Debat për hapjen e urës mbi Ibër, pak serbë të pranishëm

debat per hapjen e ures mbi iber pak serbe te pranishem
debat per hapjen e ures mbi iber pak serbe te pranishem

Në Mitrovicë të Veriut ka nisur debati për hapjen e urës mbi lumin Ibër, që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare. Në debat po marrin pjesë përfaqësuesit e kësaj komune dhe ata të Qeverisë së Kosovës. Por, sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, pjesëmarrës në debat janë një numër i vogël i qytetarëve serbë dhe se shumica e të pranishmëve janë asamblistë komunalë, përfaqësues të OSBE-së dhe mediave.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se ura do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë, që do të kontribuoi në lehtësimin e kontakteve të qytetarëve në jug dhe veri. “Tashmë është absurd vazhdimi i mbajtjes mbyllur të urës. Hapja nuk është dhe nuk do të jetë kundër askujt”, tha ai në nisje të debatit.

Disa qytetarë serbë, të pranishëm në debat, thanë se nuk është e nevojshme që të hapet ura dhe mjafton që ajo të jetë e hapur për këmbësor. Ata po ashtu u ankuan për praninë e madhe policore në veriun e banuar me shumicë serbe. Pjesëmarrësit serbë dhe shqiptarë shprehën frikën për rritjen e tensioneve në rast të hapjes së urës, duke kërkuar garanci.

Ministri Krasniqi tha se shteti garanton që do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarë. “Po, shteti garanton që do të jetë në krye të detyrës që siguria publike në secilin cep të Kosovës të jetë në nivel që qytetarët të jenë të sigurt. Këtu ka një histori edhe të trazirave, kërcënimeve edhe të nxitjeve, por urat kanë një qëllim që ndërtohen: t’i bashkojnë pjesët që ndahen”, tha ai, duke shtuar se hapja e urës nuk paraqet kërcënim për komunitetet.

Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se ky institucion garanton për një “siguri shumë të madhe” nëse hapet ura. Ndërkaq, Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme tha se ura do të duhej të ishte hapur shumë kohë më parë.

“Besoj që jemi shumë vonë për hapjen e urës, do të duhej të ishte hapur më herët. Sot ne do të duhej të flisnim për problemet kryesore që Mitrovica i ka si papunësia e problemet e tjera që i prekin drejtpërdrejtë qytetarët sepse u përmend disa herë që urat vetëm na bashkojmë. Kemi edhe garancinë që u dha nga policia për të monitoruar situatën në rast të ndonjë shqetësimi”, tha ajo.

Gjatë debatit, Tela tha se MPB-ja është e përkushtuar që të rrisë bashkëpunimin mes policisë dhe komunitetit në këtë pjesë të Kosovës, duke theksuar se është e rëndësishme që pjesëtarët e komunitetit serb të marrin pjesë edhe në forumet e sigurisë.

Ura e Ibrit: Si dhe kur mund të hapet?

Serbët protestojnë në Mitrovicë të Veriut kundër hapjes së urës mbi Ibër. Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.

Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në korrik bëri të ditur synimin për hapjen e urës. Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Për hapjen e urës, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje në kuadër të dialogut, por ura vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësorë.

Asamblistët e Kuvendit të Komunës së Mitrovicë të Veriut në prill të vitit të kaluar miratuan vendimin për hapjen e urës mbi Ibër, i cili më pas iu dërgua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Nënkryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Skender Sadiku, në fund të majit tha se për zbatimin e këtij vendimi tani janë përgjegjëse institucionet qendrore, KFOR-i dhe Bashkimi Evropian. Ai theksoi se me këtë vendim duhet të bien dakord edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Jugut./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →