Bota Kuriozitete

Tubacione gjigante poshtë tokës, kalon me sukses prova e parë e transportit të së ardhmes! Udhëtarët do të përdorin vagona në formë kapsulash

tubacione gjigante poshte tokes kalon me sukses prova e pare e transportit te se ardhmes udhetaret do te perdorin vagona ne forme kapsulash





































Vite më parë, miliarderi Elon Musk prezantoi një mënyrë të re transporti përmes tubacioneve gjigande poshtë tokës, të quajtur Hyperloop. Vagona në formë kapsulash do të përdorin trysninë e ajrit për të udhëtuar me shpejtësi nëpër tubat nëntokësorë. Së fundmi, kjo formë e re e transporti masiv ka shënuar një sukses të ri. Kompania e cila po përdor këtë teknologji në Holandë njoftoi kryerjen me sukses të provës për këtë sistem të ri transporti.

Capture

A mund të jetë ky mjeti i transportit të së ardhmes? Udhëtarë që përdorin vagona në formë kapsulash, që lëvizin me shpejtësi në fusha magnetike përmes tubave.

Kompania “Hardt” thotë se ka hedhur një hap përpara për ta bërë këtë ide një realitet.

“Sot, në testin e parë të suksesshëm, ishim në gjendje të nisnim mjetin, të ndiznim sistemin e drejtimit dhe atë të shtytjes”, shpjegon Marinus van der Meijs, drejtor i Teknologjisë dhe Inxhinierisë në kompaninë Hardt.

Ky sistem përbëhet nga një seri kabinash që lëvizin pezull në ajrin brenda një tubacioni.

Tubacioni, që po përdoret për provat, është 420 metra i gjatë dhe përbëhet nga 34 seksione të veçanta, secili me diametër prej 2.5 metrash.

Projektuesit e sistemit Hyperloop synojnë të kenë kapsula që lëvizin përmes tubave me shpejtësi deri në 700 km në orë, përmes një infrastrukture ku ka presion të ulët ajri duke bërë që kapsulat të hasin më pak rezistencë brendat tubit dhe të lëvizin me shpejtësi të lartë.

Mbështetësit e projektit thonë se ky sistem do të jetë shumë më efikas se fluturimet e shkurtra me avionë, trenat e shpejtësisë së lartë dhe kamionët e transportit të mallrave, por se për këtë kërkohen investime të mëdha në infrastrukturë.

Deri më tani, në hapësirën e kufizuar në qendrën e testimit, shpejtësia ka qenë modeste.

“E nisëm atë me shpejtësinë e një metroje, deri në një shpejtësi maksimale prej rreth 30 kilometrash në orë”, thotë zoti van der Meijs.

Megjithatë, siç thonë përfaqësues të kompanisë, arritja e teknologjisë deri në këtë pikë nuk ka qenë e lehtë.

“Gjëja më e vështirë që po bëjmë tani është testimi i të gjitha funksioneve së bashku. Nisja, shtytja, drejtimi, të gjitha ato funksione që tani jemi në gjendje t’i vëmë në punë së bashku, si në një orkestër”, shpjegon Roel van de Pas, drejtor pranë kompanisë Hardt Hyperloop.

Kur Elon Musku e paraqiti këtë koncept rreth një dekadë më parë, ai sugjeroi se mjeti do të transportonte pasagjerë me shpejtësinë 400 kilometra në orë nga Los Anxhelosi në San Francisko për vetëm 30 minuta.

Që atëherë, ekipe në mbarë botën kanë punuar në realizimin e kësaj ideje, por ky lloj trasporti nuk është ende i disponueshëm.

“Për të ofruar Hyperloop-in si një sistem transporti, kemi përpara një sfidë të ndërlikuar që kërkon teknologji, zbatim politikash dhe bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat. Kjo është ajo që nevojitet më shumë”, thotë zoti Van de Pas.

“Në kompaninë Hardt jemi gati të nisim transportin e pasagjerëve deri në vitin 2030”, këmbëngul ai.

Sipas tij, nuk ka asnjë arsye teknike që do të mund të pengonte funksionimin e këtij sistemi të ri./voa

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts