Publikohet letra që Ryan Wesley Routh, autori i dyshuar i atentatit të dytë ndaj ish-Presidentit Donald Trump, kishte shkruar përpara se të nisej për të vrarë kandidatin republikan teksa ai luante golf në Florida.
Letra është publikuar nga Departamenti i Drejtësisë, që e mori atë nga një qytetar, të cilit ia kishte dorëzuar Routh brenda një kutie, ku gjithashtu kishte edhe disa municione.
Autoritetet thonë se dëshmitari hapi kutinë vetëm pasi dëgjoi se Routh ishte i dyshuar në atentatin ndaj Trump.
“Ky ishte një atentat ndaj Donald Trump, por unë dështova. Unë u përpoqa dhe dhashë të gjitha fuqitë që kisha. Ju takon Juve tani ta përfundoni punën; dhe unë do t’i ofroj 150,000 dollarë kujtdo që mund ta realizojë atë.
Të gjithë anembanë globit, nga më i riu tek më i moshuari e dinë se Trump nuk është i përshtatshëm për të qenë asgjë, aq më pak president i SHBA-së.
Presidentët amerikanë duhet të mishërojnë në minimum strukturën morale që është Amerika, dhe të jenë të sjellshëm, të kujdesshëm dhe vetëmohues, të qëndrojnë gjithmonë për njerëzimin.
Trump nuk arrin të kuptojë asnjë nga këto”, thuhet në letër.
Hetuesit thonë se ata gjetën gjithashtu një libër të Routh në vitin 2023, të titulluar “Lufta e pafitueshme e Ukrainës: E meta fatale e demokracisë, braktisja e botës dhe qytetari global-Tajvani, Afganistani, Koreja e Veriut, Lufta e III Botërore dhe Fundi i Njerëzimit”.
Libri diskuton gjithashtu një vrasje të Trump, këtë herë duke inkurajuar Iranin ta kryejë atë.
“Në libër, Routh shkruan se ai ‘duhet të marrë një pjesë të fajit për personin që zgjodhëm si presidentin tonë të ardhshëm që përfundoi pa tru, por unë jam mjaftueshëm njeri për të thënë se kam gjykuar gabim dhe kam bërë një gabim të tmerrshëm. Irani është i lirë të vrasë Trumpin si dhe mua për atë gabim në gjykim dhe prishjen e marrëveshjes”, thuhet në dokumentet e DD.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co