Bota

“Poli&Tika” e Kapexhiut si pasqyrë e rrënimit tonë të përditshëm

politika e kapexhiut si pasqyre e rrenimit tone te perditshem





































politika e bujar kapexhiutBEN ANDONI

Pse libri i ri “Poli&Tika” i Kapexhiut? Po, sepse shoqëria jonë në çdo gjë të saj nuk jeton e zhvillohet dot pa politikën. Këtë herë autori e ka zgjedhur satirën ta përcjellë veç vizatimit dhe me vargun…

Cili ndjek me kujdes prej vitesh kronikën e lajmeve nuk kish sesi të mos i bënte përshtypje, para do kohësh, një kënd i vogël i një të përditshmeje, ku shprehej mendimi dhe qëndrimi përmes imazhit të karikaturës. Nuk kishe nevojë të lexoje gazetën apo ta shikoje në leximet e përditshme, aty kishe kuptuar ngjarjen më pikante të 24 orëve të fundit dhe qëndrimin e autorit, karikaturistit të njohur Bujar Kapexhiu. Për shumë vite, ai u bë i njohur me një rubrikë, që atë vetë e zhgënjente deridiku sa i përket formës së ekspozimit (në faqet e brendshme karikatura e tij shtypej bardh-e-zi!!), por asesi forcës së shprehjes. I vendosur në dy kohë, që përkojnë me dy sisteme ekonomiko-shoqërore të ndryshme, Kapexhiu përcillte në kohën e fundit evoluimin e shoqërisë përmes skicës së tij humoristike ditore. Personazhet kryesore ishin po ata, por mjeshtri i njohur i vizatimit humoristik kishte zhvilluar shtysën për një perceptim tjetër shumë më të thellë.

Dy personazhet, ardhur nga fjala “Hokatari” (ai e ktheu në kompozitë dhe pastaj i ndau reciprokisht në Hoka dhe Tari), që rrëfenin Shqipërinë e përditshme me debatet dhe dialogun e tyre. Përditmëria dhe shqetësimet, si edhe paradokset e shoqërisë shqiptare parashtroheshin aty në të gjitha format dhe shqetësimet përmes satirës. Përballja e tyre duket se e kaloi kohën dhe në numrat në vazhdim, autori, e shndërroi në përballjen e dy karaktereve fare “të rinj”: Poli (Polikron) dhe Tika (Petrika). Ky libër i ri mëton të përcjellë një evoluim të qëndrimit të tij, por edhe të situatës përmes dy personazheve të stilizuar me sqimë prej tij. Në të gjitha zhanret e humorit vendosja e dy personazheve dhe dialogët e dy personazheve të kundërt zbulojnë shumë për kohën dhe shoqërinë dhe në rastin e Kapexhiut i flasin më së shumti dhe në veçanti politikës. Arti lufton shumë përmes të kundërtave, por në humor ato shkojnë më shumë, plotësojnë një situatë.

Karikaturistët përdorin lloje të ndryshme humori për të komunikuar mesazhin e tyre, ku më të zakonshmet janë ironia, satira dhe sarkazma. Përmes vargut, në këtë formë, Kapexhiu i ka bërë të gjalla zhanret, ndërkohë që tregon se ndjenja e tij për humorin nuk rresht. Është fare organike. Kuptohet që përmes tyre do të shikosh dhe rrugëtimin mendor të vetë autorit, ku duket se qëndrimi i tij politik dhe preferencat i ka krejt të dukshme, por se kurdo në humor ai e zhdavarit dhe na përcjell provën përmes përditmërisë shqiptare. Në formën më klasike ka zgjedhur dhe personazhet e tij, ku njëri mundohet të bëj sintezat intelektuale, kurse tjetri që është më afër gjuhës së popullit e ul në realitet. Një dualitet disi filozofik. Një qasje, që ka brenda dhe shumë filozofi, por mbi të gjitha përpjekjen e humorit për të vendosur rregull në situatën kaotike që na rrethon. Përmes ironisë, ku kuptimi i fjalëpërfjalshëm i asaj që paraqitet është e kundërta e asaj që synohet, na përcillet dhe sesi Poli dhe Tika e përshfaqin dhe e ironizojnë realitetin shqiptar. Për një kronist apo historian të medias së periudhës demokratike është një ndihmë e të gjithë evoluimeve të shoqërisë shqiptare, në të gjitha rrafshet. Nuk lihen pas njerëzit e opinioneve publike, që meritojnë kritika për mënyrën sesi po e përcjellin shoqërinë dhe mbi të gjitha kinse sherrin, që i falin më kot shqiptarëve. Poli dhe Tika e diktojnë me zërin e tyre humoristik, hera-herës dhe me dhimbje, po çfarë mund të bëjnë më shumë vallë në këtë mjedis?!

Kapexhiu ka provuar disa disiplina arti, por mbase do të ishte një subjekt i mirë, që dy personazhet që i materializoi sëfundmi në subjekte karikature t’i bënte të gjallë përmes filmit. Ka shumë dhimbje në kohën tonë, kurse paradokset e kohës tregohen me nota gati tragjike. Shqipëria ka ardhur koha që ta kritikojë veten dhe përmes formave të ndryshme në art, siç ndodh me artin e karikaturës. Jo më kot, në fund, Kapexhiu i kthehet njërës prej sfidave më të mëdha, që lidhet me Drejtësinë, por duke na treguar atë gabim që shqiptarët e përsërisin duke shpresuar në gjëra që nuk ndodhin. Kështu, po ndodh dhe këtë herë por me këtë libër, që i ofron publikut, e bën bashkëkohës në domenin e vet, që lidhet me dhe kulturën përmes humorit…duke mëtuar të ngucë zgjimin e arsyes tek shqiptarët.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts