“Mohamed Salah mund të luajë edhe për shumë vite për shkak të kujdesit që ai tregon për trupin e tij”, tha trajneri Arne Slot, pasi 32-vjeçari shënoi dhe asistoi, duke ndihmuar Liverpulin të arrijë një fitore bindëse 2-0 në Ipsuiçin e ngjitur rishtaz në Premier Ligë.
“Reds”-ave iu desh të përballonin një atmosferë armiqësore në pjesën e parë, pasi “Portman Road” ziente nga emocionet e tifozëve vendës. Trajneri holandez nuk ishte i kënaqur me nisjen e ndeshjes nga skuadra e tij, por i pëlqeu shumë mënyra se si ata u përgjigjën pas pushimit me golat e shënuar nga Salah dhe Diogo Zhota. Ish-trajneri i Fejnordit, i cili ka ardhur për të zëvendësuar Jyrgen Klopin këtë verë, tha: “Nëse shoh se çfarë bën Salah për ta mbajtur trupin e tij ashtu siç ai bën për të qenë gati për të luajtur çdo ndeshje, atëherë mendoj se ka shumë më shumë vite brenda tij për të luajtur. Por unë tani mendoj vetëm për Brentfordin (ndeshjen e radhës) dhe jo për fundin e sezonit.
Unë nuk besoj te individët, besoj më shumë te ekipi. Mo mund të shënojë gola për shkak të aksioneve të mira nga lojtarët e tjerë, ose për shkak të aksioneve të ndërtuara nga ekipi. Kështu që unë mendoj se edhe Mo ka nevojë për ekipin”. Salah, kontrata e të cilit skadon në fund të këtij sezoni dhe pritet të vendoset për të ardhmen e tij, shënoi paraqitjen e tij të 350-të në Liverpulin, duke e çuar numrin e pjesëmarrjes së tij në gola në 300 (212 gola, 88 asiste). Ai ka shënuar gjithashtu nëntë gola në javën hapëse të një sezoni në Premier Ligë (një rekord).
“Unë kam trashëguar një ekip shumë të mirë me shumë individë të mrekullueshëm, por gjithashtu këta lojtarë duhet të kuptojnë se nuk mjafton ajo që sollën në pjesën e parë. Nuk e humbëm shumë herë topin, por humbëm shumë duele. Ata ishin shumë agresivë dhe kjo solli tri kartonë të verdhë, por ata ishin agresivë në mënyrë pozitive. Ne nuk e përballuam atë shumë mirë. Kjo është ajo që u thashë lojtarëve në pjesën e parë”.
ANDROKLI DRALO- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co