“Çështja e integrimit në BE, sfida kryesore! Për ne, kjo është busulla orientuese”- Mesazhi i Ambasadores franceze: Ja pikat e forta të Shqipërisë për të rritur ekonominë

ceshtja e integrimit ne be sfida kryesore per ne kjo eshte busulla orientuese mesazhi i ambasadores franceze ja pikat e forta te shqiperise per te rritur ekonomine





































Biseda me ambasadoren e Francës në Shqipëri, znj. Catherine Suard, është një dritare e qartë në jetën diplomatike dhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Catherine-Suard-1-1142

Në këtë bisedë, ajo na tregon për ditën e saj të zakonshme në Ambasadën e Francës në Tiranë, për rrugën që e çoi drejt karrierës diplomatike, aspektet që i kanë bërë më shumë përshtypje nga kultura shqiptare, si dhe për projektet aktuale politike, ekonomike dhe sociale që Franca po zhvillon në Shqipëri.

Për më tepër, ambasadorja ndan një mesazh të veçantë për gratë shqiptare që dëshirojnë të fuqizohen në shoqëri dhe të ndërmarrin nisma për karrierën e tyre.

Mikpritja shqiptare dhe harmonia ndërfetare janë disa nga aspektet që i kanë bërë më shumë përshtypje. Sa i përket fushës ekonomike, ambasadorja ndalet në disa projekte për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, trajtimin e mbetjeve dhe ujit, si dhe investimet në energjinë e rinovueshme ku Franca po investon në vendin tonë.

Sipas saj, Franca dhe Shqipëria kanë ngritur marrëdhënie politike në nivele të larta, me fokus në integrimin e Shqipërisë në BE. “Çështja e integrimit në BE është tani sfida kryesore. Për ne, kjo është busulla orientuese. Në çdo gjë që bëjmë, ne përpiqemi ta kemi parasysh këtë drejtim” – shton znj. Suard.

Ambasadorja nxit gratë të guxojnë dhe të mos vendosin kufij për veten, duke kërkuar gjithmonë të tejkalojnë pritshmëritë dhe limitet që u imponohen. Ajo thekson rëndësinë e zhvillimit të “ekonomisë së kujdesit” për të krijuar mundësi për gratë dhe për të shërbyer shoqërisë në mënyrë të ndryshme.

Si është një ditë e juaja në Ambasadë në Tiranë dhe cilat kanë qenë arsyet që ju shtynë të zgjidhnit karrierën diplomatike?

Mendoj se ashtu si kudo, në jetë ka zgjedhje. Por ka edhe gjëra që nuk i zgjedh. Kryesorja është të shfrytëzosh mundësitë. Kur isha e vogël, nuk kam ëndërruar të jem ambasadore apo diplomate. Faktikisht, që kur kam qenë e vogël, kam një jetë nomade.

Gjithmonë kam lëvizur pas tre vitesh, dhe më pëlqen të lëviz, më pëlqen të zbuloj gjëra të reja. Kreva studimet në shkenca politike, në lidhje me çështjet e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Më vonë m’u paraqitën mundësi, çka bëri që të filloj karrierën në fushat që lidhen me bashkëpunimin dhe kulturën, i cili është një departament i Ministrisë së Punëve të Jashtme franceze, më pak i njohur, por që vepron, në terren, si për sa i përket bashkëpunimit, ashtu dhe ndihmës për zhvillim, apo kulturës.

Kam drejtuar shumë institute kulturore franceze jashtë vendit. Dhe pastaj, ndodhi që në fund, u hodha edhe pak më shumë drejt anës politike, dhe u bëra një diplomate e vërtetë. Por është një evolucion dhe jam e bindur se diplomacia ka fusha veprimi që janë të ndryshme dhe se edhe ekonomia është diplomaci. Kultura është diplomaci. Debati universitar akademik, çdo gjë është diplomaci, sepse çështja qëndron në pasjen e një vizioni të botës dhe të përpiqesh ta ndash me të tjerët.

