Analiza e VOA: Afrimi i datës së zgjedhjeve presidenciale në SHBA, shton akthin dhe pasigurinë për Ukrainën

analiza e voa afrimi i dates se zgjedhjeve presidenciale ne shba shton akthin dhe pasigurine per ukrainen





































Shumë ukrainas shpresojnë se rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara do të ndihmojë në përfundimin e luftës me Rusinë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova disa shqetësohen se kandidati republikan për president, Donald Trump do të ketë një qasje më të butë ndaj Moskës.

ukraine

Të tjerë, janë të shqetësuar se sipas politikave të kandidates demokrate për president Kamala Harris, ndihma, megjithëse vlerësohet e rëndësishme, do të jetë e ngadaltë.

Në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe gjetkë në Ukrainë, njerëzit janë të shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe se si kjo do të ndikojë në atdheun e tyre.

Disa banorë, si Anhelina mbesin me shpresë.

“Pres që presidenti i ardhshëm do të na ndihmojë ne, politikën dhe veprimet tona ushtarake”, thotë ajo.

Banorë të tjerë si Dmytro, janë të shqetësuar.

“Pyes vetën se kush do të fitojë dhe në përgjithësi çfarë politikash do të kenë ndaj vendit tonë. I lutem zotit që t’i nxisë të dy të na mbështesin”, thotë Dmytro.

Frika më e madhe është se administrata e re amerikane do t’i japë fund mbështetjes dhe do ta braktisë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, thotë analisti politik, Mykola Davydiuk.

“Kostoja e shndërrimit të një vendi dikur demokratik në një autokraci është miliona vdekje. Kjo është ajo nga e cila ka frikë vendi”, thotë Davydiuk.

Pas dy vjet e gjysmë luftë, një faktor kyç që nxit shqetësimin e ukrainasve është pasiguria e asaj që do të vijë nga administrata e re në Shtëpinë e Bardhë.

Ish Presidenti Donald Trump zotohet se do t’i japë fund luftës shpejt dhe shumë kanë frikë se kjo do të thotë se Ukraina do të detyrohet të bëjë shumë lëshime, nëse ai kthehet në detyrë.

Në të njëjtën kohë, ukrainasit kujtojnë se Trump, kur ishte president, miratoi shitjen e sistemeve antitank ‘Javelin’ që ndihmuan Ukrainën të përballonte sulmin në fillimin e agresionit të Moskës.

Administrata e Presidentit Obama e kishte refuzuar kërkesën e Ukrainës për ato armë në vitin 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe pjesën më të madhe të rajonit të Donetskut, në Ukrainën lindore.

Por qëndrimet e ukrainasve janë të përziera. Disa, si Svitlana, kanë frikë nga një fitore e zotit Trump.

Trump-i është një njeri i çuditshëm dhe ka mendime mjaft të çuditshme”, thotë ajo.

Të tjerët, si Ivani, ndjejnë siguri duke u mbështetur te pervoja e kaluar.

“Trump-i ka qënë president, metodat e tij janë të njohura dhe nuk mendoj se ka gjë për t’u frikësuar”, thotë Ivani.

Administrata e Presidentit Biden ka qenë bujare me Ukrainën, duke shpenzuar 175 miliardë dollarë për ta mbështetur atë që nga fillimi i agresionit rus. Por, ka zhgënjim midis udhëheqësve të Ukrainës, të cilët thonë se ndihma ka qenë e ngadaltë.

“Ushtria ruse tani po përpiqet të përfitojë nga situata kur ne presim furnizime nga partnerët tanë, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pikërisht kjo është arsyeja pse shpejtësia e dërgesave nënkupton stabilizimin e fushëbetejës”, thotë Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky.

Analistët thonë se nëse fiton zgjedhjet, politikat e Nënpresidentes Kamala Harris ka të ngjarë të jenë si ato të Presidentit Biden. Perspektiva e vazhdimësisë së ndihmave është qetësuese për disa.

Kjo i shqetëson të tjerët se lufta mund të zvarritet.

Një sondazh nga organizata ‘Razumkov’ në Kiev tregon se 44% e ukrainasve mendojnë se Ukraina dhe Rusia duhet të fillojnë negociatat e paqes së shpejti, por shumica e të anketuarve i shohin kushtet e Presidentit rus Vladimir Putin si të papranueshme.

Me rritjen e lodhjes mes mbështetësve kryesorë të Ukrainës në Evropë, shumë njerëz në Ukrainë i shohin zgjedhjet amerikane si një mjet shpëtimi më shumë se kurrë, megjithëse kjo nuk është plotësisht e sigurt./voa

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →