Bota

Vazhdon momenti për demokratët

vazhdon momenti per demokratet





































NGA AGRON LOCI AGRON LOCI

Beteja për në Shtëpinë e Bardhë nuk ka qenë ndonjëherë kaq e paparashikueshme sa në zgjedhjet e këtij viti. Kush e kish menduar deri më 21 korrik, ditën kur Presidenti Biden do të tërhiqej nga gara, se përplasja mes dy prej kandidatëve më të vjetër për Presidentë në historinë e SHBA, nga një sfidë njëlineare, me avantazh të dukshëm në favor të sfidantit republikan, gati-gati e paravendosur, do të kthehej papritur pas hyrjes në garë të zv.presidentes Harris, në favor të palës që dukej e humbur, e çorientuar, e përçarë dhe pothuajse e dorëzuar përpara kohe. Me një avantazh në nivel kombëtar që kish shkuar deri në 6% për republikanët, sondazhet e ditëve të fundit tregojnë se raporti ka ndryshuar dhe se kandidatja demokrate brenda tri javëve jo vetëm ia ka arritur ta rikuperojë diferencën, por madje të jetë në avantazh deri në 2%.

Dhe merita i shkon padyshim zonjës Harris, që mund të konsiderohet si bast i fituar i një investimi personal të presidentit aktual. E afruar si një politikane me background juridik, përfaqësuese e komunitetit me ngjyrë, me eksperiencë në çështjet penale, por edhe në politikë si senatore, ajo u thirr nga Presidenti Biden me qëllimin për të garantuar sa më shumë mbështetje nga elektorati femëror si dhe ai me ngjyrë. Megjithëse në një pozicion të rëndësishëm në administratë, për gati tri vite e gjysmë ajo nuk arriti të shfaqej në nivelet ku kërkohej, madje deri më 21 korrik nuk preferohej nga shumica e anëtarësisë demokrate. Por, do të arrinte të fitonte menjëherë mbështetjen e tyre qysh pas daljes së parë nën petkun e të besuarës së presidentit për të qenë ajo kandidatja demokrate, mbështetje që ka ardhur duke u rritur çdo ditë, ndërkohë që në fillim të javës tjetër në Konventën Kombëtare të Çikagos pritet të marrë edhe zyrtarisht miratimin e tyre si e nominuara për president.

PO KU MBËSHTETET SUKSESI I SAJ?

Ajo ka arritur të paktën deri tani të vërë në praktikë një strategji të studiuar mirë, e cila po rezulton e suksesshme. Në të gjitha tubimet e ditëve të fundit, të cilat për nga përmbajtja dhe mesazhet janë identike, ajo është fokusuar në disa çështje që duket se kanë ngjitur dhe rezonojnë me interesat e një numri gjithnjë e më të madh të votuesve amerikanë.

Së pari, suksesi i saj i dedikohet në një masë të konsiderueshme pjesës që ajo i kushton ballafaqimit të dy alternativave qeverisëse asaj demokrate që sipas saj është e orientuar nga e ardhmja dhe e republikanes që fokusohet drejt së shkuarës. Këtë mesazh ajo ka arritur ta përçojë me sukses madje ai është kthyer tashmë në lejtmotivin e tubimeve demokrate teksa thirret në kor:”We are not going back”. Nëse alternativa e parë kërkon ruajtjen e vlerave dhe parimeve bazë mbi të cilat janë ndërtuar dhe funksionojnë SHBA, siç janë liria, barazia, mundësia për të gjithë, shpresa, demokracia, harmonia sociale, paqja, rëndësia e multikulturalitetit, respekti ndaj tjetrit, alternativa republikane sipas Harris nxit përçarjen, kaosin, konfliktet sociale, të cilat rrezikojnë të ardhmen e SHBA.

Së dyti, ajo e ka vënë theksin te mbështetja që premton në rast zgjedhje presidente për “shtresën e mesme”, të cilën e konsideron si shtyllën kryesore dhe motorin e ekonomisë amerikane. Angazhimin dhe premtimin për mbështetjen e kësaj shtrese me incentiva fiskale ajo e lidh edhe me faktin se si ajo ashtu dhe zëvendësi i saj guvernatori Walz të dy vijnë nga kjo shtresë.

Së treti, ajo e ka kthyer në një armë të fuqishme të fushatës sulmin që i bën Projektit 2025 duke ngritur alarmin se në rast rizgjedhje të Trump, ai projekt do të jetë harta e rrugës së qeverisjes republikane, pavarësisht se kohët e fundit ish presidenti është distancuar prej tij. Dhe goditja është në disa pika kryesore të këtij projekti që kanë të bëjnë me politikat fiskale të cilat parashikojnë që në rast fitore Trump t’ia kalojë barrën fiskale shtresës së ulët dhe të mesme duke favorizuar super të pasurit dhe miliarderët, tek goditja e institucioneve bazë dhe parimit të check and balance përmes dhënies së kompetencave të pakufizuara presidentit, tek politikat që kanë të bëjnë me përkujdesin shëndetësor etj..

Së katërti, Harris ka gjetur një rezonancë të jashtëzakonshme në elektoratin femëror për mënyrën sesi ajo sugjeron t’u japë zgjidhje çështjeve që kanë të bëjnë me politikat e riprodhimit familjar dhe abortit si dhe mbi të drejtat dhe liritë e grave.

Së pesti, në çdo tubim ajo e sulmon ashpër ish-Presidentin duke i kujtuar atij të kaluarën e largët dhe të afërt mbushur me akuza për vepra të ndryshme penale, të ngjashme me ato të individëve me rekorde kriminale që ajo kish dënuar gjatë kohës kur ishte prokurore.

Së gjashti, duke qenë një garë shumë e ngushtë fushata demokrate është fokusuar në radhë të parë tek të ashtuquajturat “shtete të pavendosura”. Dhe duket se performanca dhe impakti i javës së fundit në këto shtete ka qenë jashtëzakonisht pozitiv për demokratët. Por, ajo që bie në sy gjatë tri javëve të fundit është se edhe vetë Trump përmes qëndrimeve dhe deklaratave të tij ka ndikuar jo pak në rritjen e mbështetjes për Harris. Përmes pozicionimeve të tij publike me qasje raciste, mizogjene, denigruese, fyese, ndaj Harris, por jo vetëm, ai tërthorazi i ka dhënë asaj mbështetje duke larguar ose aktivizuar një pjesë të mirë të elektoratit me ngjyrë, votueseve femra, latinëve, etj. Madje edhe “Fox News”, që njihet për afërsinë e tij me republikanët dhe Trump ka dalë hapur kundër fjalorit, etiketimeve fyese dhe denigruese ndaj sfidantes, pasi po i kthehen në ‘boomerang’. Sikur të mos mjaftonte kjo, Trump ka hapur edhe një front të ri përplasjesh brenda partisë. Pak ditë më parë në vazhdën e qëndrimeve të tij refraktare ai sulmoi ashpër guvernatorin e shtetit të Georgias një ndër republikanët e spikatur dhe me peshë në elektorat, për më tepër drejtuesin e një shteti që pritet të ketë një rol vendimtar në rezultatin e garës.

Qëndrimet e tij nuk janë pritur mirë gjithashtu edhe nga drejtues të rëndësishëm republikanë të një shteti tjetër delikat siç është ai i Arizonës. Duke e akuzuar se ai po vë interesin e tij personal dhe atë të partisë mbi atë të vendit ata janë deklaruar hapur se do të mbështesin kandidaten demokrate. Ndërkohë që avantazhi dhe mbështetja për Harris vazhdon të rritet teksa brenda javës së fundit ja doli mbanë të kalonte me sukses dy sfida të rëndësishme. Pas marrjes së mbështetjes virtuale nga anëtarësia demokrate hapi i parë i rëndësishëm për të ishte ai i përzgjedhjes së zëvendësit të saj. Vendimi për të zgjedhur guvernatorin e shtetit të Minesotës Tim Walz përpos habisë së fillimit, u shoqërua edhe me opinione skeptike madje disa e konsideruan si hap të gabuar. Pasi pritej që në atë post të shkonte guvernatori i Pensilvanisë Josh Shapiro, një politikan i ri me ambicie për më tepër drejtuesi i një shteti shumë të rëndësishëm ose senatori i Arizonës, Mark Kelly. Përkundër tyre ajo zgjodhi Walz, një ish-ushtarak, mësues, kongresmen dhe trajner. Dhe duket se ky vendim ka qenë i drejtë, pasi dyshja kanë krijuar kimi dhe funksionon mjaft mirë.

Sfida e dytë e fituar nga Harris gjatë javës së fundit ishte fushata e jashtëzakonshme në pesë shtete të konsideruara të pavendosura Pensilvani, Viskonsin, Miçigan, Arizona dhe Nevada. Nëse deri para tri javësh ato ishin shtete që mbështesnin Trump, sot të paktën tre të parët siç raporton NYT e shohin Harris me një avantazh prej 4 pikësh. Në fund të garës do të mjaftonin fitoret në këto tri shtete që Harris të shpallej presidentja e 47 e SHBA. Interesant është një tjetër element shumë domethënës që është vënë re gjatë këtyre ditëve të fushatës së Harris pikërisht ai që lidhet me gëzimin si element i rëndësishëm psikologjik në politikë. Jo më kot në çdo tubim ajo deklaron se ne jemi “luftëtarë të gëzuar”, ndërkohë që tubimet e saj ndryshe nga ato tradicionalet po kthehen në festa gjë që e vërtetojnë edhe kërkesat e shumta për të qenë të pranishëm si dhe numri shumë i lartë i pjesëmarrësve. Megjithatë, përpos momentit pozitiv që po kalojnë demokratët, rruga për te Zyra Ovale është ende e gjatë. Debati i planifikuar i datës 10 shtator mes dy kandidatëve, por edhe argumentet e zgjidhjet që do të ofrohen për çështje që lidhen me ekonominë, emigracionin, politikën e jashtme do të jenë me peshë në vendimin e amerikanëve për të zgjedhur presidentin e tyre të ri në nëntor.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts