Bota

VOA: Një raund i ri bisedimesh për armëpushimin në Gazë po mbahet në Katar, pa praninë e Hamasit

voa nje raund i ri bisedimesh per armepushimin ne gaze po mbahet ne katar pa pranine e hamasit





































Bisedimet e ndërmjetësuara për armëpushimin në Gazë po vazhdojnë sot për të dytën ditë në kryeqytetin e Katarit, Doha, mes paralajmërimeve të Hamasit se nuk do të marrë pjesë në negociata.

366

Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti filluan një raund të ri bisedimesh të enjten dhe mbajtën bisedime me delegacionin izraelit në Katar.

Hamasi, i cili nuk mori pjesë drejtpërdrejt në bisedimet e së enjtes, akuzon Izraelin se ka shtuar kërkesa të reja tek një propozim i mëparshëm që kishte marrë mbështetjen amerikane dhe ndërkombëtare dhe për të cilin Hamasi kishte rënë dakord në parim. Izraeli nga ana e tij akuzon Hamasin se ka shtuar kërkesa të reja.

Ekspertët në Izrael thonë se ky raund bisedimesh mund të jetë mundësia e fundit për arritjen e një marrëveshjeje që do të siguronte kthimin e 115 pengjeve që Hamasi ende i mban në Gazë, që prej sulmit të befasishëm të 7 tetorit ndaj vendbanimeve izraelite. Por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës nga Jeruzalemi, Linda Gradstein dallimet midis dy palëve mbesin të mëdha.

Aviva dhe Keith Siegel ishin në mesin e 240 pengjeve izraelite dhe shtetasve të huaj që u rrëmbyen nga Hamasi më 7 tetor dhe u dërguan në Gazë.

Pas 51 ditësh, Aviva u lirua si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi, por bashkëshorti i saj Keith, shtetas amerikan, ende po mbahet peng në Gazë.

Aviva Siegel thotë se ajo po lutet që bisedimet në Doha të japin rezultat.

“Ka një marrëveshje në tryezë, por kam shumë frikë se ajo do të dështojë dhe se Keithi nuk do të kthehet në shtëpi, se pengjet nuk do të lirohen. Po pres, dua të shpresoj. Shpresa është e vetmja gjë që kam”, thotë ajo.

Shenja e fundit se Keith Siegel është gjallë ishte një video regjistrim i Hamasit i muajit prill. Burimet izraelite thonë se 41 nga 115 pengjet në Gazë janë vrarë, ndonëse ky numër mund të jetë më i lartë.

Analistët izraelitë thonë se ky raund bisedimesh për armëpushimin është i rëndësisë thelbësore.

“Në njërën anë, ka një pritshmëri të madhe që ky raund bisedimesh do të çojë eventualisht drejt përfundimit të luftës në Gazë. Dhe ndoshta do të mbështesë përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në pjesën veriore të kufirit dhe në raport me Iranin,”, thotë eksperti i Lindjes së Mesme, Eyal Zisser nga Universiteti i Tel Avivit.

Bisedimet vijnë dy javë pas atentatit që Izraeli kreu ndaj zyrtarit të lartë të grupit militant Hezbollah në Bejrut dhe pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit Ismail Hanijeh në Iran, për të cilën dyshohet se e kreu Izraeli. Irani dhe Hezbollahu janë kërcënuar se do të hakmerren dhe një marrëveshje armëpushimi me Hamasin dhe udhëheqësin e tij, Jahja Sinuar mund të jetë e vetmja gjë që po frenon një sulm ndaj Izraelit.

Ekspertët ushtarakë izraelitë thonë se marrëveshja mund të jetë e paarritshme edhe për shkak të insistimit të Kryeministrit Benjamin Netanyahu, që Izraeli të ketë një prani të përhershme ushtarake në kufirin ndërmjet Gazës dhe Egjiptit.

“Nga pikëpamja e Hamasit, sidomos nga pikëpamja e Sinuarit, kjo është një vijë e kuqe, një vijë e vërtetë e kuqe. Unë vlerësoj se ai kurrë nuk do ta pranonte këtë kërkesë dhe se ai do të preferonte të vdesë apo të vazhdojë të luftojë para se të pranonte një kusht të tillë. Tani për tani, nuk shoh mundësi për kompromis, apo ndonjë pikë të përbashkët ku takohen të dyja palët”, sipas ish zyrtarit izraelit të zbulimit, Michael Milstein.

Familjet e pengjeve dhe publiku izraelit po i ndjekin me shumë vëmendje bisedimet, me shpresë se do të japin ndonjë rezultat. Ata duan, siç kanë dashur përgjatë 10 muajve të fundit, që të afërmit e tyre të kthehen në shtëpi./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts