VOLTIZA DURO/ Braktisja e shkollës vijon të mbetet një ndër problematikat e mprehta në arsimin parauniversitar në vend. INSTAT raportoi se niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 96,9% për djemtë dhe 90,4% për vajzat.
Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 95,7% dhe 90,2%. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Ana Llazo, eksperte arsimi e njëkohësisht lektore tregon dhe analizon disa nga sfidat e arsimit parauniversitar.
Cilat janë sfidat e arsimit parauniversitar sot në Shqipëri?
Arsimi parauniversitar në Shqipëri përballet me sfida dhe probleme, që ndikojnë në cilësinë e edukimit dhe edukimin e nxënësve në të ardhmen. Disa prej tyre përfshijnë cilësinë e kurrikulës dhe pabarazitë në arsim. Lidhur me cilësinë e kurrikulës vlen të theksohet fakti se kurrikula në Shqipëri nuk përputhet plotësisht me kërkesat e tregut të punës dhe duke lënë më pak hapësirë për zhvillimin e aftësive praktike dhe kritike. Disa programe janë të ngarkuara me teori, duke lënë më pak hapësirë në zhvillimin e aftësive praktike dhe kritike. Dua të bëj dhe një koment të shkurtër lidhur me pabarazitë në arsim.
Nxënësit në zonat rurale shpesh kanë më pak mundësi për arsim cilësor sesa ato në zonat urbane. Kjo ndikon edhe në rezultatet e ulëta të testimeve kombëtare, por edhe në një shkallë të braktisjes shkollore.
Ndalemi pak te braktisja shkollore. Cilët janë faktorët që ndikojnë dhe në cilat zona evidentohet më shumë ky fenomen?
Një sfidë e madhe është dhe braktisja e shkollës veçanërisht në zonat rurale dhe komunitetet e varfra, ku shkollat janë me distancë të madhe dhe ku kushtet ekonomike i detyrojnë adoleshentët të ndërmarrin vendime në martesa të hershme. Fenomeni i diskriminimit është një tjetër element, i cili ndikon në rritjen e braktisjes shkollore duke krijuar probleme të mëtejshme në integrimin e këtyre të rinjve në komunitet. Braktisja shkollore kërkon një bashkëpunim ndërmjet shkollave, prindërve dhe institucioneve qeveritare për të krijuar një mjedis që i motivon të rinjtë të vazhdojnë arsimimin dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë. Ulja dhe lufta kundër këtij fenomeni ndikon në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në rritjen e performancës dhe cilësisë në arsim.
Sa i frytshëm është sistemi i testimeve në sistemin arsimor parauniversitar në vend dhe sa bashkëpunim kanë prindërit me shkollat?
Sistemi i testimeve, shpesh fokusohet në memorizim duke lënë mënjanë zhvillimin e aftësive kritike dhe analitike të nxënësve. Për sa i përket rolit të prindërve dhe komunitetit, mund të themi se në shumë raste mungon bashkëveprimi efektiv ndërmjet shkollave dhe familjeve. Shpesh prindërit nuk kanë qasje të mjaftueshme në informimin mbi arritjet dhe vështirësitë e fëmijëve të tyre në shkollë.
A kanë problematika tekstet shkollore në cilësi dhe përmbajtje?
Vlen të theksoj faktin që evidentohen problematika edhe me tekstet shkollore. Në disa raste tekstet janë të ndërtuara në mënyrë të ndërlikuar dhe në mungesë të përmbajtjes për të inkurajuar mendimin kritik dhe krijues. Sistemi arsimor shpesh fokusohet më shumë në vlerësimin përmes provimeve dhe testimeve duke ushtruar presion te nxënësit. Fokusimi i tepërt në rezultatet akademike mund të krijojë ambient të stresuar dhe ndikon në mirëqenien psikologjike të tyre.
Si ka ndikuar migrimi në arsimin lokal?
Migrimi i vazhdueshëm ka ndikuar në strukturën e klasave dhe në cilësinë e arsimit. Në disa shkolla, veçanërisht rurale, ka më pak nxënës, ndërsa në zonat urbane të mëdha ka mbingarkese në numrin e nxënësve në klasa. Ky fenomen krijon pabarazi të ndjeshme në cilësinë e arsimit. Rezultatet e vlerësimit të ndërkombëtarizuar të cilësisë së arsimit janë tregues se sistemi arsimor ka nevojë për përmirësime në metodologjinë e mësimdhënies dhe kurrikul.
Sa ka arritur të implementohet digjitalizimi në sistemin arsimor?
Megjithëse janë ndërmarrë iniciativa për sistemin e digjitalizimit në sistemin arsimor, ende rruga është e gjatë, pasi jo ëdo shkollë është e pajisur me laboratorët e inteligjencës dhe një pjesë e stafeve pedagogjike ende nuk janë të trajnuar për të përdorur në mënyrë efikase pajisjet digjitale në klasa. Mungesa e përdorimit të teknologjisë në procesin mësimor dhe implementimi i projekteve digjitale është një tjetër sfidë.
A plotësohen kushtet për integrimin e nxënësve me nevoja të veçanta?
Megjithëse ka përpjekje për të përmirësuar integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, në disa raste mungojnë burimet dhe stafi i kualifikuar për të mbështetur nevojat specifike të nxënësve me nevoja të veçanta.
Sa të informuar janë nxënësit për edukimin e karrierës?
Mungesa e integrimit dhe zhvillimit të kësaj lënde në gjimnaz sjell pasoja në zhvillimin e aftësive dhe zgjedhjeve të nxënësve në të ardhmen. Ajo ndikon në mungesë të një drejtimi profesional, keqinformim të tregut të punës, mungesë të zhvillimit të aftësive jetësore, zvogëlim të mundësive të një orientimi të hershëm dhe gjithashtu ankth dhe pasiguri në të ardhmen. Sfidat janë komplekse dhe kërkojnë reforma të integruara, të mbështetura nga një vizion afatgjatë dhe investime të konsiderueshme në burime njerëzore, infrastrukturë dhe teknologji.
/Gazeta Panorama