Mbi 23 mijë qytetarë të Himarës me të drejtë vote janë thirrur këtë të diel, 4 gusht, për të zgjedhur kreun e Bashkisë së tyre. Në 36 Qendrat e Votimit të ngritura në këtë Bashki, votuesit do të zgjedhin mes Vangjel Tavos kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikurisë kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, i përzgjedhur nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Procesi do të nisë në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 19:00.
Në KZAZ e Himarës ka mbërritur e gjithë baza materiale që do të shfrytëzohet për votimet e së dielës. Edhe në këtë proces, bazuar në përcaktimet ligjore të Kodit Zgjedhor, të gjithë zgjedhësit para se t’i drejtohen dhomës së fshehtë për të votuar, do të duhet të kalojnë përmes procesit të identifikimit biometrik. Pajisjet PEI janë testuar pak ditë më parë në ambientet e KQZ dhe gjithçka është gati. Fushata zgjedhore ishte e shkurtër. Vetëm përgjatë një jave dy kandidatët kanë pasur zyrtarisht mundësi të zhvillojnë fushatë me banorët e Himarës. Fakt është se fushata ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident mes kampeve elektorale të të dy palëve.
Zgjedhjet për kryetar të Bashkisë së Himarës zhvillohen pas dënimit me 2 vite burg të Fredi Belerit, kandidatit fitues të opozitës në zgjedhjet e 14 Majit 2023. Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve nën akuzën e blerjes së votës. Pavarësisht arrestimit, Beleri arriti të fitojë me një diferencë të vogël votash në raport me kandidatin socialist Gjergji Goro. Megjithatë Beleri nuk e gëzoi asnjë ditë mandatin e kryebashkiakut të Himarës, pasi nuk iu lejua betimin dhe dënimi me formë të prerë më pas, solli heqjen e mandatit nga KQZ.
Zgjedhjet e 4 gushtit kanë tërhequr shumë vëmendje politike dhe pritet të monitorohen nga të dy palët e përfshira në garë.
[embedded content]
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co