Bota

Forcim i marrëdhënieve mes dy vendeve? Macron do të vizitojë Serbinë në fund të gushtit

forcim i marredhenieve mes dy vendeve macron do te vizitoje serbine ne fund te gushtit
forcim i marredhenieve mes dy vendeve macron do te vizitoje serbine ne fund te gushtit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të realizojë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht, u tha në një njoftim të publikuar në ueb-faqen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Vizita e Macronit në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai e priti në Paris homologun e tij serb, Vuçiç.

Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.

Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore, që u mbajtën në Paris, Vuçiq muajin e kaluar tha se vizita e Macronit në Serbi pritet të realizohet në fillim të shtatorit. Të dy burrështetasit në deklaratat e tyre publike kanë sugjeruar se një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.

Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron tha se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.

Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiq do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje.

Të dyja shtetet i kanë përshkruar raportet mes tyre si “të forta dhe miqësore” dhe vitin e kaluar takimet e nivelit të lartë u intensifikuan. Përveç vizitës së Vuçiqit në Pallatin Elize në prill, presidenti serb u takua me Macronin edhe në forume ndërkombëtare, por edhe gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts