Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar sot nga detyra Prokurorin e Korçës, Dashnor Nure, pasi nuk kaloi procesin e vettingut.
Nures iu kalua barrë prove në lidhje me adresat e banimit dhe dy banesave nga të afërmit, në të cilat ai kishte jetuar.
Po ashtu atij iu gjetën pamundësi financiare në disa vite, por Nure i kundërshtoi gjetjet dhe pretendoi se ato ishin virtuale dhe jo realiteti.
Procesi i vetingut për Nuren u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm, Gerrit Sprenger.
Dashnor Nure e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 si prokuror në Prokurorinë e Kolonjës. Prej vitit 2007, ai ushtronte funksionin në Prokurorinë e Rrethit Korçë.
Prokurori Nure ka blerë një automjet në vitin 2004 për shumën 404 mijë lekë. Pine tha se nga hetimi i KPK ka rezultuar se shitësi e kishte blerë pak kohë më parë për 5300 euro. Nisur nga ky fakt, si dhe për arsye se në kontratën e shitblerjes nuk ishte evidentuar ndonjë defekt i mjetit, KPK ka konsideruar në analizë si çmimin 5300 euro me të cilin e kishte blerë shitësi, si dhe shpenzimet doganore, në vlerën totale rreth 900 mijë lekë.
Pine shpjegoi se në analizën financiare të KPK nuk janë konsideruar të ardhurat nga shitja e një mjeti të mëparshëm, pasi pretendimi ka mbetur deklarativ. Po ashtu, nuk është përfshirë një kredi që është disbursuar dy muaj pasi është blerë makina.
Sipas KPK, ka dyshime se subjekti ka kryer veprime për të fshehur çmimin real të makinës. Nure ka deklaruar në vitin 2004 dhe një gjendje cash në shumën 900 mijë lekë, që së bashku me shpenzimet e kryera për blerjen e mjetit dhe ato jetike, kanë sjellë një bilanc negativ në shumën 302 mijë lekë.
Po ashtu, është konstatuar mospëpruthje në deklarimin e gjendjes cash, pasi në deklaratën veting është shënuar shuma 650 mijë lekë, megjithëse prej 2004-ës nuk është deklaruar asnjë ndryshim i vlerës 900 mijë lekë.
Sipas KPK, Nure nuk ka pasur mundësi të shlyejë një overdraft. Nisur dhe nga fakti se subjekti nuk ka deklaruar zotërimin e ndonjë pasurie të paluajtshme, Komisioni ka hetuar për adresat e banimit.
Gjatë hetimit në Komision, ai ka deklaruar se për vitet 2000-2007 kur ka punuar në Eresekë, ka jetuar tek motra. Ndërdsa në ILDKPKI ka deklaruar se për këtë periudhë ka jetuar me qira dhe se nuk e njeh qiradhënësin.
Pine vërejti se ka mospëruthje në këto deklarime të subjektit.
Për periudhën në vijim, ai ka deklaruar se ka jetuar në shtëpinë e motrës dhe të vëllezërve në qytetin e Korçës. Komisioni ka hetuar burimet e krijimit të banesës dy kate të vëllezërve në Korçë, nga ka rezultuar se e kanë blerë truallin në vitin 1998, ndërkohë që vetëdeklarimi i ndërtimit të objektit është kryer po prej tyre.
Nure ka deklaruar se vëllezërit e kanë ndërtuar banesën me të ardhurat nga emigracioni dhe nga familja bujqësore. Ai ka deklaruar se nuk mund të përcaktojë shpenzimet. Komisioni konstatoi pamundësi të vëllezërve në vlerën 6 milionë lekë, për ndërtimin e banesës.
Për apartamentin e motrës, subjekti ka shpjguar se të ardhurat janë krijuar prej familjes së saj nga puna në Greqi.
Komisioni konstaton se shpjegimet e subjektit lidhur me adresat e banimit janë kontradiktore, ndërkohë që nuk dihet shkaku përse janë deklaruar në këtë mënyrë. Nga analiza financiare paraprake për periudhën 1993-2002 ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 3.2 milionë lekë, ndërsa për vitet 2003-2016, pamundësi rreth 1 milion lekë.
Prokurori Dashnor Nure paraqiti shpjegime të përmbledhura duke nënvizuar se u qëndronte atyre me shkrim. Ai deklaroi se mendonte se bilancet negative janë thjesht virtuale dhe jo realitet. Ai theksoi se padrejtësisht i ishte ngarkuar shtëpia e vëllezërve, megjithëse nuk kishte lidhje.
I pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me vendbanimet e tij, subjekti shpjegoi se ishte ndarë nga trungu familjar prej vitit 1991. Ai tha se në Korçë ishte transferuar pasi ishte mbyllur Gjykata e Kolonjës. Nure argumentoi se nuk mund të kishte lidhje me banesat e familjarëve, pasi mund ta kishin transferuar në një tjetër rreth, ku familjarët nuk kishin prona të paluajtshme.
Sipas subjektit, prokurori deri në vitin 2018 kishte një pagë modeste, rreth 100 mijë lekë në muaj dhe ishte e pamundur për të krijuar pasuri të paluajtshme me ato të ardhura. Sipas tij, pas vitit 2018 paga thuajse është trefishuar dhe se me këto të ardhura mund të blihet shtëpi.
Në relatimin e kryer për figurën dhe profesionalizmin, u evidentuan gjetjet për tre çështje. Për një rast, subjektit i janë kërkuar shpjegime për klasifikimin e një vepre penale, ndërsa për një tjetër dosje është pyetur se si e ka marrë për hetim pa short dhe se si ka marrë pjesë në seancë gjyqësore në të njëjtën ditë që është dhënë autorizimi. Lidhur me një denoncim nga publiku, u konstatua se duket se Nure nuk ka vepruar bazuar në Kodin e Porcedurës penale, ku parashikohet detyrimi për ndjekjen penale, shkruan Reporter.al.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co