Sot, gjykata ka vendosur të marrë masën e sigurisë “Arrest me burg” për efektivin Erjon Goxhara, i cili plagosi inxhinierin e ERE-s, Lorenc Kosta, më 19 gusht.
Incidenti ndodhi për shkak të një tradhtie bashkëshortore të gruas së Goxharës me Kostën, ndërsa BalkanWeb ka arritur të sigurojë dëshminë e djalit të efektivit Erjon Goxhara.
Sipas dëshmisë së të birit të efektivit, ngjarja ka nisur rreth orës 14:35 kur ai ka marrë një telefonatë shqetësuese nga babai i tij.
Djali ka deklaruar se babai i tij e ka informuar se kishte plagosur Lorencin (Kosta) me armë. I tronditur dhe i shqetësuar, djali i ka kërkuar shpjegime babait të tij për aktin e dhunshëm dhe pas disa komunikimeve, babai i tij i ka kërkuar që të dalë dhe të presë te rrethi i Shkozës për të shkuar së bashku në zonën e Freskut.
Ai tregon se ka vënë re se i ati ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe në panik të thellë, ndërsa rrëfeu se kur janë takuar ata morën një taksi dhe janë nisur drejt Freskut, duke kaluar përmes rrugicave të zonës.
Sipas djalit të Goxharës, gjatë udhëtimit, babai i tij ka biseduar disa herë me drejtues policie në telefon, duke refuzuar të zbulojë vendndodhjen e tij. Kur ata kanë arritur në zonën e Thesarit në Fresk, dy efektivë policie të veshur civil kanë tentuar të ndalojnë babain e tij, i cili është larguar me vrap në drejtim të rrugicave përreth. Ai ka thënë se preferonte të vdiste sesa të “kalbej në burg”.
Pasi babai i tij ishte ndjekur nga dy policë, një automjet BMW X5 me ngjyrë të bardhë është afruar dhe ka ndaluar pranë djalit sipas rrëfimit të tij. Nga ky automjet ka zbritur Marsel Seferi, daja i tij, njëherazi edhe punonjës i policisë.
Seferi e ka ftuar djalin e Goxharës të hipte në automjetin e tij, duke i kërkuar të shkonin në Drejtorinë e Policisë për të dhënë deklaratën e tij mbi ngjarjen.
Djali ka theksuar se konflikti mes prindërve të tij kishte filluar një muaj më parë dhe kishte përfshirë akuzat për tradhti nga ana e babait të tij ndaj nënës, e cila ka pranuar tradhtinë me kolegun e punës, Lorenc Kostën.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co