EDUARD ZALOSHNJA
Qysh para zgjedhjeve të 2009-ës kam zhvilluar disa sondazhe për parti të reja, ku ka rezultuar se për to ka goxha përkrahje elektorale disa muaj para zgjedhjeve. Por një sëmundje kronike e tyre ka qenë rregullisht avullimi i përkrahjes muajin e fundit të fushatës, kur partitë e vjetra ndezin motorët elektoralë në terren dhe kur mediat kryesore pasqyrojnë kryesisht aktivitete të partive të vjetra. Po a do të ndodhë përsëri e njëjta gjë në zgjedhjet parlamentare të pranverës 2025?
Ndoshta jo, sepse kësaj radhe do të kemi një risi – rreth 1.7 milionë zgjedhës jashtë vendit do të kenë mundësinë ta dërgojnë votën e tyre me postë. Dhe kështu, në zgjedhjet e 2025-ës mund të ndryshojë edhe fati i partive të reja… Nga një sondazh që zhvillova në qershor, më rezultoi se për partitë e reja ishin gati të votonin rreth 11% e asaj pjese të elektoratit të këtushëm, që e ka ndarë mendjen për të votuar qysh një vit para zgjedhjeve. Dhe kjo përkrahje e lartë paraprake e këtushme shpjegohet me faktin se partitë e reja janë shumë aktive në internet e rrjete sociale (siç kanë qenë partitë paraardhëse të tyre ndër vite).
Kur qytetarë të thjeshtë anketohen shumë muaj para zgjedhjeve, ndikohen nga kritikat që partitë e reja bëjnë ndaj partive të vjetra të stërprovuara e për rrjedhojë, thonë se do ta provojnë t’ua japin votën partive të reja. Por kur të vijë muaji i fundit para zgjedhjeve të 2025-ës, një pjesë e mirë e këtyre përkrahësve të këtushëm të partive të reja mund të ndikohen nga fushatat në terren dhe media të partive të vjetra, e për rrjedhojë, mund të shkojnë në istikamet e tyre (siç kanë bërë në zgjedhjet paraardhëse). Ndryshe mund të ndodhë me përkrahësit në emigracion të partive të reja. Ata do të vazhdojnë të ndikohen nga fushatat e partive të reja në internet dhe në rrjete sociale. Sa më aktive dhe kritike të jenë ato ndaj partive të vjetra, aq më i madh është probabiliteti që ta ruajnë deri në fund përkrahjen e votuesve të tyre në emigracion. Se sa është aktualisht përkrahja elektorale në emigracion për partitë e reja ende nuk është matur. Por, ndoshta së shpejti do të fillojnë edhe sondazhet për ta matur atë.
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co