60-vjeçari Alban Kukaviqi ka ndërruar jetë pas incidentit të rëndë që i ndodhi në korrik, kur u plagos nga helika e një gomone në Gjirin e Shën Janit në Karaburun.
Kukaviqi, ish-basketbollist dhe punonjës për 31 vjet në Inspektoratin Shtetëror të Punës, kishte shkuar në pushime me familjen në jug të Shqipërisë. Pas zbritjes nga një anije turistike në Karaburun, ai u plagos në këmbë nga helika e gomones në një zonë të pa zhvilluar të molit të vjetër të ushtrisë.
Ai ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje në një spital në Turqi.
Fillimisht u transportua në spitalin e Traumës, ku qëndroi gjatë dhe pati probleme në 2 operacionet e para pasi nuk arriti të mbante narkozën. Më tej u nis drejt Turqisë për mjekim më të specializuar, por fatkeqësisht humbi jetën gjatë operacionit të tretë që po bënte për të vendosur protezë në këmbën e dobësuar.
“Thellësisht të prekur nga humbja e parakohshme e kolegut tonë të dashur, Alban Kukaviqi, i cili në karrierën profesionale 31-vjeçare, pranë këtij institucioni, ka dhënë kontribut të çmuar në inspektimin e punës.
Stafi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore i shpreh familjes ngushëllime të sinqerta!
Lamtumirë, i dashur koleg! Mënçuria, mirësia dhe humori jot do të na mungojë shumë! Përjetësisht në kujtimet tona!”, thuhet ne reagimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co