Për sa i përket një dite pune: ditët janë të gjata dhe kjo është e para. E dyta është ndoshta, sepse mendohet se ambasadori është gjithashtu pak i veçantë, sepse ai është ndërfaqja mes vendit të tij dhe vendit ku është i caktuar.

Pra ai ka gjithmonë këtë aspektin e ndërfaqes. Është gjithashtu një person që drejton një ekip, sepse një ambasador është kryesisht një shef i një SME-je.

Këtu ne jemi një SME e vogël. Ka vende ku ne jemi një holding i madh. Këtu ne jemi një SME e vogël, por përpiqemi të jemi gjithashtu si një start-up, përpiqemi të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht, pra në të gjitha drejtimet.

Kjo do të thotë se gjatë një dite bëjmë për shembull 1/3 e punës në fushën e drejtimit, udhëzimit të ekipit, burime njerëzore, punë brenda nesh, sepse duhet që ekipi të jetë i lidhur, duhet që të përballojë çdo ngarkesë.

Duhet të ketë një frymë ekipi dhe kjo nënkupton shumë ndërveprim. Pastaj është pjesa e kohës që zënë takimet, mbledhjet, dhe kjo është ndërfaqja me Shqipërinë në të gjithë sektorët.

Unë përpiqem të shoh sa më shumë njerëz, sa më shumë gjëra, të shkoj në terren dhe të mos mbetem vetëm brenda zyrës. Por meqë jam edhe përfaqësuesja e Francës, duhet t’i raportoj Parisit çfarë shoh, dëgjoj, çfarë kuptoj. Kjo pjesë përbën të paktën 1/3 e punës.

Pastaj është ajo që quhet përfaqësim. Është pjesa më e dukshme. I shohim ambasadorët së bashku me autoritetet politike, i shohim të marrin pjesë në aktivitete. Ndonjëherë mund të ngrihet pyetja se për çfarë shërbejnë? Faktikisht ky është një tregues interesimi.

Kur përfaqëson vendin tënd pranë një institucioni ose një aktiviteti apo rrethane. Është gjithmonë një tregues interesimi dhe shërben për të përgëzuar për një punë të bërë, për një qëndrim të mbajtur për angazhime që janë marrë dhe njëkohësisht, shërben për të treguar se Franca është aty.

Pra është një lloj mishërimi. Dhe është shumë e rëndësishme, mendoj unë, të themi se një ambasador është një lloj flamurmbajtësi. Është dikush që është realisht aty për të thënë: OK, ne, Franca, jemi në Shqipëri edhe fizikisht, jemi me ju.

Këto janë pak a shumë tre përmasat e punës: drejtim, mirëmbajtja e marrëdhënieve dhe ndërveprim, si dhe përfaqësim.

Dhe kjo do të thotë se disa ditë të caktuara mund të fillojnë herët në mëngjes dhe të përfundojnë, vonë në darkë, kryesisht gjatë aktiviteteve të përfaqësimit.

Jam këtu praktikisht prej një viti, sepse kam ardhur më 18 korrik 2023, pra është pak kohë, por më duket se kam akumuluar shumë gjëra në punë dhe në marrëdhënie. Mendoj se më në fund jam vërtet e përfshirë shumë thellë në Shqipëri në kulturën shqiptare.

A ka një aspekt të kulturës shqiptare që ju ka bërë përshtypje të veçantë?

Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është së pari Mesdheu, pra dimensioni mesdhetar i Shqipërisë. Më kujtohet kur erdha në fillim, isha shumë shumë e impresionuar nga zhurma e gjinkallave. Mbresëlënëse. Jam impresionuar shumë edhe nga ullinjtë, frutat, të cilat janë si në jug të Francës, saktësisht njëlloj.

Duhet të them gjithashtu se kam punuar në vende si Greqia. Këtu gjeta një atmosferë që për mua është ajo e Mesdheut, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kultura e kafesë dhe e kafeneve.

Mua më pëlqen shumë kafeja dhe jam fanse e kafeneve. Në Paris, aty e kaloj kohën, jo të gjithën natyrisht, por shumë shpesh dhe është streha ime e preferuar, vendi i takimeve. Nëse duhet të takoj dikë, i them eja të pimë një kafe dhe shkojmë aty.

Tek ne, në shumicën e rasteve janë tavolina të vogla rrumbullake, anës trotuarit, sepse nuk i kemi hapësirat e mëdha që keni ju këtu për kafenetë e hapura, shumë shumë të bukura. Por ja që është kjo kulturë e kafeneve dhe e kafesë, për mua është diçka që e kam shumë shumë të njohur edhe në karakteristikat e Shqipërisë, dhe që janë mbresëlënëse.

Mikpritja: njerëzit tregojnë mirësjellje të pabesueshme dhe vërtet diçka dallohet qartë. Për shqiptarin, shtëpia e tij është ajo e mysafirit dhe e të huajit dhe kjo është diçka vërtet shumë e lavdërueshme. Realisht, para disa javësh patëm një aksident me një turiste të re franceze, që kishte humbur rrugën në male, por ja që të gjithë bënë të pamundurën për ta gjetur dhe e gjetën.

Kjo gjë ishte e mrekullueshme. E di që ka struktura, institucione dhe shërbime shumë efikase, por ka gjithashtu edhe një dëshirë dhe kujdes të madh që tregohet ndaj të huajve në mikpritje dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Dhe e fundit që më ka bërë shumë përshtypje, gjë të cilën do ta kujtoj gjatë, ndoshta gjithë jetën.

Mëngjesin e parë kur po pija kafe në verandën e rezidencës sime, ishte ndoshta ora 8:00, dëgjova me veshin e majtë kambanat e një kishe dhe pak minuta më vonë, me veshin e djathtë hoxhën.

Aty thashë me vete: është vërtet një vend i pabesueshëm, që e ka këtë dimension shumëfetar dhe harmoninë, e cila më çudit çdo ditë dhe kjo më gëzon. Ky është pak a shumë edhe kuptimi i mandatit tim.

Cilat janë projektet në sferën politike, ekonomike e sociale që Franca po zhvillon në Shqipëri?

I pari, në planin politik. Franca dhe Shqipëria kanë sot marrëdhënie të një niveli politik, të cilat nuk i kanë pasur kurrë më parë dhe kjo është e lidhur me vizitën e presidentit Emmanuel Macron, i cili erdhi në Shqipëri për herë të parë në tetor 2023 dhe me kthimin e vizitës nga kryeministri Edi Rama në Paris, në mes të prillit, dhe ne kemi një nivel marrëdhëniesh shumë të lartë.

Mendoj gjithashtu se në planin politik më të përgjithshëm, momentumi për Shqipërinë është shumë i rëndësishëm dhe çështja e integrimit në BE është tani sfida kryesore.

Për ne, kjo është busulla orientuese. Në çdo gjë që bëjmë, ne përpiqemi ta kemi parasysh këtë drejtim.

Siç e ka thënë presidenti, ne dëshirojmë që Shqipëria të integrohet në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Pra nuk shtrohet më pyetja, as çështja e kohës, sepse nuk ka një datë, por sa më shpejt të jetë e mundur dhe ne përpiqemi që të kontribuojmë në maksimum në këtë sfidë, pasi kuadri politik është vendosur, të përpiqemi ta mbajmë këtë marrëdhënie në lartësinë e ambicies së saj politike, ta ushqejmë si në planin e arsimit, kulturës ashtu dhe të ekonomisë.

Mendoj vërtet se tani po paguajmë pak çmimin e një mungese që ka zgjatur disa vite. Duhet të fitojmë vendin e humbur dhe duhet të përpiqemi të jemi më shumë të pranishëm.

Në këtë kuadër, pikërisht në planin ekonomik kemi nënshkruar së fundmi një marrëveshje ndërqeveritare, e cila do të na mundësojë të promovojmë më mirë interesat dhe të përcaktojmë më saktë interesat tona ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë.

Kemi gjithashtu shumë mundësi interesante, siç është Agjencia Franceze për Zhvillim, shumë e pranishme këtu dhe që e mbështet shumë Shqipërinë në rrugën e saj të konvergimit europian. Së fundi, në planin kulturor kemi gjithashtu një mundësi që na është ofruar nga Kryeministri Rama, ajo e Kubit te Piramida, të cilin e kemi hapur.

Ai quhet KUBFRANCETIRANA dhe është në fakt një Institut Francez, por dixhital, plotësisht dixhital dhe ku ne ofrojmë dhe do të zhvillojmë gjithnjë e më shumë eksperienca gjithëpërfshirëse, kapacitete coworking. Pastaj, me të gjithë këto projekte, të përpiqemi të kemi sa më shumë ndërveprim, të jemi të hapur për publikun, për publikun e ri kryesisht.

Dëshira jonë me këtë mjet është të tregojmë se Franca është këtu, se ajo është këtu përgjithmonë. Ajo ka hedhur rrënjë, është e lidhur fort me dimensionin e ri të Shqipërisë me këtë shoqëri, që është në transformim të plotë dhe të cilën dëshirojmë ta mbështesim, në të mirë të Shqipërisë, në të mirë të Francës dhe në të mirë të Europës.

Në gjykimin tuaj, ku janë fushat kryesore që Shqipëria ka potencial për t’i zhvilluar më tej apo për të kërkuar investime?

Është e vështirë të zgjedhësh, sepse Shqipëria është një tokë mundësish. Ka shumë gjëra që janë të mundshme të realizohen në Shqipëri sot, të cilat janë interesante dhe të rëndësishme për ne sepse, edhe një herë, Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, pra do të jetë anëtare e familjes sonë.

Atëherë duhet të njihemi më mirë, duhet të punojmë më mirë së bashku, duhet të marrim më shumë nga kjo afërsi që përbën edhe interesin e marrëdhënies sonë.

Natyrisht, ndër prioritetet që kanë të bëjnë me marrëveshjen tonë ndërqeveritare, është turizmi, ose më mirë çështja e zhvillimit e turizmit të qëndrueshëm dhe kjo është sfida që Shqipëria e ka kuptuar plotësisht mirë, duke i kushtuar vëmendjen e duhur turizmit dhe mjedisit. Natyrisht, mjedisi, me çështjen e biodiversitetit, klimës, gjithashtu gjëra më konkrete rreth rritjes, ajo që quhet rritja e gjelbër, pra për shembull trajtimi i mbetjeve, trajtimi i ujit që janë çështje vërtet shumë thelbësore.

Pastaj, një sektor tjetër interesi për ne është inovacioni. Jemi shumë të impresionuar nga mënyra se si Shqipëria po përpiqet t’i shfrytëzojë këto mundësi të inovacionit, për shembull në fushën e digjitalit dhe pa dyshim të Inteligjencës Artificiale;

Kjo është njëkohësisht një sfidë, sepse mendoj se është një mjet për të tejkaluar kufizimet, pikërisht kufizimet në burime njerëzore të mjaftueshme. Pra është një formë e kapaciteteve për të parë drejt së ardhmes dhe për të tejkaluar vështirësitë.

Për ne është gjithashtu një shembull shkathtësie transformimi, fushë në të cilën sot kemi përpara shumë sfida në Francë. Çështja a inovacionit është në qendër të punës sonë. Do të organizohet një samit mbi Inteligjencën Artificiale, në Paris, në fillim të vitit 2025.

Mendoj se në këtë fushë, Franca dhe Shqipëria kanë shumë për të bërë së bashku. Pra do të thosha turizmi dhe mjedisi, energjia, energjia e rinovueshme.

Siç e dini, ne kemi një investim të madh këtu, që është ai i ndërmarrjes VOLTALIA, e cila ka ndërtuar centralin diellor më të madh në Ballkanin Perëndimor sot e kësaj dite dhe që synon të vazhdojë të rritet, si në fushën e energjisë diellore ashtu edhe në atë të erës.

Mendoj se edhe në të gjithë këta sektorë shpresojmë të kemi aktorë francezë që të vijnë gjithnjë e më direkt në treg, siç thuhet në Shqipëri.

Edhe pse Shqipëria është një treg mjaft i vogël, por puna jonë është të gjejmë vlerën e shtuar. Dhe mendoj se kjo është gjithmonë një çështje e rëndësishme në dy kahe.

Shqipëria nuk ka nevojë për Francën, ajo ka tashmë shumë partnerë, partnerë shumë shumë të pranishëm, siç janë miqtë tanë italianë, për shembull. Por çfarë mund të sjellim ne si vlerë e shtuar? Kjo është pyetja e duhur në shkëmbimet që ne përpiqemi të ndërtojmë. Është vlera e shtuar në kapacitetet për të zhvilluar tema të reja dhe e të qenët të pranishëm në transformim

A keni ju një mesazh për gratë shqiptare, të cilat duan të fuqizohen në shoqëri, të marrin nisma për karrierën e tyre, në cilëndo fushë që ato duan?

Mendoj se është një mesazh universal. Jo vetëm për gratë shqiptare. Është një mesazh edhe për gratë franceze, për gratë europiane, për gratë e së gjithë botës. Mendoj se motoja e duhur duhet të jetë “të guxosh”. Gjithmonë të guxosh, të mos i vetëvendosësh limitet e tua, përkundrazi, të përpiqesh t’i njohësh në mënyrë që t’i tejkalosh më lehtë.

Mendoj se sot, siç e thonë statistikat në shumë studime që janë bërë, për shembull, edhe në nivelin e AFD-së kemi një program mbi çështjet e gjinisë dhe të punësimit të grave, pra përfundimet e studimeve të fundit, shumë interesante, treguan se ekziston një sektor që mund të shërbejë dhe si gjithëpërfshirje sociale, edhe si mjet për zhvillimin ekonomik, një mundësi për gratë të hyjnë në tregun e punës si dhe t’i shërbejnë shoqërisë në një formë të ndryshme. Është ajo që quhet CARE, kujdesi ndaj personave.

Për shembull, e dimë shumë mirë se sot shumë gra nuk punojnë, sepse duhet të kujdesen për fëmijët, shumë gra nuk punojnë sepse duhet të kujdesen për të moshuarit.

Kjo nuk është diçka e mirë, sepse i privon gratë nga mundësitë, e privon shoqërinë nga mundësitë dhe nëse e zhvillojmë ekonominë e CARE, pra ekonominë e kujdesit ndaj personave, u krijojmë mundësi grave, duke i liruar nga detyrimet dhe duke u mundësuar të bëjnë diçka ndryshe nga ajo që bëjnë sot.

Mendoj se ky është, për shembull, një sektor ku ka shumë për të bërë dhe ku ne jemi të gatshëm të punojmë dhe të bashkëpunojmë, sepse është një sfidë e vërtetë, por nuk është një sfidë vetëm feministe. Unë jam një feministe, por mendoj se është një sfidë e së gjithë shoqërisë.

Një sfidë ekonomike, pra një pikë ku duhet të punohet, dhe duhet që çdo grua të guxojë, të mos i lejojë kurrë të tjerët t’i tregojnë se cilat janë zgjedhjet, detyrat që duhet të përmbushë ose jo t’u përgjigjet vetëm pritshmërive, por të vendosë vetë atë që dëshiron të bëjë. / Monitor

Mesazhi

Shqipëria është një tokë mundësish. Ka shumë gjëra që janë të mundshme të realizohen në Shqipëri sot, të cilat janë interesante dhe të rëndësishme për ne sepse, edhe një herë, Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, pra do të jetë anëtare e familjes sonë. Atëherë duhet të njihemi më mirë, duhet të punojmë më mirë së bashku, duhet të marrim më shumë nga kjo afërsi që përbën edhe interesin e marrëdhënies sonë.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →