Lum kush jeton gjatë që të marrë pension të lartë…!

lum kush jeton gjate qe te marre pension te larte





































NGA XHEVAT MUSTAFA Xhevat Mustafa

Qysh kur ka nisur qeverisjen e vendit, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, Rama-qeveria ka nisur edhe fushatën manipuluese apo mashtruese me pensionet dhe gjasme rritjet e tyre. Edhe gjatë këtyre ditëve të gushtit 2024, më së shumti nga goja e Kryeministrit Edi Rama dëgjohet, me disa redaktime apo përditësime, përralla e vjetër me bisht sa gjatësia e tij trupore, se “rritja e pensioneve, sidomos e atyre më të ulëta dhe mesatare, është përparësi apo shqetësim i përhershëm për atë dhe qeveritë e tij! Pas, “harresës” në vitet e para të traditës së qeverive PD-Berisha për rritje çdo 1 janar të pensioneve e të pagave, duke pasur parasysh edhe rimbursimin sipas shifrës përkatëse të inflacionit, më pas, më shumë për interes e efekt elektoral dhe manipulues, edhe Ramaqeveria nisi rritjen e pensioneve me përqindje të ulëta e “duke harruar” rimbursimin e plotë sipas nivelit përkatës të inflacionit!

Për më tepër e më keq, edhe kontingjentet e pensionistëve në 6 muajt e parë të vitit 2024 kanë dalë me pensione minimale në rreth 15.000- 30.000 lekë, edhe pse shumica e tyre kanë pasur vjetërsi pune e pagese siguracionesh për mbi 35 vjet! Nga ISSH dhe burime të tjera qeveritare nuk jepen shifra të sakta se sa është “ushtria” e vërtetë e atyre me pensione minimale e mesatare. Megjithatë, nga burime konfidenciale, ka dalë “sekreti” se rreth 40% e pensionistëve në Shqipëri edhe në gusht 2024, domethënë pas 67 vitesh qeverisjesh komunisto-socialiste apo nga një parti, që duhej të kishte si yll polar politikën sociale dhe mirëqenien sa më të lartë të shumicës së popullit, marrin pensione mujore në shifrat 10.000- 20.000 lekë!

Merret me mend se kaq i kanë pensionet edhe shumica e qytetarëve dhe fshatarëve të Himarës, që votuan deri në 95% të votave më 4 gusht 2024 për kandidatin e Ramaparti-qeverisë, Vangjel Tavo, në plot fshatra të njohura prej 80 vitesh si bastione të enverizmo-edramizmit! Edhe pse i kanë pensionet e ulëta dhe kanë 80 vjet që terrorizohen për mungesë rrugësh, dritash, uji të pijshëm, jetesë normale, përsëri ata votuan masivisht për kandidatin e partisë që ua ka nxirë jetën dhe Shqipërisë! Por, edhe që i ka lënë pleqtë në vetmi, sepse bijtë dhe dhëndurët me nuset dhe nipa e mbesa u kanë ikur rreth 30 vjet më parë e pandërprerë në Greqi e vende të Evropës Perëndimore, deri në Kanada, Amerikë, Australi…!

Përqindja e lartë e votave për PS-rilindjen jo vetëm më 4 gusht 2024, por edhe në proceset zgjedhore të mëhershme nga votues në fshatrat që përfshihen në Himarë të shtyn të mendosh e pyesësh se si ka mundësi t’ia harrojnë dhe falin PKSH-PPSH-PSSH dhe qeverive të saj “gjëmat”, që u kanë bërë apo “ferrin tokësor” për 67 vjet në tërësi e në këto 20 vjet pas 1990-tës e tregohen kaq zemërgur apo të pamëshirshëm ndaj PD-së dhe “të djathtës”, që në fund të fundit kanë qeverisur vetëm 13 vjet ose më shumë se 5 herë më pak…!? Nejse, ta kalojmë këtë çështje të vjetër e “bajate”, sepse prej 80 vitesh është bërë e qartë dhe e kuptueshme se “të majtët” masivisht lumturohen, të thurin e këndojnë vjersha e këngë, kur mashtrohen dhe nëpërkëmben pareshtur e sy më sy, si të verbër, nga partia dhe kryetarët e saj të zemrës. Ashtu si në fshat, nga ish-anëtarët e kooperativave dhe fermave bujqësore, edhe një “ushtri” ish-punëtorësh në fabrika, uzina, kombinate “të Partisë”, në ndërmarrje më të vogla, shumë vite më parë e deri më 1 korrik 2024, kanë marrë pensione pakëz, më të lartë, por gjithsesi allashqiptar, në rreth 15.000-30.000, që shkaktojnë çudi e tronditje, edhe tek qytetarë e zyrtarë si dhe tek turistë pensionistë nga vende të Evropës Perëndimore.

Duke pasur parasysh apo duke kujtuar se gjatë Ramaqeverive çmimet e të gjithë artikujve ushqimorë, farmaceutikë, higjienikë, kozmetikë, të pajisjeve dhe shërbimeve shtëpiake si zyrtare e shëndetësorë, edhe në spitale shtetërorë janë rreth 2-3 herë më të lartë se më 2013-tën e “Saliut të keq” e “non grata”, del lehtësisht mesazhi se edhe shumica e pensionistëve në qytete, me pensione të ulëta e të mesme nuk mund t’i shtyjnë pa vramendje e pagjumësi 30-31 ditët e 12 muajve të vitit. Njëkohësisht, është llogaritur se rreth 60% e pensionistëve në Shqipëri, të qytetit dhe të fshatit, nuk kanë mundësi financiare të bëjnë qoftë edhe 1 javë pushime në një nga plazhet e Shqipërisë, duke mos e menduar fare për të shkuar në plazhet e Turqisë, Greqisë, Malit të Zi…! E megjithatë, Rama-qeveria, në vend që të disafishojë pensionet minimale e ato sociale, duke ridëshmuar se nuk është parti e majtë dhe sociale, në mesqershor 2023 mori vendimin për të rritur 3-fish pensionin e posaçëm!

Sipas këtij vendimi, vlera e pensionit të posaçëm do të jetë sa dhjetëfishi i pensionit social apo afro sa pensionet minimale të 6- 8 pensionistëve të thjeshtë! Deri para këtij vendimi, vlera e pensionit të posaçëm ishte jo më shumë se katërfishi i pensionit social, pra rreth 30 mijë lekë, ndërsa me vendimin e mesqershorit 2023 shkoi në rreth 80 mijë lekë të reja! Merret me mend se rritja kaq e lartë e pensionit të posaçëm për 185 “personalitetet më të spikatura në vend” është paramenduar, ideuar, konkretizuar për të favorizuar jo aq nga vlerat dhe meritokracia sa më shumë ato personalitete që e meritojnë 100%, por më së tepërmi ata apo ato që kanë fatin të kenë pasur e të kenë lidhje familjare, miqësore, shoqërore, shkollore, universitare, sportive, partiake… me familje të byroistëve komunistë apo me Kryeministrin Edi Rama, që firmos e vulos për përfituesit e pensioneve të posaçme afro 1-milionëshe në lekë të vjetra! Të tjerët, që nuk kanë fatin të kenë një fije njohje e lidhje me kryeministrin, për më tepër, si puna ime, që e kanë kritikuar prej vitesh e vazhdojnë ta kritikojnë me fakte e shifra zyrtare, dhuruar nga burime ndërkombëtare apo edhe nga INSTAT-i qeveritar shqiptar, duhet të presin më kot, me vite apo gjithë jetën…!

Për të lakuriqësuar pa sinqeritetin e saj, ndërsa justifikohet se ndjehet ngushtë apo në pamundësi për rritje të madhe të pensioneve të ulët e të mesëm, Rama-qeveria është e pasur dhe bujare për “ushtrinë” e administratës dhe të disa institucioneve, me peshë të madhe individuale e familjare në betejat elektorale, pra edhe për atë të ardhshme, me shumë gjasa në qershor 2024. Sipas një vendimi të ri të Këshillit të Ministrave, punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 korriku 2024. Nëse paga mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror për tremujorin e fundit të vitit 2023 ishte në 87,864 lekë, pas kësaj rritjeje, paga mesatare në shtet të arrijë në 900 euro në muaj. Përfitues nga kjo rritje “bujare” në sektorin e shëndetësisë do të jenë mjekët e përgjithshëm, infermierët dhe punonjësit e tjerë shëndetësorë, mes të cilëve, ka jo pak nga ata që fitojnë në rrugë e mënyra korruptive disafish më shumë se paga zyrtare mujore. Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor përfitojnë rritje nga 26-34% të pagës bruto! Për afro 36 mijë punonjës të Sistemit Arsimor Parauniversitar parashikohet rritje e pagës me 23-36% të pagës bruto.

Shtesë në pagë parashikohet edhe për forcat e rendit, të mbrojtjes, si edhe punonjësit e niveleve zbatuese në administratën qendrore e bashkiake. Merret me mend se nuk do të harrohet kurrsesi edhe “armata” e patronazhistëve…, nga e cila pritet më shumë për të rrëmbyer apo garantuar “fitoren e katërt historike” të Rama-rilindjes!? Nga bollëku i shifrave, fakteve, argumenteve… nënkuptohet lehtë se edhe rritjet e pagave e të pensioneve nga Rama-qeveria, më tepër se në dobi të rritjes së nivelit të ardhurave mujore e të mirëqenies së shumicës së popullit, janë në funksion apo në kuadër të fushatave zgjedhore e të “fitoreve” si të qëmotit, me vota blerje e vjedhje edhe në mes të ditës e nën hundën e komisionerëve lokalë e të KQZ-së së Celibashit si dhe të vëzhguesve ndërkombëtarë. Natyrisht, edhe pa harruar për të përrallisur në tribuna dhe media shqiptare ndërkombëtare për “zgjedhje të lira e të ndershme” e për “fitore të pastra e të merituara”! Këto ditë në rrjetet sociale u vu re një “bum” njoftimesh, shumica me emra dhe emërtime në anglisht e pa të dhëna identifikuese! Ja disa prej tyre: ATUEI, Amzas, Aump Shop, Course Training…

Këta njoftonin për një “rritje marramendëse apo çmendëse” me kuadrate sipas viteve të lindjes për rritjen e pensioneve në Shqipëri nga 1 gushti 2024, me indeksin 13.5% dhe me efektet financiare, vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim. Pra, për ushtrinë rreth 700 mijë pensionistësh të para datës 1 korrik 2024, mbetet shprehja popullore: “prit gomar, të mbijë bar!”. Kuptohet se “reklamuesit e huaj” janë nga “armata” e patronazhistëve, në shërbim të vazhdueshëm propagandistik, informativ, elektoral të qeverisjes qendrore dhe atyre lokale dhe jo nga kontingjentet e turistëve nga vende anglishtfolëse! Këto njoftime, me synim edhe zbutjen e pakënaqësisë së shumicës së pensionistëve ndaj lënies së tyre për mbi 10 vjet me pensione tepër të ulëta, janë si fishekzjarrë për një gëzim, që nuk do të përjetohet si i tillë, por më tepër si mashtrim e zhgënjim i ri apo i një radhe 80-vjeçare.

Një rritje në 13.5% apo edhe 27% për një pension rreth 10.000 lekë është rreth 1.200-1.300 lekë ose rreth 2.600 lekë! Ndërsa një rritje për pensionin rreth 20.000 lekë është rreth 2.700-5.400 lekë, duke shkuar në 22.700 -25.400lekë! A shtyhet një muaj me jetesë normale dhe a mund të mendohet për 1 javë pushime në një plazh të lirë me këto pensione dhe me këto çmime në të gjitha tregjet, përfshirë së pari ato për ushqimet, shëndetin (ilaçe, vizita, analiza jo nga mjeku dhe në klinikat e lagjes), për drita, ujë, internet, televizor, celular…?

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co