Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një mesazh për të gjitha klubet, trajnerët, futbollistët dhe stafet e çdo ekipi në prag të nisjes së edicionit të 86-të të kampionatit “Abissnet Superiore 2024-2025”, duke i uruar të gjithë për një sezon sa më të suksesshëm dhe plot me emocione.
Në mesazhin e tij drejtuar klubeve, Presidenti Duka vuri theksin te vështirësitë e mëdha financiare që hasin por i inkurajoi që të ndërtojnë projekte afatgjata që synojnë rritjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar përsëriti sërish thirrjen për krijimin e ligjit të sponsorizimit nga ana e qeverisë si një kërkesë jetike për mbështetjen e sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti.
Gjithashtu, Presidenti Duka uroi që këtë sezon të kemi një nivel edhe më të lartë sportiv e konkurence, ku klubet t’i bëjnë krenarë tifozët e tyre jo vetëm në kampionat, por edhe në kompeticionet europiane, ashtu siç bëri ekipi Kombëtar shqiptar në kualifikueset e Europianit dhe në finalet e Euro “Gjermani 2024”.
Më poshtë mesazhi i plotë i Presidentit Duka:
Nisim sot edicionin e 86-të të kampionatit “Abissnet Superiore 2024-2025”, duke shënuar fillimin e një sezoni të ri plot me sfida, adrenalinë e pasion. Ky sezon shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e futbollit shqiptar, duke na ofruar të gjithëve mundësinë për të përjetuar momente të paharrueshme, emocione të forta dhe garë e respekt për kundërshtarin në fushën e lojës.
Në prag të këtij sezoni, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për angazhimin dhe përkushtimin e secilit prej jush. Klubeve tona, ju inkurajoj të vazhdoni të ndërtoni projekte afatgjata që synojnë rritjen dhe zhvillimin e sportit në vendin tonë. Futbollistëve dhe trajnerëve, ju uroj suksese në arritjen e objektivave tuaja, duke treguar profesionalizëm dhe përkushtim në çdo ndeshje.
Me gjithë vështirësitë e mëdha financiare, uroj që këtë sezon të kemi një nivel edhe më të lartë sportiv e konkurence, ku klubet tona t’i bëjnë krenarë tifozët e tyre jo vetëm në kampionatin vendas, por edhe në kompeticionet europiane, ashtu siç bëri ekipi Kombëtar shqiptar në kualifikueset e Europianit dhe në finalet e Euro “Gjermani 2024”.
Tifozëve tanë të mrekullueshëm, ju falënderoj për mbështetjen tuaj të palodhur. Prania juaj në stadiume dhe mbështetja e juaj janë frymëzim për çdo lojtar dhe ekip. Le të jetë ky sezon një festë e vërtetë e futbollit shqiptar, ku ne të gjithë bashkë do të tregojmë se sa i bukur dhe i fuqishëm është ky sport në vendin tonë.
Gjej rastin të përsëris thirrjen time për krijimin e një shtrati ligjor për mbështetjen e sportit në përgjithësi dhe futbollit në veçanti. Miratimi i ligjit të sponsorizimeve është një kërkesë jetike për futbollin dhe një hap i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme të sportit tonë.
Në këtë edicion të ri, pres të shoh ndeshje plot me emocion, respekt dhe garë të fortë. Jam i bindur se me punë të palodhur, përkushtim dhe Fair-Play, ky sezon do të jetë një sukses i madh për të gjithë.
Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju uroj një sezon të mbarë, të mbushur me suksese dhe emocione të bukura. Le të shkruajmë së bashku një tjetër kapitull të shkëlqyer në historinë e futbollit shqiptar. Faleminderit dhe suksese!
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co