Sfidat e politikës së jashtme evropiane

sfidat e politikes se jashtme evropiane





































NGA BESIM MULAJ Besim Mulaj-ok

Që nga krijimi i tij, Bashkimi Evropian (BE) ka bërë përparime të mëdha në konsolidimin e rolit të tij si një aktor i rëndësishëm global. Megjithatë, një nga sfidat më të vështira mbetet vështirësia për të krijuar një politikë të përbashkët të jashtme. Ndërsa shtetet anëtare vazhdojnë të mbrojnë interesat e tyre kombëtare, përpjekjet për të krijuar një unitet kolektiv, që do t’i mundësonte BEsë të luante një rol më të madh në arenën ndërkombëtare, përballen me vështirësi të vazhdueshme.

Politika e jashtme e BE-së, megjithëse e mbushur me ambicie të mëdha, vijon të përballet me tensione të brendshme dhe është shpesh e bllokuar nga interesat kombëtare të ndryshme. Siç ka theksuar Andrew Moravcsik në veprën e tij “The Choice for Europe” (Zgjedhja për Evropën), ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe i integrimit evropian, shtetet anëtare vazhdojnë të jenë aktorët kyç në vendimmarrje. Ai thekson se “integrimi evropian nuk është një projekt që tejkalon sovranitetin, por një proces ndërqeveritar ku shtetet anëtare synojnë të maksimizojnë interesat e tyre kombëtare”.

Interesat e shteteve anëtare shpesh e vështirësojnë BE-në të arrijë të marrë vendime të përbashkëta në politikën e jashtme, pasi rregulli i unanimitetit u jep shteteve të drejtën e vetos. Si rezultat, një vend si Hungaria mund të bllokojë vendime të rëndësishme, edhe kur shumica janë dakord. E njëjta logjikë zbatohet edhe në politikat e zgjerimit, ku një shtet i vogël mund të frenojë pranimin e vendeve të reja për shkak të interesave të tij, pavarësisht mbështetjes së gjerë nga të tjerët. Kjo e drejtë vetoje shpesh bllokon procese kyçe, duke penguar interesat strategjike të Unionit. Kjo situatë u shfaq gjatë luftës në Ukrainë. BE-ja arriti të bashkohej për të vendosur sanksione kundër Rusisë, falë një përputhjeje të rrallë të prioriteteve gjeopolitike të shteteve anëtare.

Por, siç ka përmendur Ulrich Beck në veprat e tij për kozmopolitizimin, ky lloj unanimiteti është shpesh i përkohshëm: “Evropa përballet me kompleksitetin e një ndërvarësie kozmopolite, ku interesat kombëtare duhet të bashkëjetojnë me angazhimet mbikombëtare” (La Cosmopolitisation). Kjo nënkupton se, edhe pse mund të arrihet konsensus në situata krize, ndasitë e thella shfaqen sërish shumë shpejt. Që Evropa të luajë një rol në skenën botërore, disa intelektualë evropianë, si Jürgen Habermas, bëjnë thirrje për një integrim më të madh politik, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme dhe mbrojtjes. Në librin e tij “Kushtetuta e Evropës”, Habermas argumenton se, “Evropa duhet të kapërcejë pabarazinë midis integrimit ekonomik dhe fragmentimit politik” dhe se, pa një bashkim të vërtetë politik, Evropa do të mbetet një aktor dytësor në çështjet globale. Ai gjithashtu thekson se BE-ja ka nevojë për një Kushtetutë të fortë politike për të bashkuar shtetet anëtare nën një kornizë të përbashkët dhe efektive. Megjithatë, ky ideal i një “Evrope-të-fortë” përballet me realitete politike.

Në praktikë, secili shtet anëtar ka prioritetet e veta në politikën e jashtme, të cilat shpesh formësohen nga faktorë historikë dhe gjeografikë. Për shembull, Gjermania është më e rezervuar në marrjen e qëndrimeve të ashpra për shkak të historisë së saj, ndërsa vende si Polonia dhe Hungaria, që ndodhen afër Rusisë, priren të favorizojnë politika më konfrontuese ndaj Rusisë. Zaki Laïdi, politolog francez, përshkruan këtë kontradiktë në librin e tij Norma pa forcë: “Evropa është një fuqi normative, por i mungon një strategji e qartë për të projektuar fuqinë e saj. Ajo është e fortë në krijimin e normave dhe vlerave, por e dobët kur bëhet fjalë për marrjen e vendimeve gjeopolitike të guximshme”.

Sipas Laïdi, BE-ja shkëlqen në krijimin e rregullave dhe standardeve globale, por kur bëhet fjalë për vendime strategjike, shpesh është e paralizuar nga ndarjet e brendshme. Një zgjidhje e propozuar shpesh për të kapërcyer këtë ngërç është zëvendësimi i unanimitetit me votimin me shumicë të kualifikuar për vendimet e politikës së jashtme. Kjo do t’i lejonte BE-së të vepronte më shpejt dhe të anashkalonte vetot individuale që shpesh bllokojnë veprimin kolektiv. Sidoqoftë, kjo reformë përballet me kundërshtimin e disa shteteve anëtare, duke përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Italinë, të cilat kanë frikë se do të humbasin ndikimin e tyre dhe se do të detyrohen të zbatojnë vendime që bien ndesh me interesat e tyre.

Simon Hix, një njohës i politikës evropiane, ka trajtuar këtë çështje në librin e tij “Çfarë nuk shkon me Bashkimin Evropian dhe si ta rregullojmë”. Ai thekson se “reforma e sistemit të votimit është kyçe për të siguruar që BE-ja të mund të veprojë në mënyrë efikase në një botë gjithnjë e më të ndarë”. Megjithatë, ai paralajmëron se kjo kërkon një kompromis të kujdesshëm ndërmjet fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla anëtare. Pa një reformë të tillë, Hix argumenton se Bashkimi Evropian do të mbetet i ndarë dhe me një ndikim të kufizuar në skenën globale. Me emërimin e mundshëm të Kaja Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, si Përfaqësuese e Lartë për Çështjet e Jashtme të BE-së, disa analistë presin një ndryshim të drejtimit. Duke ardhur nga një vend kufitar me Rusinë, Kallas sjell me vete një vizion të qartë strategjik për rolin e Evropës në arenën globale, sidomos përballë kërcënimeve të regjimeve autoritare.

Siç ka vërejtur Steven Everts në analizat e tij mbi politikën e jashtme të BE-së, “suksesi i politikës së jashtme të Bashkimit varet nga aftësia për të arritur një balancë midis interesave kombëtare dhe objektivave kolektive”. Kallas mund të jetë një nga udhëheqëset e pakta që ka potencialin të harmonizojë këto dy qasje. Megjithatë, edhe me një vizion të qartë, sfida përpara Kallas mbetet jashtëzakonisht e madhe. Divergjencat mes shteteve anëtare janë të rrënjosura dhe nuk do të kapërcehen lehtë. Pa një reformë të sistemit të votimit apo një përafrimi strategjik midis 27 vendeve anëtare, gjasat për të arritur një politikë të jashtme të përbashkët dhe koherente janë të vogla. Bashkimi Evropian gjendet sot në një moment kritik për të ardhmen e tij. Tensionet mes sovraniteteve kombëtare dhe nevojës për një unitet të fortë kolektiv e kufizojnë aftësinë e BE-së për të vepruar në mënyrë efektive në arenën globale.

Pa një reformë të mekanizmave të vendimmarrjes, BE-ja rrezikon të qëndrojë në pasiguri dhe të përballet me vështirësi në trajtimin e sfidave gjeopolitike. Siç theksojnë analistët si Ulrich Beck, Jürgen Habermas dhe Zaki Laïdi, është thelbësore që BE-ja të gjejë një ekuilibër të kujdesshëm mes interesave kombëtare dhe unitetit kolektiv. Pa këtë balancë, Bashkimi Evropian mund të mbetet një fuqi kryesisht normative, pa arritur të shfaqet si një aktor me ndikim të vërtetë gjeopolitik në skenën ndërkombëtare.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →