Bota

“Komunikime të brendshme janë cënuar”, Trump hedh akuzat për hakerim të fushatës, fajëson Iranin

komunikime te brendshme jane cenuar trump hedh akuzat per hakerim te fushates fajeson iranin
komunikime te brendshme jane cenuar trump hedh akuzat per hakerim te fushates fajeson iranin

Fushata presidenciale e Donald Trumpit, kandidatit republikan për president, ka thënë të shtunën se disa komunikime të brendshme i janë hakuar dhe ka fajësuar Qeverinë iraniane për këtë incident. Fushata e Trumpit ka përmendur armiqësitë e kaluara në mes të Trumpit dhe Iranit, kur e ka fajësuar Teheranin, mirëpo nuk ka ofruar ndonjë dëshmi konkrete se iranianët janë mbrapa. Ekipi i fushatës së Trumpit e ka lëshuar një deklaratë, pak pasi e përditshmja Politico ka raportuar se ka nisur të pranojë emaila në korrik prej një burimi anonim, që i ka ofruar dokumente autentike prej operacioneve të fushatës së Trumpit, përfshirë një raport për kandidatin e republikanëve për nënpresident, J.D.Vance dhe “dobësitë e tij të mundshme”.

“Këto dokumente janë siguruar ilegalisht prej burimeve të huaja armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, që kanë qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2024 dhe krijimin e kaosit brenda procesit tonë demokratik”, ka thënë zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, përmes një deklarate.

Trump ka thënë më vonë në platformën e vet sociale, Social Truth se, gjiganti teknologjik, Microsoft e ka informuar fushatën e tij se Irani ia ka hakuar njërën prej faqeve. Ai e ka fajësuar Iranin duke thënë se ai “mund të sigurojë vetëm informacion publik”, dhe nuk ka dhënë më shumë hollësi për hakimin. Misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, ka thënë përmes një emaili se “Qeveria iraniane, as nuk ka, dhe as nuk synon të ketë ndonjë motiv për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane”. Trump, ish-president amerikan, ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Iranin, sa ka qenë në pushtet. Nën udhëheqësinë e Trumpit, Shtetet e Bashkuara e kanë vrarë komandantin ushtarak iranian, Qassem Soleimani, më 2020, dhe janë tërhequr prej marrëveshjes bërthamore, që kanë nënshkruar fuqitë botërore me Iranin.

“Iranianët e vërejnë që presidenti Trump nuk do të ndalë tmerrin ndaj tyre, sikurse ka bërë në katër vjetët e parë në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Cheung. Trump i ka mbijetuar një atentati në korrik. Ndonëse nuk ka pasur sugjerime që i dyshuari ka qenë i lidhur me Iranin, rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka raportuar muajin e kaluar që inteligjenca amerikane ka informacione për një komplot iranian kundër Trumpit. Teherani, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts