Turqia paraqiti të mërkurën një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, një organizëm i OKB-së për t’u bërë pjesë e padisë së Afrikës së Jugut ku akuzohet Izraeli për gjenocid në Gazë, tha ministri i Jashtëm i vendit, Hakan Fidan.
Ambasadori i Turqisë në Holandë, i shoqëruar nga një grup ligjvënësish turq, dorëzoi një deklaratë mbi synimin e vendit të tij. Me këtë veprim, Turqia, një nga kritiket më të ashpra të veprimeve të Izraelit në Gazë, bëhet vendi i fundit që kërkon të shtohet në padinë ndaj Izraelit. Edhe Spanja, Meksika, Kolumbia, Nikaragua dhe Libia kanë kërkuar t’i bashkohen kësaj çështjeje, ashtu si edhe zyrtarët palestinezë.
Gjykata nuk ka marrë ende vendim për kërkesat e tyre.
“Sapo kemi dorëzuar kërkesën tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’u bërë pjesë e padisë për gjenocid, ngritur kundër Izraelit”, tha Ministri i Jashtëm Hakan Fidan në një postim në platformën e mediave sociale X.
“I inkurajuar nga mungesa e ndëshkimit për krimet e tij, Izraeli po vret gjithnjë e më shumë palestinezë të pafajshëm çdo ditë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të luajë rolin e tij për të ndaluar gjenocidin; si duhet të ushtrojë trysninë e duhur mbi Izraelin dhe përkrahësit e tij. Turqia do të bëjë çdo përpjekje për ta realizuar këtë”, tha ai.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar Izraelin për gjenocid, ka bërë thirrje që ai të ndëshkohet në gjykatat ndërkombëtare dhe ka kritikuar vendet perëndimore për mbështetjen ndaj Izraelit.
Në maj, Turqia pezulloi tregtinë me Izraelin, duke përmendur si arsye sulmin e tij ndaj Gazës. Ndryshe nga vendet perëndimore që e kanë cilësuar Hamasin një organizatë terroriste, zoti Erdogan e ka vlerësuar grupin, duke e quajtur një lëvizje çlirimtare.
Afrika e Jugut ngriti një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në fund të vitit të kaluar, duke akuzuar Izraelin se kishte shkelur Konventën e Gjenocidit me operacionet ushtarake në Gazë.
Izraeli ka hedhur poshtë me forcë akuzat për gjenocid dhe ka argumentuar se lufta në Gazë është një veprim legjitim mbrojtës kundër militantëve të Hamasit në përgjigje të sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit që shkaktoi vdekjen e rreth 1200 vetëve dhe gjatë të cilit u morën 250 pengje.
Nëse Gjykata pranon që t’i bëjë pjesë të padisë, këto vende do të jenë në gjendje të propozojnë shtesa me shkrim dhe të flasin në seancat publike.
Gjykatës mund t’i duhen vite që të marrë një vendim përfundimtar.
Në një deklaratë për mediat, Hamasi përshëndeti kërkesën e Turqisë për t’iu bashkuar padisë dhe tha se ajo konfirmon mbështetjen e Presidentit Erdogan për kauzën palestineze.
“Asnjë vend në botë nuk është mbi ligjin ndërkombëtar,” tha më herët në platformën X zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke, Oncu Keceli.
“Çështja në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë është jashtëzakonisht e rëndësishme në mënyrë që krimet e kryera nga Izraeli të mos mbeten pa u ndëshkuar”, shtoi ai.
Zoti Keceli bëri thirrje gjithashtu për zbatimin e menjëhershëm të masave paraprake të urdhëruara nga gjykata, përfshirë ndaljen e ofensivës ushtarake dhe rritjen e ndihmave humanitare për Gazën.
Që kur zoti Erdogan mori pushtetin në 2003, Turqia dhe Izraeli kanë pasur një marrëdhënie të brishtë, herë herë me periudha fërkimesh të forta dhe herë herë me bashkëpunim.
Lufta në Gazë ndërpreu përpjekjet më të fundit për normalizimin e marrëdhënieve./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co