Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka propozuar Marta Kos, kandidaten e Sllovenisë, për komisionere të re evropiane për zgjerim.
Duke prezantuar kandidatët për Komisionerët, von der Leyen tha se Kos do të jetë gjithashtu përgjegjëse për Politikën e Fqinjësisë Lindore, do të punojë për të mbështetur Ukrainën, duke përfshirë rindërtimin e këtij shteti dhe “të mbështesë vendet kandidate për t’u përgatitur për pranimin e tyre në Bashkimin Evropian”.
Sllovenia konfirmoi javën e kaluar se Kos do të jetë kandidate e vendit për një Komisioner Evropian. Më parë, Tomaž Vasel tërhoqi kandidaturën.
Sipas mediave sllovene, kjo është bërë në mënyrë që Ursula von der Leyen të mund të arrijë objektivin e saj për balancën gjinore në Komision, transmeton Telegrafi.
Sipas Politico, Sllovenia u “shpërblye për ndryshimin nga një kandidat mashkull në një gru” duke marrë këtë portofol.
Marta Kos, e cila pritet të zëvendësojë hungarezin Olivér Várhelyi, është një ish-ambasadore sllovene në Gjermani dhe Zvicër.
Ajo ishte nënkryetare e Lëvizjes liberale për Liri, e udhëhequr nga kryeministri Robert Golob. Në vitin 2022, ajo kandidoi për presidente të Sllovenisë, por u tërhoq nga fushata.
Kandidatët për Komisionerët Evropianë do t’i nënshtrohen seancave dëgjimore në komisionet e Parlamentit Evropian në javët në vijim.
Ata do të duhet të marrin dritën e gjelbër të eurodeputetëve për t’u zgjedhur në detyrë. Parlamenti Evropian do të votojë për Komisionin e ri Evropian në tërësi përpara se ai të marrë detyrën, i cili do të bëhet më së shpejti më 1 nëntor.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co