Përgjegjës i Sektorit të Inspektimit në Qarkun e Elbasanit, Egliver Laloshi, ka bërë me dije se kompania turke Kurum, ka mbyllur plotësisht repartin e çelikut dhe pjesërisht atë të petëzimit. Kjo bëhet e ditur edhe përmes një shkrese që i është dërguar Ministrisë së Ekonomisë.
Në një komunikim për News24, Laloshi është shprehur se punëmarrësit rezultojnë të jenë duke kryer pushimet vjetore.
Ai theksoi se nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi gjithçka thuhet lidhur me marrëveshje mes punëmarrësve dhe subjektit Kurum, për ndërprerjen e kontratës së punës për 500 punonjës.
“Nga informacionet tona, rezulton se Kurm ka mbyllur plotësisht repartin e çelikut, pjesërisht repartin e petëzimit, punëmarrësit, që nuk janë të zënë me punë, nga monitorimi që është bërë nga ne rezultojnë të jenë duke kryer pushimet vjetore. Gjithashtu, në sistemin tatimor, punëmarrësit rezultojnë të jenë të punësuar, largimet nga puna kanë qenë spontane, jo masive”, tha ai.
Laloshi sqaron se zyrtarisht as nga subjekti, as nga grupet e interesit, sindikatat, nuk kanë marrë asnjë indicie, por Inspektoriati i Punës ka ngritur një grup pune në ambientet e kompanisë Kurum, për të inspektuar nga afër situatën.
“Theksojmë faktin, që zyrtarisht, as nga subjekti as nga grupet e interesit, sindikata, punëmarrës, nuk kemi asnjë indicie, megjithatë inspektorati u punës, për të qenë koherent për situatën po ndodh ka ngritur një grup punë që do jetë në ambientet e punë së Kurum dhe do të nxjerri rezultate më të detajuar. Aktualisht subjekti është aktiv në QKB, nuk ka bërë pezullim të aktivitetit, apo kërkesë për mbyllje të aktivitetit. Gjithashtu, në sistemin tatimor, punëmarrësit rezultojnë të jenë të punësuar, largimet nga puna kanë qenë spontane, jo masive. Inspektorati ka ngritur një grup punë nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ajo Rajonalë, për të qenë prezent dhe për të kuptuar problematikën dhe situatën që po ndodh”, u shpreh Laloshi.
Ndërkohë sipas një shkrese zyrtare, mësohet se Kurum ka mbyllur repartin e çelikut për shkak të rritjes së çmimit të lëndës bazë në bursat ndërkombëtare.
Sa i përket repartit të petëzimit, thuhet se ka ndërprerë procesin për shkak të një defekti, ndërsa kompania është në pritje të ekspertëve kinezë për zgjidhjen e problemit.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co