Koreja e Veriut ka shkrepur shumë raketa balistike, me rreze të shkurtra veprimi, pranë bregdetit të saj lindor të enjten, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut. Ky ishte testimi i parë raketor i Veriut pas më shumë se dy muajve dhe u krye vetëm pak ditë pasi lideri verikorean Kim Jong Un u zotua për ta rritur arsenalin bërthamor.
Raketat u lëshuan nga Peniani dhe fluturuan rreth 360 kilometra para se të binin në det, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë jugkoreane, pa treguar sa sosh u shkrepën saktësisht. “Ne e dënojmë fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut, sepse ky është provokim i qartë që e kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin në Gadishullin Korean”, tha ai në një komunikatë.
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë tha se së paku dy raketa balistike nga Koreja e Veriut fluturuan më gjatë se 350 kilometra në një lartësi prej 100 kilometrash.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, i cili e vizitoi Seulin javën e kaluar për të rikonfirmuar marrëdhëniet me Korenë e Jugut para se të japë dorëheqje nga posti, tha se Tokio e dënon fuqishëm lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.
“Ne po vazhdojmë përpjekjet tona të mëdha për vëzhgim, si dhe për bashkëpunim me SHBA-në dhe Korenë e Jugut”, tha Kishida.
Të dërguarit e posaçëm të Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-së për armët bërthamore biseduan përmes telefonit dhe thanë se lëshimi i raketave nga Veriu është shkelje e rezolutave të OKB-së, tha Ministria e Jashtme jugkoreane.
Ata, gjithashtu, u zotuan se do të përgjigjen ndaj çdo provokimi nga Koreja e Veriut. Hera e fundit kur Koreja e Veriut kishte shkrepur një raketë ishte 1 korriku, kur tha se me sukses e testoi një raketë të re balistike dhe taktike. Lëshimi i raketave të enjten u bë vetëm pak ditë pasi lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u zotua se do të prodhojë “seç herë e më shumë” armë bërthamore dhe se do të sigurohet që ato të jenë të gatshme për përdorim “në çdo kohë”.
Koreja e Veriut përballet edhe me akuza se e furnizon Rusinë me armë, përfshirë me dronë dhe me raketa balistike për luftën e saj në Ukrainë. Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera e analistë thonë se Kimi po e ndihmon Rusinë në luftë duke i dhënë raketa në këmbim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake. Moska dhe Peniani i kanë mohuar akuzat, por janë zotuar se do ta forcojë bashkëpunimin ushtarak./Rel/
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co