Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Ukraina po zhvillon inkursione me qëllim destabilizimin e territoreve kufitare. Ai deklaroi se rajoni i radhës që mund të shënjestrohet nga ushtria e Kievit është Bryanks, teksa luftime po zhvillohen edhe në Kursk e Belgorod. Ushtria ukrainase ka hyrë 30 km në brendësi të territorit rus.
“Qetësia relative në rajonin e Bryanks nuk garanton se kjo situatë do të zgjasë dhe për këtë arsye ne duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm”, ka deklaruar Putin, raporton agjencia ruse e lajmeve, Ria Novosti.
Duke pranuar vështirësitë e ushtrisë ruse në front, ai ka paralajmëruar se Ukraina do të marrë një përgjigje të denjë për ofensivën e saj.
“Ukraina do të marrë një përgjigje të denjë për sulmin ndaj territorit rus dhe Moska do t’i arrijë të gjitha objektivat e saj”, tha Putin.
Ai ka shtuar ndër të tjera se “ofensiva ukrainase në rajonin e Kurskut tregon pse regjimi i Kievit refuzoi ofertat e paqes nga Moska dhe ndërmjetësuesit”. Për Putin, sulmi Ukrainas ndaj Rusisë është ndihmuar nga Perëndimi.
“Ukraina sulmoi territorin rus me ndihmën e Perëndimit me synimin për të përmirësuar pozicionin e saj për negociatat e ardhshme”, vijoi shefi i Kremlinit.
Nisur nga situata e jashtëzakonshme në jug të Rusisë nën sulmin e ushtrisë së Ukrainës, Vladimir Putin ka thirrur një takim urgjent në Kremlin për të diskutuar atë që po ndodh në Kursk dhe rajonet e tjera ruse të rrezikuara, në ditën e shtatë të inkursionit nga forcat e Kievit.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co