar pa ndërprerje nga terreni për pasojat e operacioneve ushtarake izraelite në enklavë. Zyra mediatike në Gaza është bombarduar dhe dy korrespondentë të tjerë janë vrarë.
Për vite me radhë, autoritetet izraelite kanë kundërshtuar publikisht mbulimin e ngjarjeve aktuale në Izrael dhe në territoret palestineze nga rrjeti i Katarit.
Një gjykatë izraelite konfirmoi në qershor se kishte zgjatur vlefshmërinë e vendimit për ndalimin e transmetimit të përmbajtjes së rrjetit në territorin e vendit, i cili fillimisht ishte vendosur në maj.
Ualid al-Omari, shefi i zyrës së Al Jazeera-s në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor, e quajti “absolutisht të rreme njoftimin nga ushtria dhe inteligjenca izraelite” se Ismail al-Uoul ishte një anëtar i një force elitare të Hamasit.
“Al Jazeera hedh poshtë këto akuza, këto gënjeshtra”, të cilat i konsideron “një përpjekje të turpshme për të justifikuar shënjestrimin e gazetarëve në Gaza, ku (forcat e armatosura izraelite) kanë vrarë 165 gazetarë dhe profesionistë të medias, burra dhe gra, që nga fillimi i luftës”, shtoi ai.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co