Lufta ruse në Ukrainë shkatërron miliona familje! Prej më shumë se dy vitesh, fëmijët e gratë larg kryefamiljarëve

lufta ruse ne ukraine shkaterron miliona familje prej me shume se dy vitesh femijet e grate larg kryefamiljareve
lufta ruse ne ukraine shkaterron miliona familje prej me shume se dy vitesh femijet e grate larg kryefamiljareve

Lufta ruse në Ukrainë ka shkatërruar miliona familje. Fëmijët dhe gratë janë ndarë nga baballarët dhe bashkëshortët për më shumë se dy vjet. Sipas një sondazhi të mbajtur këtë vit nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC), një organizatë që ndihmon refugjatët në të gjithë botën, 74% e ukrainasve thonë se janë ndarë nga një anëtar i ngushtë i familjes, për shkak të luftës. Në shkurt 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën, shkrimtarja ukrainase Anna Gorozhenko, dhe e bija Yara, që atëherë ishte vetëm shtatë vjeçe, u larguan nga shtëpia e tyre që ndodhej në një periferi të Kievit.

Sipas ligjit ushtarak, burrat ukrainas të moshës 18 deri në 60 vjeç, nuk mund të largohen nga vendi përveç rasteve kur kanë leje të posaçme. Kështu, Anna u nis me të bijën dhe la pas të shoqin, Alex. Ato gjetën strehë në Angli, në qytetin York, ku i mirëpriti në shtëpi një familje vendase. Anna mundi të gjente një punë. Yara vazhdoi shkollën në Angli dhe gjeti miq të rinj. Me kalimin e kohës, Anna pa se martesat e shumë miqve të saj refugjatë po dështonin, por e bija Yara, ishte ende e frikësuar dhe nuk pranonte të kthehej në Ukrainë, qoftë edhe për një vizitë.

Kështu, shtatorin e kaluar, Anna mori vendimin e vështirë për t’u kthyer në Ukrainë, duke e lënë vajzën Yara në Yorkshire, në një shtëpi të vogël që ajo kishte marrë me qira në fshatin Poppleton, nën kujdesin e vjehrrës së saj dhe gjyshes së Yara-s, e cila gjithashtu u largua nga Ukraina.

Largimi

Nga një popullsi prej rreth 40 milionë banorësh që kishte Ukraina para luftës, rreth 6 milionë prej tyre, kryesisht gra dhe fëmijë, janë larguar nga vendi. Tre milion ose më shumë janë zhvendosur brenda vendit për t’u shpëtuar luftimeve.

Disa e bënë këtë që në vitin 2014, kur nisi lufta në Donbas dhe Rusia aneksoi Krimenë. Me miliona prindër, vëllezër dhe motra janë ndarë. Nëna dhe baballarë që shërbejnë në ushtri, dërgohen për të shërbyer si ushtarë për muaj të tërë. Ndërsa ushtria është dobësuar nga sulmet e reja ruse, lejet e largimit shpesh janë shtyrë për më vonë.

Ajo që ukrainasit kanë filluar ta quajnë “Lufta e Madhe”, tani është në vitin e saj të tretë. Familje si ajo e Anna-s janë detyruar të marrin vendime shumë të rënda, ku duhet të peshojnë sfidat e mëdha të largësisë gjeografike, pamundësisë financiare, sigurisë, arsimimit dhe mirëqenies së fëmijëve.

Kthimi

Tani Anna është kthyer në Kiev dhe ende nuk është e sigurt nëse ka marrë apo jo vendimin e duhur. E bija Yara ka ndryshuar shumë gjatë shtatë muajve që ajo nuk e ka parë. “Ajo nuk qan më”, thotë Anna.

“Mendoj se po përpiqet të jetë e fortë. Ajo ndihet sikur tani duhet të jetë kryefamiljare, të kujdeset për gjyshen, të jetë përkthyesja e saj”. Anna vazhdon të përqendrohet tek puna për të siguruar të ardhura për familjen. Për të shoqin Alex, është gjithashtu shumë e vështirë. “Në moshën shtatëvjeçare, Yara ishte një vajzë e vogël, tani ajo është pothuajse një adoleshente”. Kur i ati telefonon, Yara shpesh thotë se është tepër e zënë për të folur.

Ka qindra mijë histori të ngjashme. Për shumë baballarë të ndarë nga fëmijët, vite të tëra me telefonata nuk e kompensojnë dot mungesën e kontaktit të përditshëm fizik. Oleksiy (parapëlqen që të mos e thotë mbiemrin), i cili para lufte punonte si një trajner sërfi në qytetin Kherson, fillimisht ishte i lumtur kur partnerja e tij, nga e cila ishte ndarë, mori djalin e tyre të vogël, Yan, tani gjashtë vjeç, dhe u largua në Çikago.

Por tashmë ai nuk e ka parë djalin prej gati tre vjetësh. “Unë e shoh atë duke u rritur përmes telefonit”, thotë Oleksiy. “Ai flet anglisht tani. Unë përpiqem të sajoj lojëra për të. Por nuk e fsheh dot se e gjithë kjo është një torturë. Është një vrimë e zezë. Është dhimbja më e madhe që mund të ndiesh, më e madhe se dhimbja e të qenët nën pushtim, se lufta apo se çdo gjë tjetër”.

Ushtarët që shërbejnë mund të udhëtojnë jashtë vendit, por shpesh është e vështirë të marrësh leje. Denys Kulikov, një psikolog ushtarak, thotë se pas frikës nga vdekja, ndarja nga familja është shkaku i dytë më i zakonshëm i shqetësimit psikologjik. “Kjo ndikon në moralin e ushtarëve.

Ata janë të pakënaqur, të trishtuar, të dëshpëruar, madje edhe me mendime për vetëvrasje”. Ai ka parë raste kur ushtarët janë “aq shumë të mërzitur që nuk kanë mundur të shohin fëmijën e tyre për kaq shumë kohë dhe që nuk mund të largohen nga vendi, sa që kur nuk marrin leje, zemërohen aq shumë saqë nuk duan t’u binden urdhrave”.

Vështirësitë

Ndërsa luftojnë në frontin e luftës, ushtarët përpiqen të ruajnë marrëdhënie sa më të mira që munden me familjarët, nëpërmjet lidhjeve të ndërprera të internetit.

Zoti Kulikov thotë se baballarët shpesh xhirojnë video të kafshëve, maceve dhe qenve që hyjnë në llogoret e tyre, madje edhe të zogjve dhe minjve, për të ngritur paksa moralin.

Ai thotë se shpesh, nënat beqare që shërbejnë në ushtri, detyrohen të heqin dorë dhe të kthehen në shtëpi. (Prindërit e vetëm lejohen të largohen nga detyra dhe femrat përbëjnë 30% të ushtrisë ukrainase).

Është një ironi e dhimbshme, thotë ai, që “motivimi kryesor për një ushtar, është të mbrojë dhe të mbajë të sigurt familjen, dhe në të njëjtën kohë, problemi kryesor për ata që shërbejnë, është se nuk mund të shohin dot familjet e veta”.

Gratë po udhëtojnë gjithnjë e më shumë nga shtetet ku janë vendosur, në Ukrainë, për të vizituar bashkëshortët, të afërmit dhe shtëpitë, thotë Joanna Nahorska, një zëdhënëse për fondacionin IRC.

Rreth 4.6 milionë nga njerëzit që u larguan në vitin 2022, tani mund të jenë kthyer përgjithmonë. Ukrainasit që ndodhen në shtete të BE-së janë nën direktivën e mbrojtjes së përkohshme të bllokut, i cili u jep atyre përkohësisht të njëjtat të drejta dhe shërbime si qytetarët e BE-së.

Megjithëse kjo është rinovuar rregullisht dhe është e vlefshme të paktën deri në mars 2026, zgjidhje më të qëndrueshme nuk kanë qenë të mundura. Duhet të bësh një zgjedhje të pamundur, thotë zonja Nahorska, “Të vazhdosh të jetosh jashtë shtetit, të zhvendosesh vazhdimisht midis dy vendeve, apo të kthehesh njëherë e mirë dhe të mundohesh të jetosh mes frikës, bllokadave dhe sirenave të alarmit?”./Monitor

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →