Bota

E drejta për qasje në natyrë

e drejta per qasje ne natyre





































pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Në këto ditë të zhuritura nga dielli i nxehtë, në morinë e debateve për shifrat e turizmit për këtë sezon veror turistik, dy janë problemet të cilat tërheqin jo pak vëmendjen. Probleme këto pa lidhje në dukje, por që janë aty e riprodhohen thuajse pa ndryshim, në të njëjtën periudhë në çdo vit. Bëhet fjalë për zjarret e shumta, ku vetë natyra me thatësinë dhe temperaturat e saj mjaft të larta, e ndihmuar me shumicë nga papërgjegjshmëria njerëzore, shkaktojnë zjarre të shumtë dhe që shuhen me mundim për shkak të pamjaftueshmërisë së mjeteve qeveritare, pavarësisht heroizmit të zjarrfikësve.

Këto faktorë bëjnë që një pjesë e rëndësishme e natyrës, prona më e çmuar e njerëzimit, të pësojë dëme të mëdha dhe që duhet kohë të riaftësohen. Ndërkohë konstatohet numri mjaft i lartë i pushuesve, shqiptarë dhe të huaj, që për të shuar zhegun, i drejtohen masivisht pjesës tjetër të natyrës, siç është bregdeti dhe plazhet të tij, por që përplasen përsëri, këtë radhë me makutërinë e njerëzve për të fituar dhe që zaptojnë gjithçka që mundin për ta shfrytëzuar për qëllime fitimi pikërisht në këtë moment. Aktet e tyre nuk mënojnë të privojnë njerëzit e shumtë nga qasja apo aksesi i lirë në plazhe.

Kësaj makutërie shpesh i shtohet edhe oreksi i ngjashëm i pushtetit vendor që si individët e paskrupullt, gjen rastin të japin hapësirat publike në menaxhim të privatëve sigurisht me qëllim gjenerimin e të ardhurave. Në këtë kontekst kemi të bëjmë me dy aspekte, ku përgjegjshmëria sociale e shoqërisë shqiptare për të ruajtur natyrën është në përmasa katastrofale dhe nga ana tjetër edhe pushteti qendror e sidomos ai vendor, ende të paqartë dhe primitivë në menaxhimin e natyrës. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për amatorizëm, për hir të së vërtetës të të gjitha qeverive, por sidomos për mungesën e një civilizimi të ndjeshëm dhe të përgjegjshëm për natyrën si një e mirë e të gjithëve.

Përse ky kaos?

E gjitha kjo problematikë dhe të tjera të ngjashme me të, të lidhura pra me resurset natyrore, është pjesë përbërëse e një panorame ku si shteti dhe popullata e gjerë ende nuk kanë një pikë referimi të qartë për të orientuar dhe harmonizuar kërkesat me ofertat, private dhe publike, në mënyrë që çdo individ të ketë mundësinë e qasjes së lirë në natyrë, si në bregdet dhe në zona malore. Këto të fundit për hir të vërtetës nuk përbëjnë ende një problem madhor, por bregdeti kthehet shpesh, në një makth. Pra, në thelb Shqipërisë i mungon ajo që në shumë vende perëndimore, sidomos ato veriore, në këto dekada të fundit quhet “ E drejta për qasje në natyrë, apo e thënë ndryshe “e drejta e aksesit në natyrë”. Pra, koncepti ka të bëjë me mundësinë që çdo individi pa përjashtim t’i jepet në mënyrë të ndershme dhe të drejtë qasja për të shijuar lirshëm dhe kudo natyrën. Kemi të bëjmë me një të mirë të përgjithshme siç është natyra që të jetë e prekshme për gjithkënd. Kjo e drejtë nuk ka natyrë thjesht filozofike, si një kënaqësi apo si sport për të shëtitur në natyrë, madje nuk përbën as një dogmë politike si ato që shprehen rëndom në parlament kur flitet për betonizimin apo për mungesën e hapësirave të gjelbra nëpër qytetet shqiptare.

Bëhet fjalë për një të drejtë, e cila është kthyer në koncept ligjor i sanksionuar në legjislacionin e vendeve të përparuara perëndimore në formën e një “Kodi të natyrës”. Një seri ligjesh pra që zbërthejnë konceptin si një e drejtë themelore për qytetarin, krahas të drejtave të tjera themelore të njohura tashmë botërisht. Sanksionimi i një koncepti të tillë ligjor përbën natyrshëm pikënisjen e çdo aksioni qeveritar apo komunitar dhe nga ana tjetër sigurisht që sanksionon edhe detyrimet e qytetarëve për të mbajtur pastër dhe për të mos dëmtuar natyrën. Të dyja anët e medaljes vendosen para një korpusi ligjor tërësor, i cili krijon mundësi për qasje të të gjithëve ndaj natyrës, por që kanë edhe detyrime ndaj saj, tregues ky i një përgjegjshmërie të lartë sociale të individëve dhe i një qeverisjeje të mirë. Nisur nga specifika e disa vendeve, për shembull Franca e cila 73 për qind të pyjeve në vend i ka privatë, legjislacioni është ndërtuar i tillë që të përputhë ruajtjen e natyrës, respektimin e pronës private me qasjen e të gjithë individëve në të.

Kjo do të thotë se edhe prona private, siç janë pyjet me pronësi në rastin konkret, vihen në dispozicion me kushte të caktuara për publikun e gjerë dhe aspak si e kundërta barbare nëpër plazhet e vendit tonë, ku është privati ai që kushtëzon publiken. Madje vetë ky shtet, konceptin e lirisë së aksesit në natyrë e ka të huazuar nga një vend tjetër siç është Suedia, e cila njihet botërisht si vendi ideal, ku e drejta apo më saktë liria për qasje në natyrë ka gjetur shtrirje të plotë dhe të garantuar nga përgjegjshmëria e individëve për të ruajtur natyrën të pa prekur. Në Shqipëri ka gjithsesi nisma ligjore të shkëputura mjaft pozitive, siç është moratoriumi i gjuetisë së kafshëve të egra si një akt vërtet pozitiv në përputhje me këto parime. Por kaq është ende shumë pak. Kërkohet më shumë qartësi, apo një busull orientuese për gjithçka që lidhet me natyrën.

Mungesa e një koncepti si ky i shpjeguar pak më sipër, bën që në menaxhimin e natyrës, edhe pushteti qendror dhe sidomos ai lokal, të mos nisen nga bindja si një e drejtë ligjore komplekse, por të mbështeten mbi konceptin e pronësisë bashkiake me tendencë parcelizimin e natyrës me qëllim gjenerimin e të ardhurave. Për të mos folur me këtë rast për klientelizmin si tërësisht i huaj për atë që po flasim. Nga ana tjetër, niveli i shoqërisë mbetet në kuota alarmante dhe ai nuk mund të ndryshojë në rast se vetë natyra dhe e drejta e çdo individi për qasje ndaj saj, nuk fillon e të futet si pjesë përbërëse e edukimit të shoqërisë për ta kthyer këtë të fundit në të përgjegjshme për vlerën e ruajtjes së kësaj pasurie që sipas Hipokratit “natyra është mjekësia më e mirë për njeriun”.

Një qëndrim i kundërt me parimin e mësipërm, ilustrohet në mënyrën më ideale, pikërisht në zonat bregdetare, në plazhe ku shihen thuajse të përvitshme pamje në të cilat policia është e detyruar të përdorë forcën për të liruar plazhet e pakta publike nga uzurpimi i privatëve.

Nëse do të niseshim nga koncepti i respektimit të një të drejte themelore që pak më sipër u quajt e drejta për qasje në natyrë ( apo për akses në natyrë), do të rezultonte se plazhet publikë në Shqipëri do të ishin të bollshëm për akses të lirë të të gjithë qytetarëve si një e drejtë e tyre e sanksionuar me ligj, kurse ato private do të ishin të kufizuara dhe specifike.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts