Në Çikago do të nisë sot Konventa Kombëtare Demokratike, ku duhet të zyrtarizohet emërimi i Kamala Harris si kandidate demokrate presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në SHBA.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se ai nuk ka udhëtuar me ftesë të Qeverisë së SHBA-së, por me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
Siç është raportuar, në konventë do të jenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike Alush Gashi dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.
Në lidhje me ftesën për Kurtin, ambasadori amerikan është pyetur nga Radio Evropa e Lirë, por ambasadori theksoi se ftesa nuk është nga Qeveria Amerikane.
“Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane. Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit”.
“Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, ka thënë ndër tjerash ambasadori amerikan në një instervistë dhënë për REL.
E ndërsa në konventë pritet një atmosferë gazmore, para Qendrës së Bashkuar në Çikago priten demonstrata për shkak të pakënaqësisë me politikën e administratës demokratike ndaj Izraelit, i cili po bën luftë në Gaza.
Biden do ta hapë konventën me një fjalim që do të jetë edhe lamtumira e politikanit që ishte kandidati demokrat për president vetëm pak javë më parë, i cili pritej të pranonte nominimin në konventë.
Në fjalimin e tij, Biden do të insistojë se do të përbëjë një kërcënim për demokracinë në SHBA nëse ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për president Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë ndihmësit e Biden, raportoi AP.
Ata thanë se folësit në konventë pritet t’i referohen arritjeve të Biden gjatë presidencës së tij, përfshirë masat e zbatuara gjatë pandemisë së koronës, investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe reformën e kujdesit shëndetësor.
Është bërë e ditur se Zonja e Parë e SHBA-së Jill Biden dhe anëtarë të tjerë të familjes Biden do të jenë të pranishëm në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago.
Ish-kandidatja presidenciale Hillary Clinton dhe ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton janë gjithashtu folës të paraqitur.
Guvernatori i Minesotës dhe kandidati për nënpresident Tim Walz do të prezantohet para amerikanëve të mërkurën në mbrëmje dhe në ditën e fundit të kongresit do të flasë kandidatja për presidente, Kamala Harris.
Biden u tërhoq nga fushata e rizgjedhjes më 21 korrik pas presionit nga Partia Demokratike për ta bërë këtë, dhe më pas miratoi Kamala Harris që të ishte kandidatja demokrate për presidencën e SHBA.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co