Senati italian ka miratuar përfundimisht marrëveshjen me Shqipërinë, e cila parashikon krijimin e dy qendrave të mbyllura për emigrantët e parregullt.
Qendrat do të krijohen në një zonë të Shqipërisë së Veriut, me një kapacitet deri në 3000 persona. Sipas parashikimeve të protokollit të bashkëpunimit italo-shqiptar, në këto dy struktura do të transferohen emigrantët e parregullt të shpëtuar nga roja bregdetare, dhe do të dërgohen në këto qendra, ku do të mund të aplikojnë për azil në Itali dhe të presin përgjigje përkatëse.
Peshkopi katolik Giancarlo Perego, president i fondacionit “Migrantes” , i cili ofron mbështetje për emigrantët dhe refugjatët, shprehu kundërshtimin e tij të fortë ndaj marrëveshjes.
“Edhe një herë vërtetohet se nuk ka kapacitet për të krijuar një sistem pritjeje të zgjeruar në Itali”, theksoi kleriku katolik, duke shtuar se paratë e miratuara për protokollin e bashkëpunimit me Shqipërinë, 673 milionë euro, “në fakt po hidhen në det”.
Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani u përgjigj se “nuk janë paratë që hidhen në det, por një shumë që shpenzohet siç duhet, me synimin për të trajtuar emigracionin së bashku me një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian”.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co