Greqia është atdheu i Lojërave Olimpike të Antikitetit të vitit 776 p.k., por është edhe atdheu i Lojërave të para Olimpike moderne të vitit 1896. Kjo flet shumë për historinë jo vetëm të sportit, por flet për paqen, për ndalimin, qoftë edhe të përkohshëm të luftërave, (që nuk ndodh sot). Flet për paqen, për miqësinë midis popujve! Një ndër nismëtarët dhe financuesit e Lojërave Olimpike të vitit 1896 ishte edhe Evangelis Zappas, një burrë i ndritur, i ditur, filantrop i madh, një kulturolog ndër më të mëdhenjtë e kohës. Është Vangjel Zhapa i famshëm, nga Gjirokastra, nga Labova e Zhapës, e që ka lënë kryevepra të ndritura, që sot mbajnë emrin e tij në Athinë. Në kuadër të Lojërave Olimpike që janë duke u zhvilluar në Paris, gazeta “Panorama” boton historinë e mrekullueshme të Lojërave të para moderne të Athinës të vitit 1896. Diplomati i njohur dhe publicisti Bashkim Zeneli nëpërmjet një dokumentacioni të pasur arkivor, na përshkruan zhvillimin e këtyre Lojërave me një respekt e dashuri të veçantë për antikitetin, për kulturën, artin, letërsinë greke, për popullin grek, si një monument i papërsëritshëm të vlerave dhe hyjnisë Olimpike…”.
********
NGA BASHKIM ZENELI *MJESHTËR I MADH
PJESA E PARË
Nuk do të ndalem në përshkrimin e ngjarjeve që na sjellin deri në vitin 1896, kur u organizuan Lojërat e para Olimpike moderne, po në Greqi, në Athinë. Por do të evidentoj thjesht disa data që lidhen me harkun e kësaj kohe, për të kuptuar se edhe këto Lojëra erdhën, përsëri, pas një historie shumë të pasur, sidomos të kulturës, letërsisë, artit, zhvillimeve demokratike, por edhe luftërave e pushtimeve…
Në vitet 3200-2000 p.K., do të kemi në ishujt e Egjeut kulturën Kikladike dhe nga viti 2000-1450 p. K. do të mbizotërojë në Kretë kultura Minione. Pas kësaj periudhe, deri në vitin 1150 p. K. do të mbizotërojë kultura Mykenase, me përqendrimin e dukshëm të saj në Peloponez.
Vitet 760 deri 490, kur mori rrugë Olimpiada e parë e më pas, karakterizohen nga zhvillimi i qyteteve dhe themelimi i kolonive. Sparta, Korinthi e Athina do të jenë qendrat më të fuqishme e më të zhvilluara të Greqisë. Kjo është edhe periudha kur lindën 2 eposet e pavdekshme të Homerit (studiuesi i lashtësisë, gjermani Henrich Schlieman është ndër autorët më të njohur në botë që është marrë me hollësi me studimin e këtyre dy eposeve), kur do të lulëzonte oratoria e Safos dhe kur do të shkruheshin tragjeditë klasike të Sofokliut (496-406). Kam folur më lart për Athinën nën sundimin e Perikliut. Këtu lindi vërtet demokracia dhe do të mbetet lapidare thënia e Perikliut në një manifestim para athinasve: “Unë nuk do të lejoj të praktikohet një pushtet i pakufizuar”. Në vitet 492-79 p. K. do të kemi luftëra të vazhdueshme të grekëve me persët. Grekët do të dalin fitimtarë dhe Athina bëhet fuqia më e madhe në Egje. Athina do të zhvillojë edhe një luftë 30-vjeçare me Spartën, ndërkohë që vetë Sparta do të përfshihej në luftë, për 10 vjet, me Tebën (371-361 p. K.).
Në vitet 338-146 p. K. do të kemi lindjen e helenizmit. Filipi II (382-336 p. K.) pushton të gjithë Greqinë. Djali i tij, Aleksandri i Madh (356-323 p. K.) do të themelojë një perandori botërore, deri në Egjipt, Persi dhe Indi. Ai ka meritën e jashtëzakonshme të zgjerimit të civilizimit heleno-grek dhe të përhapjes së kulturës në të gjitha zonat e pushtuara deri në Indi. Aleksandri i Madh do të themelonte 70 shtete. Nga viti 146 p. K. deri në vitin 395 pas Krishtit, do të mbizotërojë Roma… Në fillim Maqedonia, e më pas, e gjithë Greqia do të bëhen pjesë e Perandorisë Romake. Vitet 395 deri 1204 janë vitet e sundimit bizantin. Kryeqyteti i Perandorisë do të jetë Kostandinopoli. Nga viti 1204 deri në vitin 1453, Greqia do të pushtohet në disa zona nga francezët, duke mbetur kështu nën pushtimin e disa perandorive të vogla. Dhe vijmë në vitin 1453, kur pushtuesit turq do të marrin Kostandinopolin dhe Greqia bëhet pjesë e Perandorisë Osmane. Nga viti 1821 deri në vitin 1829, populli grek zhvillon një luftë të gjithanshme kundër pushtuesve osmanë. Në këtë luftë, është i njohur kontributi i jashtëzakonshëm i luftëtarëve, prijësve dhe komandantëve legjendarë arvanitas, që luftuan masivisht e me heroizëm për çlirimin e Greqisë nga pushtimi osman.
Në vitin 1832, Greqia do të bëhet monarki nën sundimin e Ottos (1815-1867), një princ bavarez nga Wittelsbach, që punoi me shumë pasion, sidomos në ndërtimet madhështore në Athinë. Arkitekti bavarez Friedrich Gartner do të projektonte dhe ndërtonte pallatin për mbretin Otto. Në vitin 1844 Greqia bëhet monarki konstitucionale dhe në vitin 1846 do të ketë një kushtetutë demokratike, nën sundimin e mbretit Georg I, princ danez (1845- 1913). Pas shumë luftërash, nga viti 1881 deri në vitin 1920, toka greke çlirohet një herë e mirë.
Vijmë nga periudha e luftërave të pandërprera, të lodhshme, në vitin 1896, kur do të zhvillohen Lojërat e para Olimpike moderne. Revolucioni grek përhapi një shpirt të paepur, të pasur, romantik edhe në Europë. Kudo u rrit interesimi dhe respekti për të, për të kaluarën e hershme, antike, të mbushur plot me lavdi, me mjeshtër të mëdhenj, me poetë, dramaturg, filozofë, tragjedianë, shkencëtarë, me zota të plotfuqishëm. Tani do të fliste përsëri, pas 2670 vitesh, në Olimpiadë, Greqia e Ringjallur. Poetët e mëdhenj grekë i kanë kënduar me plot pasion, dashuri e nderim kësaj ngjarjeje të madhe, jo thjesht sportive. I kanë kënduar popullit grek që do të bekonte këto Lojëra, i kanë kënduar Greqisë, atdheut të tyre, për bukuritë natyrore të veçanta. Poeti i madh Niko Kazantzakis do të shkruante në atë periudhë të Lojërave Olimpike: “Greqia ishte e mbushur me dritë, dritë në male e dritë në fushë, dritë në Greqi… Drita në Greqi është gjithë shpirt… Në këtë dritë brenda saj ka gjallëri, ka botë të madhe. Dhe botë do të thotë harmoni…”. Drita e madhe, drita e lirisë e jo vetëm drita e lavdisë së dikurshme, do t’i jepte të “drejtën” Greqisë për të organizuar Lojërat e para Olimpike moderne. Dritës greke, dritës së gjithanshme, domethënë… dritës plot jetë e jetës plot dritë, do t’i përkushtoheshin me vargjet e tyre poetët aq të mëdhenj e aq të dashur të popullit grek, nobelistët Jorgo Seferis dhe Odisea Elitis. Drita greke ka shkëlqyer në mijëvjeçarë, dritë që i dha rreze edhe mbarë Europës së hershme. Ajo nuk është parë kurrë nga poetët e mëdhenj si vetëm dritë e natyrës…
Është parë si një vlerë e lartë estetike dhe asaj i kanë kënduar ndër vite. Drita, bukuria e saj, është njehsuar nga poetët gjithmonë me shpirtin grek. Jashtë kësaj drite sfidante, të pasur, të dashur, duket se edhe greku i thjeshtë nuk do të ishte ai që është, me botë të madhe, këngëtar, valltar, muzikant, mikpritës e bujar, liridashës e fisnik. Dhe shpirtit grek i ka kënduar edhe Homeri, por edhe Bajroni, edhe Viktor Hygo, edhe Jorgo Seferis, edhe Odisea Elitis. Seferis do të shkruaj se “… Unë e di se duhet të jetoj me dritën. Në thellësinë time unë shoh vetëm dritë”. Ndërsa Elitis do të shkruaj se “drita është pjesë dhe qëllimi i jetës… errësira është ajo që më shtyn drejt dritës”. Drita greke është drita e Apollonit, perëndisë së diellit. Homeri ka shkruar himn për Apollonin. Apollo është “Kitharodos” (kitarist e këngëtar). Por ai është edhe “Mousagetes” (prijësi i muzave). Kostis Palamas, poet tjetër i madh, ndër më të dashurit për grekët, do të shkruante: “Çdo gjë në Greqi, malet, lumenjtë, detet, fushat e pafundme janë të “humanizuara”, janë me shpirt njerëzor dhe i flasin kujtdo me një gjuhë njerëzore… Çdo gjë është për këdo mik dhe partner”.
Bukuritë natyrore të Greqisë janë të njohura. Dhe në këtë sfond ka një veçori kryesore: simetria dhe moderimi! Odisea Elitis do të shkruaj: “Duke prekur Azinë në njërën anë dhe pak Europën në anën tjetër, Greqia qëndron aty, e vetme në ajër dhe e vetme në det”. Duke folur për malet, Elitis do të shkruaj një varg të madh, të jashtëzakonshëm, epik, lirik: “… ato nuk numërohen, ato janë personalitete! Ato flasin, ato vallëzojnë”. Sa shumë i kanë kënduar natyrës, dritës, maleve, detit, shpirtit plot botë të grekut, shpirtit olimpik, të pastër, të bardhë, hyjnor poetët e njohur gjerësisht edhe jashtë Greqisë Elitis, Palamas, Ricos, Solomon, Vikelas, Kazanzakis, Nikiforos, Vrettakos, Sikelianos, Pandelis Prevalakios, George Drossinis, Panaytopoulos etj., etj.. Prevelikis, një tjetër poet i madh, do të shkruaj: “Det, si të të quaj? Mjafton të të quaj Greqi!” Ndërsa poeti tjetër i madh, Sikelianos, do të shkruaj: “Detet bashkojnë brigje, ishuj… detet e Greqisë shërbejnë si ura për aventura fizike dhe shpirtërore”. “Substanca e Greqisë është deti”, do të shkruaj nobelisti Elitis. Dhe unë do të “shkëputem” pak e do të flas për detin, bregdetin dhe ishujt grekë, fare shkurt..
…Greqia ka një bregdet prej 15.000 km dhe ka mbi 3.000 ishuj, jo të gjithë të banueshëm. Ishujt grek janë të mrekullueshëm, të rrallë në botë. Kanë veçoritë e tyre secili. Po të pyesësh një grek të thjeshtë se cili është ishulli që duhet vizituar, do të marrësh të njëjtën përgjigje: varet se për çfarë je i interesuar… çfarë dëshiron të shohësh… janë të ndryshëm. Ishujt grekë bëjnë një “përjashtim” në krahasim me ishujt e vendeve të tjera europiane… Ata ruajnë vlera të mëdha të së kaluarës. Ato kanë jo vetëm veçoritë e tyre, por nga një ishull në tjetrin, nga Mesdheu, Joni dhe Egjeu, nga relievi në reliev, do të shohësh të ndryshëm edhe stilin e ndërtimit. E vetmja gjë që është e përbashkët në ishujt grekë, është mikpritja dhe dy ngjyrat e përhershme, në ndërtesa, kafene, plazhe, hotele e kudo: e bardha dhe bluja. Ato i gjen kudo, edhe mbi mbulesat e tavolinave. Dhe kjo nuk ndodh diku tjetër, sado vende turistike të njohura që mund të jenë. Grekët kanë ruajtur veten e tyre, botën e tyre, traditën në këta ishuj. Për këtë ata mund të quhen me krenari si “fanatikët” më të mëdhenj! Dhe secili nga ishujt, në historinë e vjetër dhe të re, ka përsëri të veçantat në muzikë, këngë, art, kulturë, në mënyrën e jetesës, të gatimit etj. Dhe përsëri, një veçori e përbashkët, e fortë, është vëmendja dhe kujdesi për monumentet e kulturës, për vlerat e antikitetit, për muzetë, për lapidarët, për bustet e shtatoret e heronjve dhe njerëzve të shquar.
Më ka ndodhur shpesh të shkoj në ishuj të ndryshëm, të mëdhenj e të vegjël, me shërbime e me kërkesa të bashkatdhetarëve. Dhe jam takuar me autoritetet vendore, por edhe me njerëz të thjeshtë. Dhe kam ndier vërtet mikpritjen e thellë dhe respektin. Kur ulesha me bashkatdhetarë në ndonjë kafe, kurioziteti i shtynte të dinin për tavolinën e shqiptarëve. Dhe sapo mësonin, do të vinin në tavolinë të më përshëndesnin: “Mirë se erdhe në ishullin tonë z. ambasador. Këtu ka shumë shqiptarë dhe punojnë shumë… Janë njerëz të mirë dhe ne shkojmë shumë mirë… Ja, ata dy djemtë, ata kamerierët janë shqiptarë… Kur erdhën nuk dinin ç’të bënin, tani janë mirë… Çfarë dëshironi, z. ambasador, t’ju ofrojmë? Na keni ardhur në shtëpinë tonë…”.
Dhe te bisedoje me ta, që kishin mbi tavolinë edhe kafe, por edhe një gotë uzo, do të më tregonin se shumë banorë të ishullit, që kanë shtëpi të bukura, por që jetojnë në Athinë, çelësat e shtëpive ua kanë lënë shqiptarëve që të kujdesen. Më ka ndodhur shpesh, që i ftuar nga autoritetet lokale, të shkoj në veprimtari përkujtimore, në Kretë, në Kollovrita, në Rodos, në Patra, në Kios, Kafallonia etj.. Një prani shumë e madhe vendësish do të përkujtonin me nderim ngjarje e figura të revolucionit grek, apo edhe të luftës kundër nazifashizmit. Dhe e kam ndier për detyrë që të vendosë një buqetë më lule për këta heronj të lirisë. Greqia është e mbushur me monumente, me statuja; ato i gjen edhe buzë rrugëve automobilistike, aty ku kanë ndodhur ngjarjet që populli i përkujton. Grekët i duan shumë dhe kujdesen për to. Nuk më ka ndodhur të shoh një monument, një lapidar, një bust të dëmtuar apo të pamirëmbajtur… Me statujat e famshme greke, të artistëve të mëdhenj, që i kushtohen antikitetit, luftëtarëve e prijësve të famshëm, poetëve, shkrimtarëve, filozofëve e mjekëve të shquar… mund të ndalosh e të flasësh pa droje! Çdo gjë të fut në kujtesë, për ato që di. Një dialog me monumentet, me statujat është krejtësisht i mundshëm… Ato vetë flasin, ato kanë historinë e tyre, madhështinë e tyre, dinjitetin dhe humanizmin e lartë… Se kur je para monumentit, p.sh. të Perikliut, nuk mund të mos mendosh periudhën e artë të Athinës, mrekullitë e saj, sundimin me koncepte demokratike të Perikliut…
… Dhe ky vend, ky popull, meritoi edhe organizimin e Lojërave Olimpike moderne në vitin 1896! Ata që vendosën për këtë në Paris, e njihnin këtë histori, e njihnin shpirtin olimpik të popullit, e nderonin dhe e vlerësonin, që ky vend, Greqia, kishte ditur të organizonte, në antikitet, Lojërat e para Olimpike! Greqia ishte e lirë nga hordhitë osmane, ndërsa rreth saj, popujt fqinj, e vazhdonin ende këtë luftë për të fituar lirinë, më vonë, njëri pas tjetrit, për t’u shpallur të pavarur. Dhe Greqia kishte triumfin e një “ishulli” të paqes, lirisë, të kurorës së ullirit dhe të dafinës, që të gjithë të tjerët e kishin marrë prej saj… Më 1896-n, Athina do të mblidhte atletë dhe sportistë, më shumë se asnjëherë në botë, për të zhvilluar Olimpiadën. Do të niste aty, për të vazhduar më pas, në çdo 4 vjet, në vende të ndryshme të botës. Do të niste për herë të parë të sportit (përjashto antikitetin) Olimpiadat, Lojërat e paqes, të vëllazërimit, të miqësisë, të lirisë. Të tilla janë Olimpiadat. Dhe sigurisht, ajo e para, në Athinë, në vitin 1896, ka rëndësinë më të madhe, jo thjesht pse është e para. Por vetë kjo fillesë flet se ai vend, ai popull e dinte më mirë se kushdo se ç’do të thotë të mblidhesh paqësisht, miqësisht për të garuar, me përfaqësuesit më të mirë të popujve, në çdo sport. Më 1896-n, Lojërat Olimpike u kthyen pra, në vendin ku kishin lindur. Antikiteti i famshëm ishte gjallë dhe frymëzues i pashtershëm. Një burrë i kulturuar, fisnik, një burrë shteti i njohur, siç e përshkruajnë veprat e shumta olimpike, Aleksandros Korias, do të punonte e luftonte me shumë seriozitet, që në mesin e shekullit të 18-të, për të organizuar në Greqinë e lirë, një festival të madh olimpik. Do të përpiqej kështu edhe një tjetër figurë e shquar e kohës Panajotis Soutsos.
Por, nuk do të qëndronte pas Evangelis Zappas, një burrë i ditur, filantrop, me kulturë të gjerë dhe me pasion të veçantë për arsimin, kulturën dhe artin. Është Vangjel Zhapa i famshëm, nga Gjirokastra, nga Labova e Zhapës, që ka lënë vepra të mëdha ndërtimore në Athinë. “Zappion” i famshëm dhe i njohur për çdo kryeqytetas e për këdo që viziton Athinën, është vepër e tij. Por edhe të tjera, të shumta! Një filantrop i rrallë! Ai, me financimin shumë fisnik do të luftonte të organizonte, në 4 raste me radhë, në vitet 1859, 1870, 1875 dhe 1881 veprimtarinë e madhe sportive “Zappas Olympic Games”. Një sipërmarrje me vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm sportive, por humanitare, paqedashëse, liridashëse. Një veprimtari që do të mblidhte jo vetëm sportistë grekë, por edhe nga vende të tjera. Dhe në këto 4 organizime Lojërat Olimpike të vitit 1870, ato të dytat, do të ishin një sukses i plotë, një përvojë e madhe edhe për të ardhmen, por edhe që do të shërbenin si një bazë e fuqishme për të ngritur e kulturuar në radhë të parë një kulturë masive sportive. Këtë meritë ia di shumë mirë çdo grek Vangjel Zhapës së ndritur! Janë tre burra të shquar, Zappas (Zhapa), Vikelas dhe Averopf që morën nismën për të organizuar një ambicie të madhe: të organizonin në Athinë Lojërat Olimpike! Ata do të merrnin rrugën për në Paris, për t’u takuar me një helenist të shquar, De Coubertin. Dhe do të takoheshin me të në Palais de la Sorbone.
