Kryeministri Edi Rama tha në OKB se nga ku buron frymëzimi i tij për të krijuar një Shtet Bektashi Sovran në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij në Samitin për të Ardhmen, Rama tha se shqiptarët ndër histori kanë dhënë shembuj të tolerancës fetare.
“Shqipëria mund të jetë një vend i vogël, por i ka dhënë botës shembuj të mirë. Gjatë Luftës II Botërore, Shqipëria u shndërrua i vetmi vend në Europë që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa para saj. Komuniteti hebre u rrit 20-fish gjatë Holokaustit falë familjeve myslimane e të krishtere.
Më se fundmi, pas rënies së Kabulit në duart e Talebanëve tre vjet më parë ne strehuam disa mijëra afganë, që në të kundërt do të kishin përfunduar në rrethin e 9-të të ferrit.
Shqipëria po kështu i ka dhënë botës shenjtoren më të re, Nënë Terezën, jeta e së cilës ka mishëruar dashurinë për njerëzimin.
Na ka kujtuar se jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Ky është parimi të cilit i qëndron Shqipëria dhe kjo është ajo me të cilën rrekemi të veprojmë dhe ky është burimi i frymëzimit tonë për të mbështetur transformimin e Qendrës së Urdhrit Botëror Bektashi në një shtet sovran brenda kryeqytetit tonë Tiranës, si një qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”, tha kreu i qeverisë.
Lajmi për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri u raportua fillimisht nga media prestigjoze amerikane NYT, për të cilën kanë folur kryeministri Edi Rama dhe kryegjyshi botëror, Edmond Brahimaj. Rama deklaroi se në të ardhmen e afërt do të shpallë edhe planin për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi.
Edhe Kryegjyshata ka reaguar për lajmin, duke thënë se është një lajm tepër i mirë, që i ndihmon bashkëjetesës fetare në vendin tonë.
“Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës së jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisës – i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore.
Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative. Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën. Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave.
Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore. Ai gjithashtu do të krijojë një platformë që Urdhri të përhapë mesazhin e tij të paqes dhe tolerancës në mënyrë më efektive, duke shërbyer si një zë global për Islamin e moderuar. Sovraniteti i Urdhrit Bektashi është një hap i rëndësishëm në forcimin e vlerave të përfshirjes, harmonisë fetare dhe dialogut në një botë gjithnjë e më të ndarë”, thuhet në njoftim.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co