Bota

Transporti i mbetjeve toksike në Tajlandë, analiza e Eduard Halimit: Shkelje të rënda të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare (të paktën 5) dhe një Qark i Errët

transporti i mbetjeve toksike ne tajlande analiza e eduard halimit shkelje te renda te ligjeve kombetare dhe nderkombetare te pakten 5 dhe nje qark i erret





































Eduard Halimi-vetinguDy anije të ngarkuara me mbetje toksike të rrezikshme  nisur nga porti i Durrësit për në Tajlandë, janë një zhvillim shqetësues që ka ngritur pikëpyetje të mëdha për shkeljet e mundshme të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas një raporti të fundit nga Bloomberg, kjo lëvizje mund të përbëjë një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjeve ndërkombëtare, ligjeve kombëtare për mbrojtjen e mjedisit, dhe rregullave të transportit dhe sigurisë. Anijet, pronë e një kompanie gjigande tregtare me të paktën 100-140 kontejnerë, janë ende në det. Njëra prej tyre ka fikur sinjalin. Lajmi i fundit tregon se Tajlanda i ka identifikuar dhe ka urdhëruar kthimin në vendin e origjinës. Pronaret e anijeve dihen, pronarët e kontejnerëve ende jo, por sigurisht që nuk janë ngarkuar nga ajri. Janë ngarkuar në kalatën lindore të portit të Durrësit, fillimisht rifug dhe pastaj në kontejnerë. Ata që e kanë sjellë rifugun afër Durrësit duhet të kenë emra, ashtu si ata që e kanë mbushur në kontejnerë dhe e kanë ngarkuar në anije.

  • Shkeljet e Ligjeve Ndërkombëtare: Konventa e Bazelit në Fokus

Shqipëria, si vend nënshkrues i Konventës së Bazelit, ka detyrime të qarta për të mos lejuar eksportin e mbetjeve të rrezikshme në vende që nuk janë të pajisura për t’i trajtuar ato në mënyrë të sigurt. Nëse mbetjet që po transportohen drejt Tajlandës klasifikohen si të rrezikshme, kjo përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të kësaj konvente. Tajlanda ka vendosur t’i kthejë ato në vendin e origjinës, pra në Shqipëri, dhe kriza do të vijë sërish këtu, duke përbërë një kërcënim serioz për mjedisin dhe njerëzit.

Sipas nenit 6 të Konventës së Bazelit, të ratifikuar me ligjin nr. 8216, datë 13.5.1997, Shqipëria ka pasur detyrimin të njoftojë dhe t’i kërkojë prodhuesit ose eksportuesit që të njoftonte me shkrim, përmes Drejtorisë së Ekonomisë Qarkulluese pranë ministrisë përkatëse, autoritetin kompetent të shteteve të interesuara rreth çdo lëvizjeje të propozuar ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera. Vetëm pas njoftimit të shtetit të importit dhe shtetit të tranzitit, dhe marrjes së pëlqimit nga këto shtete, mund të vijohej me transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe autoritetet shqiptare portuale të vijonin me procesin.

Në përputhje me Konventën, Shqipëria (autoritetet shtetërore) nuk duhej të kishte lejuar prodhuesin ose eksportuesin të fillonte lëvizjen ndërkufitare derisa të kishte marrë konfirmimin me shkrim që njoftuesi ka marrë pëlqimin me shkrim të shtetit të importit, si dhe që njoftuesi ka marrë prej shtetit të importit konfirmim mbi ekzistencën e një kontrate midis eksportuesit dhe asgjësuesit, duke specifikuar trajtimin e plotë nga ana mjedisore të mbetjeve në fjalë.

Sipas nenit 9 të Konventës, në kushtet kur mungon njoftimi i shtetit të tranzitit dhe shtetit të importit, si dhe mungon miratimi i tyre i shkruar, ndodhemi përballë trafikut ilegal të mbetjeve. Dhe meqë përgjegjësia është e shtetit shqiptar, shteti ynë duhet të japë garanci që mbetjet në fjalë janë marrë mbrapsht prej eksportuesit ose prodhuesit, ose nëse është e nevojshme prej atij vetë në Shqipëri, përndryshe, mbetjet e rrezikshme duhet të asgjësohen në përputhje me klauzolat e Konventës. Deri tani ende nuk dihen përgjegjësitë e plota, por dyshimi i fortë për trafik ilegal sipas nenit 9 është ekzistencial.

