Një kirurg libanez ka përshkruar se si vëllimi i madh i plagëve të rënda nga dy ditët e sulmeve me pajisje shpërthyese e detyruan atë të vepronte si “robot” vetëm për të qenë në gjendje të vazhdonte të punonte.
Kirurgu Elias Jaradeh tha se ai trajtonte gra dhe fëmijë, por shumica e pacientëve që pa ishin të rinj. Kirurgu tha se një pjesë e madhe ishin “të plagosur rëndë” dhe shumë prej tyre kishin humbur shikimin në të dy sytë.
Të vdekurit dhe të plagosurit në Liban përfshijnë luftëtarë të Hezbollahut – grupi i armatosur i mbështetur nga Irani, i cili ka shkëmbyer zjarr ndërkufitar me Izraelin për muaj të tërë dhe është klasifikuar si një organizatë terroriste nga Britania e Madhe dhe SHBA.
Por edhe anëtarë të familjeve të tyre janë vrarë ose plagosur, së bashku me kalimtarë të pafajshëm. Elias Jaradeh i përshkroi të plagosurit që ai trajtoi si “kryesisht civilë”.
Sulmet me bomba – të cilat vranë 37 njerëz, duke përfshirë dy fëmijë – dyshohet se janë organizuar nga Izraeli, i cili nuk ka marrë përgjegjësinë.
Dr Jaradeh, i cili është gjithashtu deputet i bllokut parlamentar Ndryshimi, po punonte në një spital të specializuar të syve dhe veshëve, ku u dërguan disa nga njerëzit më të plagosur.
“Po, është shumë e vështirë”, tha kirurgu, duke shtuar “duhet të shkëputesh. Pak a shumë, je robotik. Kështu duhet të sillesh, por brenda vetes je i plagosur thellë”.
Kirurgë si Dr Jaradeh punuan për pothuajse 24 orë vazhdimisht me të plagosurit, shumë prej të cilëve kanë humbur shikimin ose përdorimin e duarve, tha ministri i shëndetësisë i vendit për BBC.
Specialisti i syve, Prof Elias Warrak i tha BBC Arabic se brenda një nate ai operoi më shumë sy të dëmtuar se sa kishte pasur më parë gjatë gjithë karrierës së tij.
“Ishte shumë e vështirë”, tha ai, duke shtuar se “shumica e pacientëve ishin të rinj në të njëzetat e tyre dhe në disa raste më duhej të hiqja të dy sytë. Gjatë gjithë jetës sime nuk kisha parë skena të ngjashme me atë që pashë dje”.
Ministri i Shëndetësisë Firass Abiad i tha BBC-së se lëndimet e viktimave do të ndryshonin jetën.
“Kjo është diçka që për fat të keq do të kërkojë shumë rehabilitim”, tha ai.
Rreth 3,200 njerëz u plagosën, shumica e tyre në sulmin e së martës, ku u shpërthyen mijëra bipera.
Sulmi i së mërkurës, i cili shpërtheu pajisje radio të dyanshme, plagosi rreth 450 njerëz, por vrau 25 persona, dy herë më shumë se në shpërthimet e së martës.
Abiad i tha BBC-së se sulmet përbënin një krim lufte.
“E gjithë bota mund të shihte se këto sulme ndodhën në tregje,” tha ai, duke shtuar “këta nuk ishin njerëz që ishin në fushëbetejë duke luftuar. Ata ishin në zona civile me familjet e tyre”.
Dëshmitarët përshkruan se kishin parë njerëz me plagë të rënda në fytyrë dhe duar pas sulmeve.
Gazetarja Sally Abou al-Joud thotë se ajo pa pacientë “të mbuluar me gjak” në spitale, ku ambulancat po vinin “njëra pas tjetrës brenda minutës”.
Shumica e lëndimeve që ajo pa ishin “në fytyra dhe në sy”.
“Po flasim për duar të dëmtuara, gishta të plagosur rëndë, kam dëgjuar disa mjekë që thonë se duhet të bëjmë operacione amputimi për të hequr duart… duhet të bëjnë operacione për sytë për t’i hequr ato”, tha ajo.
Një grua i tha BBC Arabic të enjten se ajo që kishin parë ishte një “masakër në çdo kuptim të botës”.
“Të rinjtë po ecnin në rrugë me lëndime në duar, bel dhe sy… ata nuk mund të shihnin asgjë”, tha ajo.
Pas shpërthimeve të së martës, shkrimtarja dhe politikania Trejsi Chamoun tha se ajo pa një burrë me sy të nxjerrë jashtë dhe një tjetri “i ishte dëmtuar gjysma e fytyrës”.
Ajo kishte qenë duke vozitur në Bejrutin jugor – një bastion i Hezbollahut – në atë kohë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co