Firma turke Kurum ka mbyllur aktivitetin e saj me pretendimin se është në proces remonti. Mësohet se 500 punëtorë të uzinës së çelikut dhe të uzinës së përpunimit janë njoftuar për ndërprerjen e njëanshme të kontratës pa arsye zyrtare për pezullimin.
Nga data 1 gusht, uzina e çelikut ka ndaluar punën, dhe nga data 20 gusht do të mbyllet edhe uzina e përpunimit.
Ende nuk është bërë e ditur se cila është arsyeja e saktë për mbylljen, nëse ka të bëjë me probleme të mbetjeve toksike ose ndonjë arsye tjetër.
Pas mbylljes së uzinave, 500 familje në Elbasan do të mbeten pa të ardhura nga 20 gushti.
Deri tani, nuk ka pasur asnjë konfirmim nga drejtuesit e Kurum për vendimin e marrë, megjithëse zyrtarisht thuhet se mbyllja e aktivitetit është për shkak të remontit.
Kujtojmë se kompania “Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global, sipas dëshmive dhe dokumenteve të publikuara nga BIRN.
Kompania turke “Kurum International” operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim. Me qindra punëtorë në bordero, ajo është gjithashtu një punëdhënës i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit.
Për të reduktuar ndotjen e shkaktuar nga industria, Kurum ka instaluar prej vitit 2010 një sistem filtrash për kapjen e mbetjeve të hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut në ish-Kombinatin Metalurgjik. Sipas deklaratave të vetmonitorimit mjedisor të kompanisë, të siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit të së drejtës për informim, ajo prodhon sërish mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut në vit.
Mbetjet nga filtrat e pastrimit të gazrave kanë sjellë kokëçarje e vazhdueshme për “Kurum”, pasi klasifikohen si mbetje substancash të rrezikshme dhe raportohen prej saj me kodin 10 02 07* sipas katalogut në fuqi të mbetjeve.
“Këto pluhura që kapen nga sistemi ambalazhohen në thasë dhe mund të eksportohen ose të përdoren në vend. Për këtë periudhë nuk është bërë evadim i kësaj mbetjeje, ato janë depozituar në sheshin përkatës dhe janë lëndë e parë për prodhimin e bojërave pasi është në % të lartë ZnO,” raportoi Kurum në qershor 2021.
Sasia totale e këtyre mbetjeve të prodhuara për më shumë se një dekadë nga Kurum dhe destinacioni i tyre mbetet i panjohur, por vetëm për një periudhë 3-mujore, kompania raportonte se kishte akumuluar 2500 ton pluhura, të cilat deklarohen ndryshe edhe si oksid zinku.
Një pjesë e këtyre mbetje riciklohen prej vitit 2022 nga një kompani tjetër shqiptaro-kineze me qendër në kombinatin Metalurgjik në Bradashesh, e quajtur “Alliance Resources”. Por “Alliance Resources” ka kapacitete për të përpunuar vetëm një sasi të vogël nga mbetjet e stërmëdha të prodhuara nga Kurum.
“Ne marrim nga Kurum oksid zinku dhe e përpunojmë në linjën tonë, ku nga 20-25 për qind e çojmë deri në 55-60%, që lejohet më pas të tregtohet lirisht në BE dhe në vende të tjera,” i tha BIRN Erdest Nushi, ish-administrator dhe punonjës i kompanisë “Alliance Resource”.
“Kapacitetet tona janë të kufizuara dhe në 9 muaj mund të përpunojmë rreth 2500 ton. Kurum prodhon sasi shumë më të mëdha,” shtoi ai.
Sipas verifikimeve të kryera nga Policia e Durrësit, të referuara më pas në Prokurori, një sasi prej 2800 ton mbetje të prodhuara nga Kurum dyshohet se i janë shitur kompanisë “Sokolaj” sh.p.k në tetor dhe nëntor të vitit 2023.
Gjovana Sokolaj dëshmoi në polici se produkti me të cilin janë mbushur 102 kontenierët, që ajo e konsideron si oksid hekuri, është blerë nga kompania “Kurum” për një vlerë totale prej 41 mijë dollarësh. Më pas, Sokolaj ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024.
Por thuajse një muaj më pas, Sokolaj dëshmon se mori një njoftim shqetësues nga kompania e kontenjerëve.
“…më informon se 102 kontejnerët që kompania ime kishte nisur do të kthehen në portin e Durrësit, sepse porti i Singaporit nuk pranon të bëjë shkarkimin, pasi kanë dyshime se janë mbushur me lëndë toksike,” ka deklaruar Sokolaj.
“Unë i kam kthyer email dhe i kam thënë që për mallin e ngarkuar në kontenjerë, që është oksid hekuri, janë bërë analizat nga Sokolaj sh.p.k dhe Kurum sh.a dhe nuk rezulton që aty të ketë mbetje toksike,” ka pretenduar ajo.
Të dhënat publike të shqyrtuara nga BIRN tregojnë gjithsesi se kompania e Sokolajt në Kroaci, GS Minerals D.o.o reklamon haptasi në internet tregtinë e saj me mbetje të rrezikshme EAFD si dhe okside të zinkut.
Në njërën prej reklamave, kompania thotë se ka të gatshëm në portin e Durrësit koncentrate zinku të gradës së ulët si dhe zotëron për shitje pluhur hiri EAFD.
Përkrah njoftimit për pluhurin që përmban mbetje të rrezikshme, ajo ka postuar një foto të dhjetra thasëve të mbushur – një pjesë e të cilëve të lagur nga shiu dhe një pjesë të grisur dhe me pluhurin e shpërndarë jashtë tyre, vendndodhja e së cilëve nuk u arrit të verifikohej nga BIRN.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co