Bota

Rreth 100 të vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gazë, SHBA: Thellësisht të shqetësuar

rreth 100 te vrare nga sulmet ajrore izraelite ne gaze shba thellesisht te shqetesuar





































Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se një sulm ajror izraelit goditi një shkollë në qytetin Gazës, ku po strehoheshin persona të zhvendosur, duke vrarë rreth 100 persona. Ushtria izraelite e pranoi sulmin në shkollën Tabeen, duke pretenduar se goditi një qendër komanduese të Hamasit brenda shkollës. Hamasi mohoi përdorimin e shkollës si qendër komanduese.

344222

Rreth 100 njerëz u vranë nga një sulm ajror izraelit sot në qytetin e Gazës, thanë zyrtarë palestinezë të shëndetësisë.

Ky është një nga sulmet më vdekjeprurëse në luftën 10-mujore midis Izraelit dhe Hamasit. Ushtria izraelite e pranoi sulmin në shkollën “Tabeen”, duke thënë se goditi një qendër komanduese të Hamasit.

“U morën hapa të shumtë për të minimizuar rrezikun e dëmtimit të civilëve”, thuhet në një deklaratë të ushtrisë izraelite.

“Shërbimet izraelite të sigurisë zbuluan se rreth 20 militantë të Hamasit dhe Xhihadi Islamik, duke përfshirë komandantë të lartë, po përdornin kompleksin e shkollës Tabeen për të planifikuar sulme ndaj forcave izraelite”, tha nënkoloneli izraelit Nadav Shoshani në një postim në rrjetin social X.

Grupi militant nga ana tjetër e mohoi këtë pretendim.

“Forcat izraelite goditën njerëzit tanë këtë mëngjes kur ata po përgatiteshin për namazin. Ata gjuajtën me tre raketa, dy nga avionët dhe një nga droni. Deri më tani, ka më shumë se 93 të vrarë duke përfshirë 11 fëmijë dhe gjashtë gra”, tha zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Palestineze, Mahmoud Bassal për mediat.

Sipas autoriteteve spitalore më shumë se 100 të tjerë janë plagosur.

Shtetet e Bashkuara u shprehën thellësisht të shqetësuara për ngjarjen.

“Jemi thellësisht të shqetësuar mbi njoftimet për vdekjen e civilëve në Gazë pas një sulmi ajror të Forcave Izraelite të Mbrotjes në një kompleks që përfshin një shkollë”, tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se Uashingtoni është në komunikim me Izraelin për të kërkuar informacion.

Në deklaratë thuhej se “një numër i lartë civilësh po vritet dhe po plagoset” në Gazë dhe përsëriti thirrjet për armëpushim.

Në një raport të publikuar të hënën, Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se kishte të paktën 17 sulme në shkolla në muajin e kaluar, ku janë vrarë 163 njerëz, shumë prej tyre gra dhe fëmijë.

Shumë nga shkollat po shërbenin si vend strehimi, thuhet në raport, duke shtuar se Izraeli ka një detyrë sipas ligjit ndërkombëtar për të siguruar strehim të sigurt për të zhvendosurit.

Izraeli fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve në Gazë, duke thënë se grupi rrezikon civilët duke shfrytëzuar shkollat dhe lagjet e banuara si baza për operacione dhe sulme.

Raundi i ri i bisedimeve për armëpushim

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell shkroi në rrjetin X se ishte i tronditur nga pamjet në shkollën ku ndodhi sulmi.

Një zëdhënës i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, Nabil Abu Rudeineh, i kërkoi aleatit të Izraelit, Uashingtonin t’i japë fund “mbështetjes së verbër që çon në vrasjen e mijëra civilëve të pafajshëm, duke përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar”.

Egjipti, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Turqia e dënuan sulmin.

Zyrtari i Hamasit Sami Abu Zuhri tha se ky sulm duhet të shërbejë si një pikë kthese ndërsa ndërmjetësit përpiqen që të nxisin rifillimin e bisedimeve për armëpushim.

Një zyrtar i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se grupi se shqyrtonte një propozim të ri, por nuk dha më hollësi.

Egjipti tha se vrasja e civilëve të Gazës tregoi se Izraeli nuk ka ndërmend t’i japë fund luftës. Ministria e Jashtme e Katarit e cilësoi sulmin si një “masakër të tmerrshme”.

Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë planifikuar mbajtjen të enjten të një raundi të ri bisedimesh për armëpushim në Gazë, ndërsa shtohet shqetësimi për një zgjerim të konfliktit që mund të përfshijë Iranin dhe grupin libanez Hezbollah.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se nuk do t’i japë fund luftës derisa Hamasi të mos përbëjë më kërcënim për izraelitët, tha se do të dërgonte një delegacion.

Fushata e Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 39790 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 92 mijë të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi dhe e cila nuk bën dallime mes luftëtarëve dhe civilëve.

Lufta u shkaktua nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, në të cilin militantët nga Gaza hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Më shumë se 1.9 milionë të banorëve të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre, duke ikur vazhdimisht nëpër territor për t’u shpëtuar sulmeve. Shumica tani janë të grumbulluar në kampe të stërmbushura tendash të shkatërruara, në një zonë prej rreth 50 kilometrash katrorë në bregun e Gazës./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts