Ukraina dhe Rusia kryen gjatë fundjavës këmbimin e parë të të burgosurve të luftës që kur filloi operacioni ukrainas në rajonin rus të Kurskut.
Zëri i Amerikës ishte i pranishëm në këmbimin e 55-të të robërve të luftës midis Ukrainës dhe Rusisë që u bë në mënyrë simbolike në ditën e 33 vjetorit të pavarësisë së Ukrainës.
Ky është shkëmbimi i parë i të burgosurve mes dy vendeve që kur Ukraina filloi operacionin në rajonin e Kurskut.
115 robër ukrainas u kthyen në shtëpi. Sipas Shtabit Koordinues të Ukrainës për të Burgosurit e Luftës, të gjithë ata ishin rekrutë, përfshirë disa ushtarë që u kapën në muajt e parë të agresionit të Rusisë që filloi në shkurt të vitit 2022.
“Sot arritëm të kthejmë në vend 115 nga heronjtë tanë. Dhe numri i përgjithshëm i qytetarëve tanë të liruar deri sot ka arritur 3,520 heronj dhe heroina”, tha Bohdan Okhrimenko, një zyrtar i Shtabit Koordinues për të Burgosurit e Luftës.
Ushtarët ukrainas dukeshin të rraskapitur, por të lumtur që u kthyen. Shumë prej tyre, si Yevheni, i cili për arsye sigurie pranoi të identifikohej vetëm me emër, kishin qenë për dy vjet e gjysmë të burgosur në Rusi.
“Dy vjet e gjysmë. Sigurisht, është shumë e vështirë. Por ne rezistuam. Djemtë tanë janë ende atje, në pritje për t’u kthyer në shtëpi”, thotë ai.
“Kaluam shumë kohë në robëri, por sakrifica ia vlejti. Shumica e atyre që po kthehen do të vazhdojnë të shërbejnë në ushtri. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë Atdheun tonë. Kryesorja është të mos dorëzohemi”, shton Yevheni.
“Është shumë e vështirë të jesh në robëri, atje, mijëra kilometra larg shtëpisë. Shumë e vështirë”, thotë Artemi, një tjetër ushtar i liruar.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy thotë se një nga qëllimet kryesore të operacionit ukrainas në rajonin e Kurskut është që të kenë mundësi të këmbejnë të burgosur ukrainas me ata rusë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co