  • Ligjet Kombëtare: Një Përballje me Krimet e Mjedisit dhe Shëndetit Publik

Nëse mbetjet përmbajnë substanca të dëmshme, ashtu siç raportohet gjerësisht, eksporti i tyre mund të përbëjë një shkelje të rëndë të ligjit shqiptar për mbrojtjen e mjedisit. Ky ligj kërkon që çdo lëvizje e mbetjeve toksike të bëhet vetëm pas një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe me miratimin e agjencive përkatëse. Për më tepër, nëse dokumentacioni që shoqëron këto mbetje është manipuluar, kjo mund të përbëjë një akt të rëndë falsifikimi dhe mashtrimi. Nëse është e vërtetë se Tajlanda vendosi t’i kthejë mbrapsht në vendin e origjinës, pra në Shqipëri, një krim edhe më i madh kërcënon mjedisin dhe shëndetin publik këtu. Dhe këtu bëhet fjalë për shëndetin publik; bëhet fjalë për të gjithë fëmijët e të gjithëve. Në përballje me këtë katastrofë ekologjike që po vjen, nuk duhet të heshtet, as nga mediat pro-qeveritare dhe as nga ato kundër, pasi bëhet fjalë për jetën e fëmijëve tanë dhe shëndetin publik.

  • Krimet Ekonomike dhe Korrupsioni: Një Qark i Errët

Një tjetër aspekt i errët i kësaj çështjeje mund të jetë përfshirja e krimeve ekonomike, si pastrimi i parave, ku mbetjet toksike përdoren për të fshehur origjinën e fondeve të paligjshme. Për më tepër, veçanërisht në kushtet kur shteti shqiptar, sipas Bloomberg, nuk ka dijeni për këtë ngarkesë të rrezikshme, ngre edhe më shumë shqetësime në drejtim të mundësisë së përfshirjes së grupeve kriminale në këtë skemë. Ende mbahet sekret pronari i 100-140 kontejnerëve, vlera e deklaruar kur u ngarkuan, kush dha lejen, kush firmosi, kush sigloi, kush bëri deklaratën doganore, kush i ngarkoi, kush fiku sinjalin dhe ku ndodhen tani. Këto aspekte krijojnë një qark të errët. Trafiku ilegal i mbetjeve, siç tregon neni 9 i Konventës, është një krim i rëndë.

  • Rreziku për të Drejtat e Njeriut dhe Sigurinë Publike

Transporti i mbetjeve toksike nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një kërcënim serioz për shëndetin dhe sigurinë publike. Punonjësit që janë të përfshirë në ngarkimin, transportin dhe shkarkimin e këtyre mbetjeve janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të mëdha shëndetësore. Ata që kanë ngarkuar në kamione, kanë kaluar nga rifugu në konteinerë e kështu me radhë. Një tjetër çështje e rëndësishme është se si mbetjet do të trajtohen pas mbërritjes në Shqipëri. Nëse mbetjet nuk trajtohen siç duhet, rreziku për komunitetet lokale, apo nëse kthehen këtu, pasojat për komunitetet do të jenë katastrofike.

  • Përgjegjësitë Penale dhe Paditë Civile: Përgjegjësia e Kompanive dhe Shtetit

Këto shkelje ligjore dhe etike mund të çojnë në ndjekje penale serioze, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Organizatat ndërkombëtare, si dhe vendet e tjera të prekura nga këto veprime, mund të kërkojnë ndjekje penale për përgjegjësit e këtyre veprimeve.

Në nivelin ndërkombëtar, në përputhje me Konventën e Bazelit, lëvizja ndërkufitare e mbetjeve të rrezikshme ose mbetjeve të tjera pa njoftimin e shteteve të interesuara, si dhe pa miratimin e tyre, është e ndaluar dhe konsiderohet si trafik ilegal i mbetjeve.

Në nivelin kombëtar, përgjegjësit do të përfshinin padyshim autoritetin portual, i cili ka përgjegjësi për kontrollin, monitorimin, sigurinë dhe shëndetin në punë, njoftimin dhe koordinimin. Autoritetet doganore, po ashtu, lidhur me inspektimin, verifikimin, sigurimin e dokumentacionit, ndjekjen e protokolleve dhe padyshim edhe niveli ministror, që nga lëshimi i lejeve, monitorimi dhe zbatimi i tyre, vlerësimin e ndikimit në mjedis etj. Të gjithë, ose secili sipas rolit të tij, duhet të përfshihen si të dyshuar në të paktën disa vepra si ato të parashikuar në nenin 201/b dhe 282/a të Kodit Penal. Dënimet për vepra të tilla janë të ashpra, nëse provohen se janë kryer.

Po ashtu, zyrtarët shtetërorë të ngarkuar me përgjegjësi sipas Konventës së Bazelit dhe legjislacionit mjedisor shqiptar mund të jenë të dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Krahas ndjekjes penale që duhet të ushtrohet nga ana e organit të akuzës, komunitetet e prekura nga ndotja e mundshme mjedisore mund të ngrejnë padi civile kundër kompanive dhe qeverisë për dëmet e shkaktuara.

Përfundim

Transportimi i mbetjeve toksike nga Durrësi në Tajlandë përbën një çështje serioze që ngre shqetësime të mëdha mbi shkeljet e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Dështimi i sistemit të monitorimit ka sjellë shkelje serioze ligjore dhe rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik. Është thelbësore që hetimet të kryhen gjithëpërfshirëse, të plota, të shpejta dhe efikase për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje dhe kush është përgjegjës për to.

Eduard Halimi

Ekspert i se drejtes nderkombetare private

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts