Komediani britanik Romesh Rangathan ka ndarë së fundmi me ndjekësit e tij në TikTok një video nga e kaluara, ku ka treguar një veprim të pazakontë që kishte bërë në trupin e tij, tatuazhin me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar.
Gjatë një interviste të përbashkët me këngëtaren shqiptare me famë botërore, Rita Ora, në emisionin “The Jonathan Ross Show”, Rangathan tha se ndoshta kishte bërë një gabim.
“Jam penduar”, ishte shprehur Rangathan me shaka, teksa tregonte për vendimin e tij të momentit për të bërë tatuazhin. Ai shpjegoi se gjithçka ndodhi në një bunker gjatë një vizite në Shqipëri. “Ka shumë bunkera në Shqipëri. Në një nga bunkerët që vizitova, ishte një artist që bënte fotografi dhe gjëra të tjera. Ai më tha, ‘Unë bëj gjithashtu tatuazhe, a do të të bëj një?’ dhe unë i thashë ‘Në rregull, le ta bëjmë’”, rrëfeu ai.
@romeshranga That time i got a tattoo in Albania #jonathanrossshow #romeshranganathan #fyp ♬ original sound – Romesh Ranganathan
Kur Rita Ora pa shqiponjën e zezë të bërë tatuazh në krahun e Rangathan, reagoi plot emocion: “O Zot i madh, është pikërisht ajo! Po, është shqiponja jonë, është kaq çmenduri që ti e ke bërë këtë”.
Përveç tregimit për tatuazhin, Rangathan ndau detaje nga vizita e tij në Shqipëri dhe përvojat e tij me shqiptarët, duke treguar një respekt të madh për kulturën dhe njerëzit e vendit tonë.
Videoja e cila është rishpërndarë së fundmi prej tij në TikTok, është bërë virale dhe duke tërhequr mijëra shikime dhe komente. Tatuazhi i Rangathan ka ngjallur diskutime dhe ka gjetur përkrahjen e shumë shqiptarëve, të cilët e panë aktin si një gjest të veçantë dhe të papritur nga komediani i njohur britanik.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co