Ky do të ishte një start shumë i guximshëm, por edhe i bukur, i mrekullueshëm për të ringritur shpirtin dhe idealin olimpik. Baroni De Coubertin ka një meritë të jashtëzakonshme për mbështetjen që u dha tre burrave të shquar që takoi nga Greqia për organizimin e Lojërave Olimpike. Ai do të propozonte organizimin e një kongresi themelues të Lojërave Olimpike për t’i dhënë peshën e duhur që duhet të merrte organizimi i tyre në Greqi. Kongresi do të zhvillohej nga 16 deri 24 qershor 1894, po në Palais de la Sorbone, aty edhe ku ishin takuar të ardhurit nga Greqia. Baroni autoritar dhe me kulturë të gjerë De Coubertin “do të ftonte në këtë kongres themelues, mbretërit e Greqisë dhe të Belgjikës, Princin e kurorës së Greqisë, Princin e Wellsit, Princin e kurorës të Suedisë, Arkidukën Vladimir dhe u dha atyre titullin anëtarë nderi të kongresit. Baroni Decourcel, senator i njohur dhe ish ambasador i Francës në disa vende, u zgjodh president i Kongresit”. Në këtë Kongres, unanimisht do të vendosej që Lojërat Olimpike të zhvilloheshin dy vite më vonë, në vitin 1896, në Athinë. Ky vendim u prit me një entuziazëm shumë të madh në Greqi. Nuk ishte e lehtë të arrihej në këtë vendim, sado që u mor unanimisht; kishte vende më të mëdha, më të zhvilluara, më të fuqishme, por edhe me qëndrueshmëri politike. Veçse çdo vendi, të paktën për herë të parë, u mungonte ajo që duhej kujtuar, që duhej ringjallur: shpirti olimpik grek, tradita greke, historia greke e lojërave të antikitetit; u “mungonte” kurora e stërlashtë e ullirit dhe dafinës, u “mungonte” edhe maratonomaku që dha lajmin e madh të fitores…
Ndaj iu bë nderi Greqisë. Në paragrafin e parë të fjalës së hapjes së kongresit do të shkruhet: “Lojërat Olimpike që do të organizojmë, do të kenë si bazë kërkesat dhe nevojat për jetën moderne”. Vendimin për organizimin e Lojërave Olimpike moderne në Athinë, do ta nënshkruanin anëtarët e Komitetit organizator të Kongresit, përfshirë edhe baronin De Caubertin, sekretari i përgjithshëm i Unionit të sporteve të atletikës; C. Herbert, sekretari i Shoqatës së atletikës së Anglisë dhe W. M. Sloane, profesor në Universitetin Princestone në SHBA. Për Greqinë ishte një nder i madh që presidenti i parë i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik do të zgjidhej burri i shquar e kulturologu i madh Dimitris Vikelas, njëkohësisht një nga figurat më të shquara të letërsisë së kohës. Dhe deklarata e parë e tij, pas zgjedhjes, ishte: “Duam që rinia e botës të mësojë të jetojë në paqe dhe të respektojë jetën”! Një thënie e mrekullueshme, plot paqe e mirësi që, edhe sot, pas 124 vjetësh, ka një tingëllim shumë aktual. Është një mesazh për botën e trazuar, për t’u dhënë fund luftërave, përplasjeve, terrorizmit, me ato qëllime që frymëzon përherë shpirti olimpik, sidomos për të ardhmen e rinisë… Vikelas, që në të shumtën e kohës jetonte jashtë Greqisë, do të vinte në Athinë, pas Kongresit, më 13-23 shtator, për t’u marrë me çështje të organizimit të Lojërave Olimpike. Ai në fillim do të takohej me Mbretin George I, me Princin e kurorës Kostantine dhe princat George dhe Nikolaos.
Në Athinë do të ngrihej një Komitet Olimpik Organizator prej 12 anëtarësh. President i tij u zgjodh Princi i kurorës Costantine. Ai emëroi Timoleon Philiman si sekretar të përgjithshëm dhe Pavlos Skonzas si përgjegjës të financës, thesarit (treausrs). Do të zgjidhej edhe një sekretariat, me ndarje shumë të qarta të detyrave. Princi i kurorës Costantine do të thërriste mbledhjen e parë të Komitetit Organizator Olimpik, më 13 janar 1895 ku, midis të tjerash, do të theksonte se “… Lojërat Olimpike moderne do të mbahen në vendin tonë aty ku ato ndriçuan për kaq shumë shekuj dhe kontribuuan për përparimin e qytetërimit”. Bazuar mbi vendimet e Kongresit të olimpiadës, u ngritën 9 komitete të ndryshme që do të merreshin me organizimin e Lojërave e që zgjodhën secili komitet drejtuesin e tij. Midis tyre ishte edhe komiteti për rinovimin e stadiumit Panathenaiko, me president J. Kokkidis. Koha deri në marsin e viti të ardhshëm (1896) ishte shumë e shkurtër dhe ndaj u vu detyrë që të punohej me intensitet të lartë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co