Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku me anë të një postimi në rrjetet sociale, i ka bërë thirrje qeverisë që te gjejë një mënyrë për t’i kthyer paratë Profesionistëve të Lirë, që paguan për një taksë e cila sot është antikushtetuese me vendim gjykate.
Tabaku shprehet se 10 mijë profesionistë të lirë, kanë paguar nga xhepi i tyre rreth 10 milion euro.
Ajo shton se këta para duhet të kthehen në xhepat e tyre, njësoj siç u veprua gjatë pandeimë COVID-19.
Postimi i Tabakut:
Një Thirrje për Qeverinë: Zgjidhni Drejtësinë dhe Ndershmërinë!
Një vendim i qartë nga Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Taksën ndaj Profesionistëve të Lirë, duke zhbërë një taksë irracionale dhe anti-biznes që mazhoranca dhe qeveria socialiste miratuan me nxitim një vit më parë. Ky vendim i dha të drejtë punonjës të shtresës së mesme që, përmes profesioneve të tyre, i bëjnë nder vendit tonë dhe i japin të ardhura familjeve të tyre.
Mirëpo fatkeqësisht, nën presionin e qeverisë socialiste, 10 mijë profesionistë të lirë paguan këstin për një taksë që sot është antikushtetuese me vendim gjykate. I takon qeverisë që të ngrihet në lartësinë e mbrojtjes së interesave të qytetarëve duke vepruar me shpejtësi dhe drejtësi ndaj atyre që padrejtësisht u ka marrë mbi 10 milionë euro taksa nga xhepi i tyre.
Duhet t’ia rikthejë ato miliona euro nga xhepi i Profesionistëve të Lirë përmes një vendimi të thjeshtë të qeverisë, njësoj siç u veprua gjatë pandemisë COVID-19. Kaq do të mjaftonte që sot në xhepat e 10 mijë profesionistëve të lirë të riktheheshin 10 milionë euro, një shumë e papërfillshme për buxhetin, por që është shumëçka për portofolin e shtresës së mesme dhe buxhetin e familjeve të tyre.
Kjo është një zgjidhje e thjeshtë. A do të jetë kjo qeveri në krahun e Sundimit të Ligjit duke respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, apo në krahun e padrejtësisë dhe pandershmërisë që janë arma e një qeverie pakice në kurriz të shumicës?!
Ne, si opozitë, e kemi bërë zgjedhjen tonë të qartë; jemi në krahun e shtresës së mesme dhe të atyre 30 mijë profesionistëve të lirë që punojnë dhe investojnë për profesionin e tyre, duke i dhënë Shqipërisë oksigjenin e sipërmarrjes së vogël që i mungon prej kaq shumë kohësh.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co