Ofensiva ukrainase vazhdon prej dy ditësh në rajonin Kursk të Rusisë. Kievi e quan sulmin si pasojë e “agresionit” rus prej shkurtit 2022 ndaj Ukrainës, tha këshilltari presidencial ukrainas Mykhailo Podolyak. Që nga e marta, autoritetet ukrainase kanë zgjedhur të heshtin për situatën dhe nuk kanë bërë asnjë koment zyrtar për atë që po ndodh brenda territorit rus.
“Rusia ka besuar gjithmonë se nuk zbatohen norma ligjore kufizuese ndaj saj dhe se mund të sulmojë territoret e vendeve fqinje pa u ndëshkuar dhe në mënyrë hipokrite të pretendojë paprekshmërinë e territorit të saj”, tha Podolyak. “Por lufta është luftë, me rregullat e saj, agresori i paguan pashmangshëm pasojat”, përfundoi ai.
“Që nga dita e parë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Kievi ka kombinuar përpjekjet politike, diplomatike dhe ushtarake për të marrë F-16: tani avionët e parë luftarakë janë në qiellin e Ukrainës dhe do të mbërrijnë më shumë”, ka shkruar Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në rrjetin social X.
Që në ditën e parë të pushtimit rus në shkallë të gjerë, Ukraina u kërkoi partnerëve të saj të mbyllnin qiejt ose të siguronin avionë.
Pas sulmit në rajonin Kursk, Kievi i ka bërë thirrje banorëve rusë të evakuohen.
Mësohet se në terren ushtria ukrainase po vepron duke bombarduar pa dallim, përfshirë edhe sulmet me raketa. Gjithashtu, mediat raportojnë se mjaft struktura civile në Kursk janë sulmuar nga ushtria e Ukrainës. Mbi 6 mijë banorë raportohet të jenë evakuuar deri tani.
Nga ana tjetër, Moska pretendon se ka arritur të ndalojë përparimin ukrainas në rajonin jugor të Rusisë.
“Përpjekjet e Forcave të Armatosura të Ukrainës për të depërtuar thellë në rajonin e Kurskut u penguan, përparimi i tyre nuk u lejua”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e Moskës në një raport mbi situatën në rajonin jugor të Rusisë, ndërsa ka publikuar edhe pamje satelitore nga luftimet në terren.
Ndërsa Guvernatori i Kursk, Alexey Smirnov njoftoi se në rajon është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Një reagim ka ardhur edhe nga Shtëpia e Bardhë. Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të “kontaktojnë” autoritetet ushtarake ukrainase për të “mësuar më shumë rreth planeve të tyre”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre e tha këtë në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me sulmet e Ukrainës në territorin rus.
Bashkimi Europian nga ana tjetër deklaroi se Ukraina ka të drejtë ligjore për të mbrojtur veten, duke goditur territorin e agresorit të saj.
Prej 6 gushtit Rusia ndodhet nën sulmin e Ukrainës.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co