Bota

Transformimet Populiste: Si Turqia, Serbia dhe AfD në Gjermani po riformulojnë demokracinë dhe aleancat ndërkombëtare

transformimet populiste si turqia serbia dhe afd ne gjermani po riformulojne demokracine dhe aleancat nderkombetare





































Deal Dervishi

NGA DAEL DERVISHI*

Bota po kalon një transformim të thellë, i shtyrë nga rritja e fenomenit të populizmit, erozioni i aleancave tradicionale, si dhe ndikimi i shumanshëm i rrjeteve sociale. Ndërkohë që liderët populistë marrin role të rëndësishme në të gjithë globin, po sfidohen vetë themelet e demokracisë, duke çuar në një rritje të polarizimit, paqëndrueshmërisë, si dhe një ndjenjë në rritje të pasigurisë për të ardhmen e qeverisjes demokratike.

Rritja e populizmit si një fenomen global

Populizmi, dikur i konsideruar një lëvizje politike margjinale, tani është bërë një forcë dominante në shumë vende të botës. Liderë si Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, Recep Tayyip Erdoğan në Turqi, Aleksandar Vučić në Serbi dhe Alternativa për Gjermaninë (AfD) në Europë, kanë shfrytëzuar fuqinë e retorikës populiste për të fituar apo për të ruajtur pushtetin. Këta liderë ndajnë një strategji të përbashkët: ata paraqiten si zëri i “popullit” kundër një elite të korruptuar, duke përdorur gjuhë përçarëse për të nxitur frikë, zemërim dhe mllef.

Në Turqi, Erdogan ka përdorur me mjeshtëri populizmin për të konsoliduar pushtetin, duke përzier nacionalizmin, konservatorizmin fetar dhe ndjenjën anti-perëndimore për të tërhequr bazën e tij. Tendencat gjithnjë e më autoritare të qeverisë së tij, si shtypja e pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së shtypit, janë tregues të rreziqeve që populizmi mund të sjellë për institucionet demokratike. Së fundmi, kërkesa zyrtare e Erdoganit për të anëtarësuar Turqinë në grupin BRICS – një koalicion i tregjeve në zhvillim që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut – sinjalizon një kthesë të rëndësishme prej aleancave tradicionale perëndimore. Ky veprim thekson dëshirën strategjike të Turqisë për të diversifikuar marrëdhëniet e saj ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet me fuqitë jo-perëndimore. Kjo reflekton një prirje për të sfiduar rendin global të pas Luftës së Dytë Botërore e cila vërehet përgjithësisht midis liderëve populistë.

Në mënyrë të ngjashme, në Serbi, Vuçiç ka gjetur një balancë midis harmonizimit me Bashkimin Evropian dhe ruajtjes së lidhjeve të forta me Rusinë, duke përdorur retorikën populiste për të udhëhequr në atë peizazh të ndërlikuar politik të vendit të tij. Blerja e avionëve Rafale nga Serbia nën presidencën e Aleksandar Vuçiç paraqet një ilustrim të fuqishëm të aktit të ndërlikuar të balancimit midis retorikës populiste dhe politikës pragmatike. Nga njëra anë, Vuçiç u kujdes të ruajë lidhjet tradicionale të Serbisë me Rusinë, me anë të deklaratave të tij, duke shfrytëzuar lidhjet historike dhe kulturore për të tërhequr ndjenjat nacionaliste brenda vendit. Nga ana tjetër, vendimi i tij për të blerë avionë Rafale nga Franca – një anëtare e BE-së dhe NATO-s – nënvizon një lëvizje strategjike për të forcuar lidhjet me fuqitë perëndimore, veçanërisht në kontekstin e aspiratave afatgjata të Serbisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Në fakt, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se vendi i tij nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, edhe pse ai ka lidhur një marrëveshje prej 2.7 miliardë eurosh me presidentin francez Emmanuel Macron për të blerë 12 avionë luftarakë Rafale.

Kjo blerje mund të shihet si një përpjekje e kalkuluar nga ana e Vuçiç për të menaxhuar pozicionin kompleks gjeopolitik të Serbisë. Duke blerë pajisje ushtarake të avancuara nga një shtet perëndimor i rëndësishëm, Vuçiç tregon gatishmëri për t’u angazhuar me Perëndimin, si dhe për të modernizuar kapacitetet mbrojtëse të Serbisë në përputhje me standardet evropiane. Ky veprim ka shumë gjasa të synojë përforcimin e pozitës së Serbisë me shtetet anëtare të BE-së, ndërkohë që i lejon Vuçiçit të ruajë retorikën e tij populiste brenda vendit duke e paraqitur marrëveshjen si një hap të nevojshëm për të mbrojtur sovranitetin dhe sigurinë e kombit të tij në një rajon gjithnjë e më të paqëndrueshëm siç është Ballkani.

Marrëveshja e avionëve Rafale gjithashtu shërben si një kundërpeshë për lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë. Ndërkohë që Vuçiç vazhdon të pohojë se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë — një qëndrim që tërheq fraksionet pro-ruse dhe nacionaliste brenda Serbisë — angazhimi i tij me Francën përmes kësaj marrëveshjeje të rëndësishme armatimi tregon një qasje pragmatike ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo reflekton një strategji të zgjeruar, për ta lënë Serbinë të hapur për aleanca të shumta, duke shmangur mbështetjen e tepruar tek ndonjë fuqi e vetme.

Apeli ndaj populizmit nuk është i kufizuar vetëm në një rajon, siç është Ballkani, apo në ndonjë ideologji të veçantë. Në Gjermani për shembull, fitorja e AfD-së në Thuringia dhe Saksoni sinjalizon një ndryshim të rëndësishëm në politikën evropiane. AfD, e karakterizuar nga pozicioni i saj kundër emigracionit, si dhe skepticizmit ndaj integrimit evropian, ka përfituar nga pakënaqësia në rritje kundër establishmentit politik, veçanërisht në rajonet që ishin pjesë e ish-Gjermanisë Lindore. Ky sukses mbetet në veçanti i rëndësishëm edhe për shkak të dinamikave unike historike, ekonomike dhe kulturore të këtyre zonave. Pas ribashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, landet e ish-Gjermanisë Lindore përjetuan sfida të mëdha ekonomike, përfshirë këtu normat e larta të papunësisë, zhvillimin më të ngadaltë ekonomik, si dhe një ndjenjë të përgjithshme të mbetjes pas, në krahasim me landet më të pasura perëndimore të vendit.

Këto pabarazi kanë kontribuar në një ndjenjë zhgënjimi dhe frustrimi tek popullsia e këtyre zonave, duke i bërë këto një terren të frytshëm për partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë siç është AfD. Qëndrimi anti-emigracion i partisë, skepticizmi ndaj integrimit evropian dhe fokusi tek sovraniteti kombëtar, jehojnë fort në këto lande, ku ekziston një perceptim se përfitimet nga globalizimi dhe ribashkimi nuk janë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Kjo ndjenjë e të qenit të anashkaluar ose të margjinalizuar nga qeveria qendrore dhe nga partitë tradicionale politike ka bërë që shumë votues në ish-Gjermaninë Lindore të mbështesin AfD-në si një formë proteste kundër establishmentit politik.

Edhe në këtë rast, suksesi i AfD-së reflekton prirjen e përgjithshme të partive populiste që fitojnë terren në të gjithë Evropën, të shtyra nga pabarazitë ekonomike, ankthet kulturore, si dhe një ndjenjë, e perceptuar, e shkëputjes së qytetarëve nga qeveritë të tyre.

Erozioni i Normave Demokratike

Rritja e populizmit paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për normat dhe institucionet demokratike. Liderët populistë shpesh dobësojnë check and balance (kontrollin dhe ekuilibrin) që janë thelbësore për demokracinë, duke përqendruar pushtetin tek ekzekutivi dhe duke dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe shtypit. Duke vepruar kështu, ata dëmtojnë sundimin e ligjit dhe krijojnë mjedise ku mospajtimi mbytet dhe kundërshtarët politikë margjinalizohen. Këto veprime i ndihmojnë ata të konsolidojnë dhe mbajnë autoritetin e tyre. Duke dobësuar këto kontrolle dhe balanca, ata mund të anashkalojnë ndalesat ligjore, të shtyjnë përpara politika polemizuese, si dhe të mbajnë fort kapjen e pushtetit. Kjo strategji i ndihmon ata të përdorin narrativën se po luftojnë për “popullin” kundër një elite të korruptuar, ndërsa margjinalizojnë mospajtimin, si dhe dëmtojnë rregullat demokratike, duke u orientuar drejt një stili kapje të qeverisës më autoritar.

Turqia e Erdoganit është një shembull i kësaj prirjeje. Duke përqendruar pushtetin dhe kufizuar liritë, Erdogani ka krijuar një sistem politik që është gjithnjë e më autoritar, duke dëmtuar institucionet demokratike që dikur shërbenin si një kontroll ndaj autoritetit të tij. Ky model nuk është unik vetëm për Turqinë; modele të ngjashme mund të vërehen edhe në qeveritë e tjera të udhëhequra nga populistët, ku kthimi prapa i demokracisë është bërë një shqetësim i madh.

Në Evrope, ngritja e populizmit po sfidon kohezionin e Bashkimit Evropian dhe po kërcënon stabilitetin e kontinentit. Suksesi i AfD-së në Thuringia dhe Saksoni është një kujtesë e fortë për brishtësinë e demokracisë, veçanërisht në rajonet me një histori autoritarizmi. Ndërkohë që partitë populiste fitojnë ndikim, ato prishin rendin tradicional politik, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për qeveritë të adresojnë sfidat komplekse të botës moderne.

Roli i Mediave Sociale, një shpatë me dy tehe

Mediat sociale kanë luajtur një rol kyç në rritjen e populizmit, duke ofruar një platformë për liderët populistë që të përhapin mesazhin e tyre dhe të lidhen direkt me mbështetësit. Këto platforma lejojnë liderët të anashkalojnë mediat tradicionale dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me audiencën e tyre, shpesh duke përdorur gjuhë emocionalisht të ngarkuar për të galvanizuar bazën e tyre. Algoritmet që përdoren nga platformat e mediave sociale janë të dizajnuara për të maksimizuar angazhimin, që shpesh do të thotë amplifikim i përmbajtjeve që ngjallin reagime të forta emocionale, si zemërim, frikë dhe indinjatë.

Studime të ndryshme kanë treguar se liderët populistë janë veçanërisht të aftë në përdorimin e mediave sociale për të manipuluar emocionet publike. Duke krijuar mesazhe që shfrytëzojnë ankesat dhe shqetësimet ekzistuese, ata mund të krijojnë një ndjenjë urgjence dhe të mobilizojnë mbështetësit për veprim. Kjo strategji jo vetëm që i ndihmon ata të fitojnë pushtetin, por gjithashtu garanton edhe ndikimin e tyre pas fitores, pasi ata vazhdojnë të nxisin përçarje dhe zemërim për të ruajtur bazën e tyre.

Pra, përdorimi i mediave sociale nga liderët populistë paraqet gjithashtu rreziqe të konsiderueshme për demokracinë. Kështu që, përhapja e dezinformatave, rritja e grupeve të mendimit të njëanshëm, si dhe erozioni i besimit në mediat tradicionale kontribuojnë në dobësimin e normave demokratike. Ndërkohë që qytetarët bëhen më të polarizuar, aftësia për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe për të gjetur pika të përbashkëta zvogëlohet, duke çuar në një peizazh politik më të përçarë dhe të paqëndrueshëm.

Shkaqet themelore të apelit ndaj Populizmit

Rritja e populizmit mund të gjendet tek disa faktorë themelorë. Pabarazia ekonomike, pasiguria në punë, si dhe erozioni i klasës së mesme kanë ushqyer një pakënaqësi të përgjithshme. Globalizimi dhe përparimet teknologjike, ndonëse të dobishme për shumicën, kanë lënë segmente të konsiderueshme të popullsisë të ndihen të margjinalizuar dhe të shkëputur nga përfitimet e një ekonomie të globalizuar. Liderët populistë shfrytëzojnë këtë pakënaqësi duke premtuar të rikthejnë prosperitetin e humbur përmes politikave proteksioniste ose nacionaliste.

Ankthi kulturor i identitetit, veçanërisht rreth çështjeve si emigracioni dhe identiteti kombëtar, kanë kontribuar gjithashtu në valën populiste. Ndërkohë që shoqëritë bëhen më të larmishme, frika e humbjes së vlerave tradicionale si dhe tretja kulturore ka shtyrë votuesit drejt liderëve që premtojnë të mbrojnë kombin nga ndikimet e jashtme. Kjo retorikë shpesh jehon më fort në rajone me identitete të forta historike dhe një ndjenjë trashëgimie kulturore nën kërcënim. Për shembull, siç e thamë, në ish-Gjermaninë Lindore, AfD ka përfituar nga pabarazitë ekonomike dhe shqetësimi kulturor që buron nga ribashkimi i Gjermanisë. Shumë banorë ndjejnë se identiteti i tyre i veçantë i Gjermanisë Lindore po mbivendoset nga Perëndimi më i prosperuar dhe dominues politikisht, duke i shtyrë ata drejt një ndjenje të shkëputjes. Në mënyrë të ngjashme, në Serbi, Aleksandar Vuçiç përdor retorikën nacionaliste për t’u drejtuar atyre që ndihen se lidhjet historike dhe kulturore të Serbisë me Rusinë janë të kërcënuara nga ndikimet perëndimore. Në Turqi, Presidenti Erdogan shfrytëzon frikën e rrënjosur thellë ndaj ndërhyrjes perëndimore dhe humbjes së identitetit kulturor islamik për të mbledhur mbështetje për politikat e tij autoritare, veçanërisht kur ai kërkon të harmonizojë Turqinë me fuqi jo-perëndimore si grupi BRICS.

Pra, erozioni i besimit në institucionet tradicionale politike ka krijuar terren të përshtatshëm për lëvizjet populiste. Skandalet, korrupsionet dhe perceptimet për paaftësinë e politikanëve për të adresuar nevojat e qytetarëve kanë çuar në një skepticizëm të gjerë për aftësinë e tyre. Liderët populistë, duke u paraqitur si të jashtëm, të paprekur nga sistemi, ofrojnë një alternativë tërheqëse ndaj status quo-së, edhe nëse zgjidhjet që ata propozojnë janë tepër të thjeshtëzuara apo jorealiste.

Bota që ndryshon dhe e ardhmja e demokracisë

Bota është në një udhëkryq. Rritja e populizmit, erozioni i normave demokratike dhe ndikimi i gjithanshëm i mediave sociale po riformulojnë peizazhin politik global. Liderët populistë vazhdojnë të fitojnë pushtet dhe e ardhmja e demokracisë është në ekuilibër. Sfida për shoqëritë demokratike është të rezistojë ndaj tërheqjes së populizmit dhe të ripohojë vlerat e gjithë përfshirjes, bashkëpunimit dhe respektimit të sundimit të ligjit.

Shikojmë shpesh që liderët populistë admirojnë dhe mbështesin politikën e Kremlinit. Kjo ndodh për disa arsye që përputhen me strategjitë dhe ideologjitë e tyre politike.

Së pari, retorika e Kremlinit mbi një udhëheqje të fortë, të centralizuar, rezonon me populistët që favorizojnë përqendrimin e pushtetit në duart e një lideri të vetëm. Modeli i qeverisjes së Vladimir Putin, i cili i jep përparësi kontrollit shtetëror mbi institucionet kryesore si media, gjyqësori dhe forcat e sigurisë, ofron një mundësi për populistët që kërkojnë të anashkalojnë kontrollin dhe ekuilibrin demokratik.

Së dyti, retorika nacionaliste e Kremlinit dhe mbrojtja e vlerave tradicionale i tërheqin liderët populistë që shpesh pozicionohen si mbrojtës të sovranitetit kombëtar dhe identitetit kulturor kundër forcave globaliste dhe liberale. Promovimi i politikave sociale konservatore nga Putin, kundërshtimi i liberalizmit perëndimor, si dhe theksi mbi krishtërimin ortodoks përputhen me qëndrimet kulturore dhe ideologjike të shumë lëvizjeve populiste në Evropë dhe më gjerë.

Për më tepër, politika e jashtme e Kremlinit, veçanërisht kundërshtimi i tij ndaj dominimit perëndimor dhe zgjerimit të NATO-s, është tërheqëse për populistët që paraqiten si skeptikë ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe marrëveshjeve shumëpalëshe. Duke u rreshtuar me Moskën, këta liderë mund të sinjalizojnë rezistencën e tyre ndaj asaj që ata e perceptojnë si hegjemoni dhe ndërhyrje perëndimore në punët e tyre të brendshme. Ky rreshtim gjithashtu u lejon atyre të paraqiten si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë globale që sfidon rendin ndërkombëtar ekzistues.

Pra, mbështetja nga Kremlini mund t’u ofrojë liderëve populistë përfitime praktike, si ndihmë financiare, mbështetje mediatike ose përkrahje politike. Kjo u bë e dukshme edhe në rastet si ato të mbështetjes së pretenduar ruse për partitë e djathta ekstreme në Evropë, përfshirë këtu ndihmën financiare, si dhe përpjekjet propagandistike që synonin përmirësimet e perspektivave të tyre elektorale.

Demokracitë duhet të evidentojnë dhe adresojnë shkaqet themelore të pakënaqësisë populiste, siç është pabarazia ekonomike dhe  i ashtuquajturi, ankthi kulturor i identitetit, duke mbrojtur ndërkohë parimet që prej kohësh janë themeli i shoqërive të lira dhe të hapura. Në këtë botë gjithnjë e më të ndërlidhur, e ardhmja e demokracisë varet nga aftësia e mbrojtësve të saj për t’u përshtatur me sfidat e reja dhe për të krijuar një rrugë përpara që të jetë njëkohësisht gjithëpërfshirëse, por edhe e qëndrueshme.

*Dael Dervishi, PhD Shef i Departamentit të së Drejtës Publike dhe Shefi i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Pedagog i të Drejtën Administrative,  pranë Universitetit Luarasi. Ai është edhe një bashkëpunëtor pranë McCain Institute for International Leadership, USA.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts