Imzot Zef Oroshi mes atdheut dhe SHBA-së, historia përtej misionit! Takimi me Nolin e pritja e Nënë Terezës në Amerikë! Ndërroi jetë në ’89-ën, pa mundur ta shihte Shqipërinë demokratike

imzot zef oroshi mes atdheut dhe shba se historia pertej misionit takimi me nolin e pritja e nene terezes ne amerike nderroi jete ne 89 en pa mundur ta shihte shqiperine demokratike





































NDUE DEDAJ/ Imzot Zef Oroshi (1912 – 1989) është një figurë e rëndësishme e botës shqiptare të shekullit XX, që pati fatin të ishte nxënës i Dom Ndre Mjedës në Shkodër dhe të shkruante kujtimet për mësuesin e tij, të njihej më 1939, kur ishte student për teologji në Romë, me At Gjergj Fishtën dhe të merrte me dedikim librat e këtij të fundit, të bashkëpunonte me Ernest Koliqin në revistën “Shejzat”, të takonte më 1962 imzot Fan Nolin, të pritej në Vatikan nga Papa Pali VI më 1970, të priste në Amerikë Nënë Terezën më 1973, të ishte në miqësi të ngushtë me Arshi Pipën, të përgatiste për pasardhës Imzot Rrok Mirditën etj. Nuk ishte ipeshkëv, por kishte titullin monsinjor, që jepej për merita të veçanta famullitare e kishtare. Ndërron jetë në vitin 1989, pa mundur ta shihte Shqipërinë demokratike, që kishte qenë ëndrra e ideali i tij i jetës.

zef oroshi

Është folur e shkruar shumë për Monsinjor Dr. Zef Oroshin këto tridhjetë vitet e fundit edhe në Shqipëri. Janë botuar disa libra kushtuar figurës së tij nga studiuesit shqiptarë në Amerikë etj. Me rëndësi ka qenë sidomos botimi i shkrimeve të tij nën titullin “Log Kuvendit në trinomin Fe – Atdhe – Përparim”, përzgjedhur dhe përgatitur për botim nga Tom Mrija (“Botimet Volaj”, Shkodër, 2019), njëherësh autor i një monografie të zgjeruar kushtuar Imzot Oroshit. Teksa vepra themelore e tij, e vlerësuar dhe nga albanologu i njohur At Zef Valentini, ka qenë “Katër Ungjijt dhe Punët e Apostujve”, të cilin ia dhuron Papa Palit VI. Po ashtu me interes është dhe publikimi i dosjes së Dom Zef Oroshit, ku tregohet ndjekja sistematike që i bënte veprimtarisë së tij antikomuniste Sigurimi i Shtetit, teksa ishte në mërgim, ku krijoi e udhëhoqi më përkushtim kishën katolike të shqiptarëve në Nju Jork “Zoja e Shkodrës”.

Në fillimet e tranzicionit, si sprovë e parë për ta bërë sadopak të njohur këndej Atlantikut figurën e At Zefit, qe botuar një monografi e autorit Zef Përgega, me parathënien tonë modeste. Rreth misionit të tij kanë shkruar në vite autorë si Frank Shkreli, Dom Pjetër Popaj, Dom Anton Kçira, Markus Peters, Klajd Kapinova, Leonora Laçi, Pjetër Marku etj. Busti i Imzot Oroshit në Lezhë, vendosur vitet e fundit, është shprehje e nderimit bashkiak dhe komunitar ndaj tij. Personalisht vlerësoj shumë përkujdesjen e nipit të tij, Prend Gjoka, për mbajtjen gjallë të kujtesës së këtij prelati të ndritur përmes kontakteve me studiuesit, gjurmimit të dëshmive gojore, promovimit dhe shpërndarjes së librave kushtuar Imzotit, ndihmesës për bërjen e dokumentarëve etj. Një burrë i fisëm, i kulturuar, plot urtësi, si vetë paraardhësit e derës së tij të mirënjohur.

Prej vitesh më rri si një “urdhër” porosia e Imzot Rrok Mirditës për ndriçimin e kësaj figure kishtare, që ai vetë e kishte pasur si atin e tij shpirtëror. Pas predikimit që do të bënte në kishën e “Dom Lleshit” në Lezhë për Heroin Kombëtar, aty nga viti 2003, Dom Rroku më pati thënë: “Kam shumë materiale rreth Dom Zef Oroshit dhe nëse do të shkruash, t’i jap me kënaqësi”; ashtu siç rreth kësaj figure interesante na ka folur sa herë dhe Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta.

Ky tekst është ripunim e pasurim i një shkrimi tonë të tetorit 2015, ku ikja e bujshme e Imzot Oroshit jepet sipas dëshmive të familjarëve, pasi të vërtetën e asaj ikje askush nuk e dinte më mirë se vetë protagonisti dhe njerëzit e tij të afërm.

PRIFTI QË E SHPËTOI POPULLI I UNGREJT NGA ARRESTIMI MBAS MESHËS

Jeta e Dom Zef Oroshit (Çokut), prift i Abacisë së Mirditës, është një histori qëndrese, ngaqë ai mundi me i shpëtue me trimëri ndëshkimit komunist. Ai vetë nuk do ta dëshironte asesi një histori përtej misionit, por kjo ishte natyra e regjimeve totalitare, që çdo individ të njohur dhe çdo fushë të jetës, qoftë ajo edhe e besimit, ta trajtonin politikisht deri në skajshmëri. Dhjetëvjeçari i parë pas Luftës së Dytë Botërore duhet të ketë qenë ndër më të vështirët e shqiptarëve. Lufta që shporri pushtuesit, kishte vendosur regjimin komunist ateist, për të cilin nuk kishte asgjë të pranueshme nga kleri dhe feja. Kështu dhe Dom Zef Oroshin, oroshas i lindur në fshatin e vogël Kaftallë (Mirditë), diplomuar në Romë në vitin 1940 për teologji e filozofi dhe shuguruar meshtar nuk mund ta priste një fat më i mirë se paraardhësit e tij, që ose ishin ekzekutuar si “armiq të Partisë”, ose ishin futur në burg e ata që kishin mbetur i priste ndëshkimi i radhës. Ishte thjesht çështje kohe se kur do të binte dhe mbi të “Shpata e Demokleut”.

Dhe dita vjen edhe për meshtarin e Dekanatit të Dibrrit, një ditë e trishtë dimrake e janarit të vitit 1952. Sigurimi i Shtetit do të arrestonte Dom Zef Oroshin, famullitar i Ungrejt, lokaliteti i Kashnjetit, pasardhës i Dom Ndue Cubit, Dom Prend Ungrejt, Dom Ndre Simonit, Dom Pjetër Melgushit, Dom Nikollë Laskës, Dom Prend Brungës, Dom Prend Qafalisë, Dom Nikollë Lulit etj. Në vitet ’20-të të shekullit XX, Ungrej kishte qenë për disa kohë qendër e Nënprefekturës së Mirditës. Bënte ftohtë dhe pylli sipër kishës mërdhihte bashkë me njerëzit. Meshtari po çonte meshën e së dielës në kishën “Shën Maria Magdalenë”, ku kishte dhe pagëzime fëmijësh. Një heshtje ishte nderur si re e përhimtë mbi Malin e Velës, deri poshtë në Fushën e Mirë, Qafën e Pazarit dhe kodrën e Butmit, ku qëndronte stoike Kisha. Mali i Kreshtës e ndante si një perde e gurtë atë malësi mirditore me fushën e Zadrimës dhe Lezhën. Sigurimi ishte syri dhe veshi i regjimit dhe ai kishte informatorët e vet të zellshëm, që nuk ngurronin të raportonin për çdo lëvizje të arratisurish, “bandave të reaksionit” siç quheshin në zhargonin zyrtar. Por kishte besnikët e vet dhe prifti, që nuk tuteshin të rrezikonin për besimin, shpesh duke e sfiduar shtetin represiv.

Njerëzit e donin fenë dhe meshtarin e tyre, që kishte fituar aty nderim dhe autoritet. Dikush prej tyre arrin ta sinjalizojë Dom Zefin brenda në meshë, për rrezikun që e priste pas dere, kryqëzimin e tij si të Krishtit në kryq. Dukej sikur gjithçka po shkonte sipas skenarit policesk. Me të dëgjuar fjalët e famullitarit: “Mesha mbaroi, shkoni në paqe”, njerëzit e Degës së Punëve të Brendshme të Lezhës do të dilnin përpara publikut dhe do t’i hidhnin prangat “armikut të popullit” Dom Zef Oroshit. “Na mirëkuptoni, o njerëz, nuk kemi asgjë me Kishën, por ky prift ka bashkëpunuar me reaksionarët e malit dhe armiqtë tanë përtej kufijve”. Mbase nuk do të ndodhte fiks kështu, por pak me ndryshe, për të mos “dhunuar” objektin e kultit në sy të popullit, forcat e Sigurimit nuk do ta kryenin arrestimin brenda në Kishë, por do ta prangosnin priftin heretik sapo ai të dilte prej aty e të nisej për në qelë. Synimi ishte që njerëzit ta shihnin “spektaklin” dhe ngjarja të përcillej gojë me gojë: “Ej, kanë arrestue Dom Zef Çokun! Po, po, si armik të pushtetit popullor…”! Ishte llogaritur çdo gjë me imtësi. Në Tiranë pritej nga çasti në çast telegrami shifër, se në Kashnjet (Ungrej) puna u krye. Njeriut me rasë të zezë “iu pre kostumi”…

E MOTRA, LUKJA: “PAÇ ZOTIN ME VETI!”

I nipi i Dom Zefit, Prend Gjoka, që ka dëgjuar dëshmitarë të ngjarjes si Lukja, e përshkruan kështu rastin: “Në Ungrej e Kashnjet dhe fshatrat përreth njerëzit gëzonin respekt për meshtarin dhe është meritë e banorëve të Ungrejt që mundësuan arratisjen e Dom Zefit pa rënë në duart e Sigurimit, të cilët arritën ta informonin se Kisha ishte e rrethuar nga forcat e qeverisë. Urdhri i arrestimit kishte ardhur drejtpërdrejt nga Mehmet Shehu në Tiranë. Kisha e fshatit kishte një distancë prej 50 metrash me Qelën që ishte sipër saj. Sigurimi po priste që mesha të përfundonte dhe prifti të dilte i fundit, për çka vëzhgonin pandërprerë nga dera kryesore daljen e popullit. Plani ishte që Dom Zefin ta arrestonin në çastin e daljes së popullit nga Kisha dhe ai të mos mund të kundërpërgjigjej.

Nga fundi i meshës, Dom Zefi shfaqet se nuk ndjehet mirë dhe pa zhurmë lë meshën, del nga dera sekrete mbrapa Kishës dhe shkon tek Qela, ku e motra, Lukja, po gatuante drekën. Ajo dëgjon Dom Zefin që e thërret: “Luke, Luke, unë ika!” – koha nuk i premtoi që të përshëndetej më të. Lukja e kupton situatën, sheh Dom Zefin që kapërcen murin rrethues rreth 2 metra të lartë, për të humbur sakaq gjurmët në pyllin me gështenja. Në çast ajo është kujtuar për pardesynë e të vëllait dhe ia ka hedhur matanë murit duke i thënë: “Paç Zotin me vete”. Ndërkohë populli në Kishë po priste përfundimin e predikimit të priftit. Besimtarët panë që diçka nuk shkonte, prifti nuk po dilte tek elteri, ndaj qëndruan dhe pas orës 12: 00 që mesha të përfundonte. Në këtë kohë forcat e Sigurimit dyshuan pse populli nuk po dilte nga Kisha, kështu që ata vendosin të hyjnë brenda dhe mbetën të befasuar kur nuk kanë gjetur priftin aty. Populli e kuptoi që Sigurimi kishte ardhur për arrestimin e Dom Zefit dhe se ai ndërkohë ishte arratisur. Pasi njerëzit e Sigurimit i bënë një kontroll të shpejtë të Kishës, u nisën lart për tek Qela, pyesin Luken për priftin, ajo u përgjigjet se “Dom Zefi po jep meshë!…” – e mbyll rrëfimin e tij Prendi. (Shih: L. Laçi).

Përroi i Dibrrit vazhdonte si përherë të vërshonte teposhtë në vetminë e tij, kurse prifti i guximshëm do të ngjitej lart kreshtave të mpira nga dimri dhe “Lufta e ftohtë” që zhvillohej mes kapitalizmit dhe kampit socialist. Kurrë nuk kishte ndodhur që prifti ta linte meshën pa e mbyllur! Por kjo ishte një histori nga ato të rrallat, kur meshtari ishte veçse një hap larg martirizmit. Më mirë një meshë e pakryer deri në fund në Ungrej, se rreth dyzet vite meshë e munguar prej tij në tokën e lirë! Dom Zefi kishte ecur tërmales së Qafë – Kishës, ku do të bashkohej me nacionalistët, që endeshin maleve në arrati. Nuk kishte qenë dëshira dhe zgjedhja e tij kjo, ai kishte dashur të vazhdonte t’iu shërbente besimtarëve, por fatin ia kishin shkruar të tjerët, njerëzit me drapër e çekan dhe yllin e kuq në ballë dhe në jakat e xhaketave ushtarake të prerjes ruse. Fitimtarët kishin dëshiruar fort që rapsodët të këndonin në tel të dyzenit për fitoret e Partisë kundër “bandave të reaksionit” dhe “priftit tradhtar”, por as në këtë rast dhe asnjëherë tjetër rapsodët e mençur nuk ligjëruan kësisoj. Për Hrushovin, Titon e Xhonsonin po, çfarë nuk thanë nëpër këngët e tyre politikepatriotike, por jo për të arratisurit e vet dhe kjo është një vlerë e popullit, që nuk pranonte assesi që në sofrat e tij të shaheshin Krenët e vendit, ata që jashtë politikës, ai i kishte satirizuar pa dhimbtë. Shfaqet dhe këtu kodi i qëndresës morale shqiptare, pa të cilin nuk do të kishte as rezistencë, as disidencë politike.

Ajo që do të ndodhte më pas ishte persekutimi i familjes së Dom Zef Oroshit, që do të përfshinte të madh e të vogël, si burgosja e dy vëllezërve Prendit dhe Ndoit, dy nipave Zefit dhe Gjonit, torturat ndaj tyre, që do t’ua ligështonin jetën dhe shpejtonin vdekjen, internimi i motrës Luke (Luçie) dhe i krejt rrethit familjar të Dom Zefit në Gradishtë të Lushnjës. Ishte në strategjinë e shtetit diktatorial të mos i linte të ngrinin krye të afërmit e “armiqve të popullit”, por të trajtoheshin si skllevër të socializmit.

MISIONAR KISHE DHE SHQIPTARIE NË “TOKËN E LIRË” AMERIKANE

Dr. Dom Zef Oroshi kishte ndjekur rrugën e të gjithë të arratisurve të tjerë, në fillim nëpër malet e Mirditës, për tetë muaj, pastaj në Jugosllavi e prej andej në Itali dhe së fundi në Amerikë, më 1962. Bashkëpunëtor qysh në fillimet me revistën “Shejzat” të Ernest Koliqit e Martin Camajt, me “shkrime gjithfarësh”, ku sipas profesor Karl Gurakuqit “spikat gjuha e tij e pasun”, i cili në Amerikë do të ishte drejtor i revistës “Jeta Katolike Shqiptare” (1965). Oroshi shkruan me admirim për arbëreshët e Italisë: “…paçë fatin me u njoftë për të parën herë në gushtin e vitit 1956 me brendinë e jetës së këtyne fshateve arbreshe (të Kozencës). Nji vegim i historisë së kalueme u hap para meje: papritmas u gjeta në nji Shqipni tjetër, n’atë para pesë shekujsh. Kostumet kombëtare, mikpritja vllaznore, gjuha shqipe, vallet e kangët popullore të ruajtuna si sytë e ballit, të këndueme me mburrje shêjte… rapsoditë qi përkujtojshin lumninë e atdheut të humbun, malli ndaj Tij e heroizmat e Kastrijotit, ta thekshin e lënoshin zemrën…” (Log Kuvendi, f. 89.) Ndër shkrimet më me interes të Imzot Oroshit është ai me titull: “Si e njofta Fan Nolin”. Takimet e tij me Imzot Nolin, që udhëhiqte Kishën Ortodokse në Amerikë, kanë qenë në kuadrin e dialogut ekumenik (frymëzuar nga Koncili i Dytë i Vatikanit), mbi mundësinë e bashkimit të dy kishave simotra, për “nga ana sakramentale dhe institucionale”. Oroshi ka pasur korrespondencë të gjerë me personalitete kulturore, misionare dhe politike të diasporës shqiptare. Jeta e tij ishte ajo e një uragani të pandalshëm, në dobi të shqiptarëve. Dr. Jozef Oroshi, njeri i dijes, misionar, orator, poliglot, publicist, herëdokur mundet që do të kishte qenë bërë Abat i Mirditës në Orosh, por misioni apostolik e kishte hedhur diku tjetër, të ndërtonte kishën e shqiptarëve të Amerikës, ashtu siç kishte bërë paraardhësi i tij, Imzot Prend Doçi, që kishte krijuar kishën në Njufoundland të Kanadasë. Zef Oroshi, përbashkues i katolikëve atje, bëhet themeluesi i së parës i Kishë Katolike të shqiptarëve në Amerikë, “Zoja e Këshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”) në Nju Jork, që e udhëhoqi për njëzet vjet, nga viti 1969 deri në vitin 1989.

Disa herë e ngriti mërgatën në këmbë, duke denoncuar terrorin që ushtrohej mbi klerin katolik në Shqipëri, për çka shtypi i këtushëm e fshikullonte me emër Zef Oroshin. Për regjimin e Tiranës ai ishte një “lugat”, që i shfaqej vazhdimisht në ëndrra të këqija qeverisë. Kjo se Dom Zefi nuk linte rast pa e fshikulluar regjimin komunist, si më 1967 ku ai shkruante se në Shqipni, nën maskën e “revolucjonit kultural” (natyrisht të tipit kinez) janë tue u ba salvime (persekutime) të reja kundër fenavet, të përcjelluna me vandalizma”, duke u kërkuar popullit t’i bjeri moh fesë etj. (Log Kuvendi, f. 132.) Jepte meshë, shkruante, dialogonte, protestonte pa e hequr nga dora çibukun e duhanit prej dru shqope të vendlindjes, siç shihet në fotografi e deri në bustet kushtuar tij, ashtu si Petro Marko që, gjithashtu, nuk e hiqte cigaren nga dora.

NË PROTESTË PARA SELISË SË OKB-SË, PËR PERSEKUTIMIN E KLERIT NË SHQIPËRI

Ai që ia njeh historinë e jetës, nuk mund të mos pyesë se ku e gjente ai gjithë atë forcë e energji, që ta sfidonte regjimin komunist në mënyrën më të pashembullt, si në malet e Veriut, plot me “Forca të Ndjekjes”, si përmes protestave të shqiptarëve para selisë së OKB-së, në fillim të viteve ’70-të, kur aty kishte shkuar për të mbajtur fjalim kryeministri Mehmet Shehu. Vetëm te parimet morale të pandërruara dhe atdhedashuria. Te karakteri i fortë prej mirditasi tipik e të papërkulur, që nuk e pranonte pushtetin e dhunës. Te popullariteti i pazakontë që ai gëzonte ndër njerëzit e famullisë së tij dhe gjithë krahinës së Mirditës. Ata që e nxorën nga shtetrrethimi i asaj dite të pazakontë janari ’52 në Ungrej, dëshmuan se ishin besimtarë të devotshëm dhe se besimi te “perëndia” e re, Partia Komuniste, ishte shumë më i dobët se ai në Zot. Nuk mund të ndodhte që në Mirditë një prift të pritej në besë. Nuk e lejonte as Kanuni këtë gjë. Pas tij në Ungrej do të shërbente një tjetër meshtar i shquar, por me një fat krejt të ndryshëm nga ai, Dom Simon Jubani, i cili qëndresën e tij do ta bënte nga burgjet komuniste, ku u ndry për tridhjetë vjet, deri sa të vinte dita e lume e ai të çonte meshën e parë, kur po binte komunizmi, më 4 nëntor 1990, në Shkodër.

Historia e Monsinjor Oroshit trajtohet në mënyrë të posaçme në librin e Markus Peters “Përballjet e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri” (1919-1996), nga i cili marrim vesh se aty nga fundi i nëntorit të vitit 1952 nisën drejt Ungrejt dhe Kashnjetit dy priftërinj, që autori i quan “hetues” (Mark Dushi dhe Ndoc Sahatçia) me “mision delikat” për të zbuluar se ku fshihej Imzot Oroshi, por dhe për të propaganduar në popull dhe në kishë mes besimtarëve kundër arratisë së tij, ku gjatë predikimeve në meshë kërkohej prej tyre “dorëzimi i Dom Zef Oroshit”. Peters shkruan: “Besimtarët që shkonin në kishë, nuk mund të dinin se predikimi i asaj të diele ishte porositur nga ministri i Brendshëm Mehmet Shehu”. Prej dy priftërinjve, theksohej se “arratisja e Dom Zef Oroshit, kishte lënë një përshtypje shumë të keqe te qeveria dhe se ai tashmë, ishte përjashtuar nga gjiri i Klerit”. Por “misioni i nëntorit” ishte i pasuksesshëm, pasi D. Zef Oroshi, gjendej “plotësisht i lirë”. (Citimet nga libri i M. Peters, f.197).

Për mendimin tonë dy priftërinjtë e mësipërm kanë qenë të shtrënguar nga shteti ta bëjnë këtë gjë veprim dhe aspak me vullnetin e tyre, pasi ishin dhe ata të përndjekur politikë, mjafton të thuhet që Dom Mark Dushi u dënua me vdekje nga Gjykata e Qarkut Shkodër në prill 1968, duke u pushkatuar një muaj më vonë, kurse Dom Ndoc Sahatçia e çoi jetën nëpër burgje me dënim pas dënimi. Regjimi kishte zgjedhur këtë gjuhë për linçimin dhe denigrimin publik të priftërinjve katolikë, që po i rezistonin me shumë mundim diktaturës. Ai i përfoli ata në anën morale, ku me anën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe shefave të agjitpropit të Komiteteve të Partisë u sajoi paturpësisht “dorëshkrime” kinse kompromentuese, si bie fjala ndonjë “ditar”, ku ata paskëshin shënuar histori intime me gra të famullisë, por pa publikuar asnjë fletë faksimile të këtyre “dokumenteve”!

Kanë kaluar 70 vjet nga ikja e tij e prapë ndër të moshuarit për Dom Zefin flitet me admirim të madh. Presidenti i Republikës Bamir Topi do t’i jepte atij titullin e lartë: “Urdhri Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për rolin e tij “si klerik dhe intelektual i shquar atdhetar, që veprimtarinë e tij e vuri në shërbim të ruajtjes dhe forcimit të vlerave kombëtare, tek i gjithë emigracioni shqiptar në SHBA-së, pa dallim feje”. Ai, si të gjithë prelatët e mëdhenj, diti ta ndërtonte punën, si në një famulli mes malësorësh të thjeshtë, ashtu dhe në metropolin amerikan, ku popullata kishte të tjera problematika, social-kulturore. Imzot Rrok Mirdita më se një herë ka folur mbi rolin meshtarak e intelektual të Dr. Zef Oroshit, në punët e komunitetit shqiptar në Amerikë, deri në pajtimin e gjaqeve në familjet e tyre në Kosovë, Mal të Zi etj. Imzot Oroshi ka meritën se e ngriti në institucion, jo vetëm Kishën Shqiptare atje, por dhe dialogun kulturor e atdhetar ndër shqiptarët e Amerikës.

“MUNDJA” DY HERË E KRYEMINISTRIT PREJ NJERIUT ME VELADON

Në epilog do të donim të tërhiqnim vëmendjen e lexuesit në një fakt fort domethënës. Kryeministri shqiptar, njeriu i dytë më i pushtetshëm i regjimit e kishte humbur betejën në Ungrej me priftin Dom Zef Oroshi në dimrin e vitit 1952, atëherë si ministër i Brendshëm, teksa kundërshtari i tij do ta mundtë për së dyti, duke e pritur më 1973 në krye të protestës para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përballë Misionit të Shqipërisë aty, duke e demaskuar Tiranën komuniste për shkeljen e lirive dhe të drejtave të klerit, besimtarëve dhe shqiptarëve në tërësi. Të shkolluar të dy në Itali, prelati dhe Kryeministri, normalisht duhej të ishin në të njëjtin kah, atë të prosperitetit të shqiptarëve, por i dyti kishte për “fe” ideologjinë marksiste – leniniste, ndaj dhe do të ishte i humbur…

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →