Në ujërat e Detit Mesdhe, një ekosistem vendimtar, por i kërcënuar po lufton për mbijetesë. Posidonia Oceanica, e quajtur shpesh si “mushkëritë e Mesdheut”, po përballet me sfida të paprecedenta për shkak të ndryshimeve klimatike, rritjes së temperaturave të detit, pushtimit të specieve te reja dhe aktiviteteve të drejtpërdrejta njerëzore pranë brigjeve.
Ky bar unik është endemik i Mesdheut dhe luan një rol jetësor në ruajtjen e shëndetit detar dhe luftimin e ndryshimeve klimatike. Ramla Bouhlel, një inxhinier për peshkimin dhe mjedisin detar, shpjegon se “Posidonia është burim kryesor i oksigjenit dhe thith dioksidin e karbonit, që do të thotë se tërheq shumë karbon, një problem me të cilin po përballemi aktualisht.”
Rëndësia e Posidonia shtrihet shumë përtej prodhimit të oksigjenit. Sipas një studimi të botuar në Nature Geosciences, bima thith dioksidin e karbonit tre herë më efektivisht sesa pyjet tropikale. Ahmed Ghedira, President i Shoqatës Notre Grand Bleu, thekson rolin e saj vendimtar.
“Posidonia ofron shërbime të paçmuara mjedisore, veçanërisht në rregullimin e klimës”, thekson ai. Studimi i tyre i fundit tregon se Posidonia në Gjirin e Monastirit dhe Ishujt Kuriat mund të ruajë mbi 350 ton karbon për hektar.
Organizatat po bëjnë përpjekje për të mbrojtur dhe restauruar këtë bimë jetike detare, veçanërisht në Tunizi. Ghedira dhe ekipi i tij punojnë për ta ruajtur atë si nëpërmjet restaurimit pasiv, duke monitoruar zhvillimet e bimës, ashtu edhe në restaurimin aktiv nëpërmjet kultivimit.
Shoqata Notre Grand Bleu, së bashku me partnerët, ka mbjellë 1000 metra katrorë për eksperimente shkencore mbi efikasitetin e kultivimit të Posidonia. Këto përpjekje për ruajtjen janë thelbësore, veçanërisht duke pasur parasysh se Tunizia, ndryshe nga vende të tilla si Franca, nuk ka ligje specifike që mbrojnë këto ekosisteme nënujore.
Ndërsa ndryshimi i klimës vazhdon të kërcënojë këtë “mushkëri të gjelbër” thelbësore të Mesdheut, gara është në vazhdim për të mbrojtur Posidonia për brezat e ardhshëm.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co