Nga fillimi i karrierës tek dëmtimi i fundit, rrëfimi i Kurtua: Tani duhen shumë goditje për të më shënuar gol

nga fillimi i karrieres tek demtimi i fundit rrefimi i kurtua tani duhen shume goditje per te me shenuar gol





































Tibo Kurtua është një nga portierët më të mirë në botë dhe së fundmi ka bërë një dokumentar mbi veten, ku tregon momentet e para të karrierës dhe punën se si ka arritur gjithçka. Numri një i Realit të Madridit ndihet i fortë pas dëmtimit dhe ka rrëfyer për gazetarët disa çaste interesante.kurtuaÇfarë do të shohim në dokumentarin tuaj?

Është një përmbledhje mes fëmijërisë time dhe të tashmes. Të gjithë hapat që kam pasur në karrierë. Çfarë do të thotë të kesh një objektiv përpara dhe të bësh gjithçka për t’u rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme. Tregon sakrificën dhe disiplinën. Jam shumë i lumtur që ta tregoj edhe për të tjerët.

Kishit frikë pas dëmtimit?

Jo. Që në momentin e parë e dija që do të rikthehesha më i fortë. Nuk kam pasur frikë në asnjë moment. Në stërvitjet e para kisha pak për të thënë të vërtetën sepse doja të kuptoja se si përgjigjen gjuri. Por pas muajve të parë nuk doja të ndalesha.

Çfarë mbështetjeje kishit gjatë kohës së rikuperimit?

Familja ime dhe bashkëshortja ishin aty në çdo hap. Më ndihmuan që të isha në kushte shumë komode për të punuar. Ndërsa nëse flasim për aspektin profesional, Davide, fizioterapisti Xhuzepe dhe përgatitësi im atletik, Lopis. Të tre kanë bërë një punë të shkëlqyer. Nuk dua që të harroj edhe doktorin që më dhuroi një gju të ri…

Pse jeni portieri më i mirë për momentin?

Tani jam më i fortë me këmbë dhe superior në ajër. Kam humbur shumë masë dhjamore dhe kam vendosur më shumë muskuj. Kam më shumë potencë edhe për të goditur topin me këmbë. Me Lopisin punojmë shumë në lojën me këmbë. Jam bërë një portier më i kompletuar tani.

Kush mendon se do ta fitojë “Topin e Artë”?

Shpresoj që ta fitojë një prej shokëve të mi të skuadrës. Të gjithë e kanë merituar dhe uroj që të jetë një prej lojtarëve të Realit.

Ndiheni i pathyeshëm?

Është pak e ekzagjeruar ta thuash këtë. Unë thjesht dua që të ndihmoj skuadrën time. Jo gjithmonë do të jem i pathyeshëm. Mund të them që duhet të bëhen shumë goditje drejt meje për të më shënuar. Besimi është i rëndësishëm në këtë rol. Jam i lumtur për nivelin.

Si ndiheni kur ju krahasojnë me Kasijasin?

Më bën me krenari. Unë thjesht bëj punën time dhe dua ta bëj në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse njerëzit e mendojnë këtë është shumë bukur. Por unë dua thjesht të ndihmoj ekipin. Kur isha një fëmijë 8 vjeç nuk e kisha ëndërruar që të luaja në Madrid. Është një krenari e madhe që jap kontribut këtu.

Mendoni që do të ketë një grevë nga ana e futbollistëve?

Është e vështirë. Nuk besoj që janë të mjaftueshme ndeshjet e shumta. Nuk e shoh këtu problemin. Problemi është që nuk ka pushim mes një sezoni dhe një tjetri. Lojtarët që kanë shkuar larg në Europian dhe në Kupën e Amerikës nuk kanë pasur as 3 javë pushim. Është e pamundur. Edhe në NBA luhet shumë, por pushon 4 muaj. Kjo është diferenca.

Mendoni që nëse ulen ndeshjet mund të reduktohen rrogat e lojtarëve?

Nuk kanë shumë lidhje gjërat me njëra-tjetrën. Unë mendoj se ka shumë të ardhura për të paguar rrogat. Mbaj mend në vitin 2021 që thashë se Liga e Kombeve ishte diçka e tepërt dhe nuk duhet të luhej. Atëherë qeshën me mua. Por unë këtë herë pushova shumë sepse nuk isha me kombëtaren. Ndihem i relaksuar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →