Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka reaguar lidhur me vendimin e Serbisë e cila rkththeu shërbimin ushtarak me detyrim.
Sipas Sinanit, ky është një vendim i cili rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon, teksa shton se kanë kaluar gati 30 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të denjë për politikat diskriminuese të Beogradit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sinani shprehet se Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione. Rajoni ka nevojë për përparim, jo për konflikte të reja.
Postimi i plotë:
”Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Serbi rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon
Kanë kaluar gati 30 vjet nga shpërbërja e Jugosllavisë, por shqiptarët e Luginës së Preshevës ende mbeten të denjë për politikat diskriminuese të Beogradit.
Në vitet ’90, kur regjimi i Millosheviqit synonte shtypjen dhe persekutimin e shqiptarëve, të rinjtë tanë u detyruan të largoheshin masivisht për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak dhe represionit.
Sot historia rrezikon të përsëritet!
Kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të sjellë sërish shpërngulje masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës.
Djemtë tanë, sapo mbushin 18 vjeç, detyrohen të largohen për të mos shërbyer në një ushtri që nuk i përfaqëson, në një shtet që i diskriminon vazhdimisht.
Serbia nuk përballet me asnjë kërcënim nga fqinjët e saj! Në vend të kësaj, ngjarjet e fundit të 24 shtatorit në Banjskë na treguan se derisa flitet për paqe në Bruksel, Serbia planifikon të destabilizojë dhe aneksojë veriun e Kosovës.
Kërcënimi real për paqen dhe stabilitetin e rajonit vjen pikërisht nga vetë Serbia!
Rajoni ynë ka nevojë për paqe, zhvillim dhe një të ardhme të sigurt për të rinjtë tanë. Por, për fat të keq, Serbia e Vuçiqit vazhdon të tregojë se nuk ka vullnet për normalizim dhe stabilitet.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës duan paqe, jo tensione! Rajoni ka nevojë për përparim, jo për konflikte të reja”, shkruan Sinani.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co