VOLTIZA DURO/ Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se rritja e pagave për punonjësit e administratës publike i është kthyer mbrapsht buxhetit të shtetit.
Kjo në formën e të ardhurave që vjel nga tatimi mbi pagat, por edhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore. Sipas Ministrisë së Financave, nga kontributet e sigurimeve shoqërore në 7 mujor janë arkëtuar 92 miliardë lekë, e përkthyer në rreth 9.6 miliardë lekë ose rreth 11.6% më shumë se 7-mujori 2023.
Nga ana tjetër, nëse do të shikojmë rritjen progresive të të ardhurave nga kontributet përgjatë këtij vitit, vihet re se, nëse kapërcimi nga një muaj në tjetrin ka qenë mesatarisht 12.3 miliardë lekë, në muajin korrik 2024, krahasuar me qershorin 2024, rritja është 14.2 miliardë lekë. Janë afro 1.9 miliardë lekë më shumë të mbledhura, gjë që ka ardhur si efekt i rritjes së pagave në administratë dhe si rrjedhojë masës më të lartë të kontributeve që paguajnë punonjësit. Reforma ka ndikuar edhe në zërin e tatimit mbi të ardhurat personale, duke sjellë një rritje, për shkak se kapërcimi i një niveli të caktuar page futet në një fashë tjetër taksimi.
Konkretisht tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 38.1 miliardë lekë, me një rritje prej 5.1 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe 732 milionë lekë ose 2% më shumë se plani i 7-mujorit 2024. Edhe në këtë zë, nëse rritja mesatare përgjatë vitit nga muaji në muaj rezulton 5.3 miliardë lekë, në korrik, të ardhurat janë rritur me 5.9 miliardë lekë në raport me muajin qershor.
TREGUESIT FISKALË
Ministria e Financave bën me dije se performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën janar-korrik 2024 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve. Të ardhurat totale, për 7-mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 103 % të planit të periudhës. Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 347.5 miliardë lekë me një realizim në masën 92.3 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 6.3 % më i lartë ose rreth 20.5 miliardë lekë më shumë.
“Të ardhurat totale, për periudhën 7-mujore arritën në rreth 402,514 miliardë lekë ose 103 % e planit të periudhës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 30,350 miliardë lek më shumë ose 8.2 % më shumë se 7 mujori i vitit 2023. Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për periudhën janar- korrik 2024 arritën në shumën 261.5 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 2% më shumë se plani 7-mujor për vitin 2024. Krahasuar me 7-mujor 2023, janë mbledhur 22.4 miliardë lekë ose 9.4% më shumë.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 131.2 miliardë lek, 9.6 miliardë lek ose 7.9% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe 1.2 miliardë lek ose 0.9% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 7-mujorin e vitit 2024”,-bën të ditur Ministria e Financave. Kjo e fundit shton më tej se të ardhurat nga TVSH në import për 7-mujorin rezultojnë 89.5 miliardë lek, 6.6 miliardë lekë ose 7.9% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 566 milionë ose 0.6% më shumë se plani për 7-mujorin 2024.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 38.1 miliardë lekë, 5.1 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe 732 milionë lekë ose 2% më shumë se plani i 7- mujorit 2024. Taksat nacionale, për periudhën 7-mujore 2024 u realizuan në masën 23.3 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 11.9% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe 80 milionë lekë ose 0.3% më shumë se plani për 7- mujorin 2024. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT) u realizuan në masën 92 miliardë lek, 9.6 miliardë lekë ose 11.6% më shumë se 7-mujori 2023, si dhe realizim 101.1% të planit për 7-mujorin 2024.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 347.5 miliardë lekë me një realizim në masën 92.3 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 6.3 për qind më i lartë ose rreth 20.5 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 47.1 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 46.7 për qind të planit vjetor./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co