Shqiperia

Partneritet për Progres: PPP që nxit Inovacionin në Shërbimet Laboratorike në Shqipëri

partneritet per progres ppp qe nxit inovacionin ne sherbimet laboratorike ne shqiperi
partneritet per progres ppp qe nxit inovacionin ne sherbimet laboratorike ne shqiperi

Për vite me radhë, Maksim Byku vizitonte rregullisht një laborator mjekësor lokal në Elbasan, Shqipëri, për të monitoruar shëndetin e tij përmes testeve të ndryshme. Ai duhej të përballej me sfida të shumta: kohë të gjata pritjeje, tarifa të larta dhe kërkesa të shpeshta nga laboratori për të përsëritur testet për shkak të rezultateve të pasakta ose jo përfundimtare.

“Kur bënim analizat laboratorike në spital vite më parë, përballeshim me vështirësi, rradhë  dhe kohë të gjata pritjeje ” kujton Byku.

Byku nuk është i vetmi. Për dekada, sistemi shëndetësor i Shqipërisë ka vuajtur nga laboratorë të papërshtatshëm që nuk arrinin të ofronin kujdes shëndetësor cilësor. Kitet e domosdoshme për testet shpesh ishin në mungesë, kështu që, shumë pacientë, duhej të shkonin në laboratorë privatë që ishin edhe më të shtrenjtë. Megjithatë, edhe atje, rezultatet ishin të pasakta, pasi vetëm një laborator privat përmbushte standardet ndërkombëtare. Të gjithë këta faktorë rritën kostot e kujdesit shëndetësor në vend.

Përpara vitit 2019, shpenzimet shëndetësore që paguheshin nga xhepi I qytetarëve në Shqipëri ishin ndër më të lartat në rajonin e Ballkanit, shpenzime që zinin rreth 55 për qind të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor në vend.

Partneriteti Publik-Privat përmirëson Qasjen në Kujdesin shëndetësor

Më pas erdhi një ndryshim i madh. U formua një Partneritet Publik-Privat (PPP), ku Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë bashkëpunoi me IFC-në për të sjellë një kompani private të kujdesit shëndetësor për të ofruar laboratorë të pajisur me teknologji të avancuar mjekësore. Kjo nismë përfshinte 18 spitale në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë të pesë spitalet universitare dhe 13 spitalet rajonale.

Një konsorcium i përbërë nga Labopharma, me bazë në Shqipëri dhe, Exalab me bazë në Francë, siguroi një kontratë 10-vjeçare në vitin 2019 për të financuar, rinovuar, pajisur dhe operuar në rrjetin e laboratorëve publikë. Partneriteti ka ndihmuar laboratorët të ofrojnë shërbime cilësore bazuar në standardet ndërkombëtare.

Dizajni i projektit shfrytëzoi efikasitetin dhe inovacionin e sektorit privat për të përmirësuar një shërbim publik të rëndësishëm, duke siguruar shërbime diagnostikuese të sakta dhe të qëndrueshme në të gjithë vendin. Përgatitja ishte strategjike dhe metodike. Së pari, shërbimet këshilluese të PPP-së të IFC-së shqyrtuan sistemin shëndetësor të vendit për të përcaktuar nëse një PPP ishte e përshtatshme. Pastaj, ekipi realizoi një analizë teknike të detajuar për të vlerësuar kërkesën kombëtare për shërbime laboratorike. Ata gjithashtu vlerësuan listën e objekteve publike të disponueshme për shërbime të reja, si dhe gamën e shërbimeve që mund të integroheshin nën PPP-në.

Kujdes i shëndetësor i aksesueshëm afër Shtëpisë

Ndërmjet viteve 2020 dhe 2023, katër vitet e para pas hyrjes në fuqi të PPP-së, sistemi shëndetësor i Shqipërisë realizoi më shumë se 12 milion teste, duke prezantuar mjete të reja diagnostikuese për sulmet në zemër, dështimin e zemrës, mpiksjen e gjakut dhe infeksionet akute. Gjatë kësaj periudhe, rreth 1.7 milionë shqiptarë morën shërbime laboratorike kritike pa pagesë përmes sistemit publik të shëndetësisë.

Pacientë si Byku tani kanë qasje në laboratorë publikë të pajisur me teknologji të avancuar, pavarësisht se ku ndodhen. Një laborator publik qendror në kryeqytet, Tiranë, trajton referimet nga laboratorët e tjerë dhe ofronanaliza laboratorike urgjente dhe të specializuara për markuesit tumoral, hormonet dhe gjenetikën, ndër të tjera. Ndërkohë, gjashtë laboratorë rajonalë kryejnë një gamë testesh, dhe në spitalet e tjera operojnë laboratorë satelit me qëllim kryerjen e analizave laboratorike sa më shpejt.

Ky sistem i ri ka eliminuar nevojën për disa pacientë që të udhëtojnë në Tiranë për teste të specializuara. Testet rutinë dhe mostrat e mbledhura brenda komuniteteve lokale transportohen me siguri në laboratorin më të afërt rajonal ose qendror, në varësi të llojit të testit, dhe rezultatet dalin në një mënyrë të shpejtë dhe efikase.

“Për pesë vjet, unë jam trajtuar për një sëmundje shumë serioze,” thotë Merita Gjuza. “Mund të them se jam shumë e kënaqur me ndryshimet në shërbimet e laboratorit dhe mënyrën se si na trajtojnë. Shërbimi është shumë më i saktë se më parë. Tani shkoj në Tiranë vetëm për të parë mjekun specialist dhe për të marrë rekomandimin e tij, por pjesa tjetër bëhet këtu në Elbasan.”

Testet e përshkruara janë pa pagesë për pacientët e referuar, duke përfshirë ata që nuk janë të siguruar, duke lejuar që të gjithë të kenë qasje në shërbime laboratorike falas në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, kontrata e PPP-së bazohet në performancë, kështu që konsorciumi duhet të përmbushë treguesit e qartë të performancës për shërbime të përkohshme dhe cilësore, si kohën maksimale të kthimit të rezultateve, kontrollet e përditshme të cilësisë dhe akreditimin e një liste testesh kritike. Si rezultat, shqiptarët kanë qasje në shërbime laboratorike të përmirësuara përmes sistemit publik brenda buxhetit të caktuar nga qeveria.

Teknologji dhe Organizim i Avancuar

Ndikimi transformues i shërbimeve laboratorike të përmirësuara nuk mund të nënvlerësohet, veçanërisht duke pasur parasysh se 60-70 për qind e të gjitha vendimeve shëndetësore mbështeten në rezultatet laboratorike. Me shërbime laboratorike të besueshme tani, të disponueshme lehtësisht, ofruesit e kujdesit shëndetësor në Shqipëri mund të ofrojnë trajtime më efektive dhe të synuara, duke përmirësuar rezultatet e pacientëve dhe duke shpëtuar jetë.

Projekti ka përmirësuar zbulimin e sëmundjeve të fëmijëve dhe infeksioneve, thotë Dr. Ermira Kola, një pediatre në Njësinë e Kujdesit Intensiv të Spitalit Pediatrik, i cili është pjesë e Spitalit Universitar Nënë Tereza, “Kryerja e analizave laboratorike në kohë është një nga faktorët më të rëndësishëm prognostik që ndikon në përparimin e një fëmije në gjendje serioze. Izolimi i problemit në kohë dhe përshtatja e terapisë është shumë e lehtë për ne tani që po zbatojmë protokollet bashkëkohore të analizave laboratorike mjekësore.”

Dr. Arjan Harxhi, Shef i Departamentit të Sëmundjeve Infektive dhe Dermatologjisë në Spitalin Universitar Nënë Tereza pajtohet, duke pohuar se “Investimi i ri në laboratorë me sisteme diagnostikuese të reja ka mundësuar një diagnozë shumë të shpejtë të infeksioneve në gjak ose lëngjeve të tjera biologjike si lëngu cerebrospinal.” Ai thotë se këto mjete të reja i lejojnë atë dhe kolegët e tij të zhvillojnë opsione trajtimi më të sakta që parandalojnë përparimin e infeksioneve dhe sëmundjeve.

Një tjetër shtyllë e suksesit të projektit është implementimi i planifikimit të ri strategjik të sistemeve të informacionit (SISP) dhe sistemeve të informacionit laboratorik (LIS), që ndihmojnë në sigurimin që të gjitha spitalet të kenë të dhëna të plota dhe të sakta për testet. Këto sisteme informacioni, përfshirë kontrollet rigoroze të sigurimit të cilësisë, kanë përmirësuar kohën e kthimit të rezultateve të testeve dhe kanë rritur aftësinë e autoriteteve shëndetësore të Shqipërisë për të procesuar dhe ndarë informacionin në mënyrë efikase.

Për Dr. Alma Cani, Drejtore e Përgjithshme e Spitalit Universitar Nënë Tereza në Tiranë, kjo strukturë e re po u mundëson punonjësve të kujdesit shëndetësor të përballojnë një volum më të madh testesh: “Ky projekt jo vetëm që ka përmirësuar cilësinë e shërbimit të ofruar pacientëve, por ka lehtësuar ndjeshëm punën e stafit. Gjatë kësaj periudhe, integrimi i sistemeve SISP dhe LIS është përfunduar gjithashtu, me një ndikim shumë pozitiv në ofrimin e një shërbimi më të mirë.”

Për të rritur ekspertizën klinike të profesionistëve të mjekësisë, konsorciumi Labopharma-Exalab po realizon gjithashtu një plan të gjerë trajnimi për specialistët dhe teknikët e laboratorëve. Ky trajnim, i kryer nga fakulteti i universitetit mjekësor, u mëson të trajnuarve si të operojnë pajisjet e reja, të përdorin sistemin e informacionit laboratorik dhe të ndjekin standardet ndërkombëtare të laboratorëve mjekësorë dhe udhëzimet e sigurisë biologjike të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Si rezultat, qendrat shëndetësore në Shqipëri tani përmbushin për herë të parë standardet e trupave akredituese të njohura ndërkombëtarisht, duke rritur ndjeshëm besimin e pacientëve.

Ndikimi në Komunitet

Për Sabri Gurakuqin, një pacient tjetër në Elbasan, suksesi i këtij PPP-je shërben si një shembull shkëlqyes i fuqisë transformuese të PPP-ve në kujdesin shëndetësor: “Respektoj plotësisht stafin që punon për Rrjetin e Laboratorëve, ata janë heronj. Jam një pacient afatgjatë dhe njoh gjërat nga më parë, kështu që mund të konfirmoj që pajisjet e rrjetit laboratorik janë shumë moderne—teknologjia më e fundit—dhe numri i analizave është shumëfishuar krahasuar me numrin e analizave që bënim më parë.”

Ndërsa Shqipëria vazhdon rrugëtimin e saj drejt një të ardhme më të shëndetshme dhe më të begatë, ndikimi i kësaj PPP-je do të ndihet për brezat që do të vijnë. Dhe ndërsa vendet në mbarë botën përballen me sfida të ngjashme në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, modeli shqiptar ofron njohuri të vlefshme për mënyrën se si bashkëpunimi midis sektorit publik dhe atij privat mund të nxisë rezultate pozitive në shëndetësi./ Marrë nga: International Finance Corporation

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts