Bota Shqiperia

INSTERVISTA/ Sa para shtesë do të marrin pensionistët nga 1 tetori? Flet eksperti i ekonomisë: Kush janë kategoritë do të përfitojnë!

instervista sa para shtese do te marrin pensionistet nga 1 tetori flet eksperti i ekonomise kush jane kategorite do te perfitojne





































VOLTIZA DURO/ Nga 1 tetori pritet të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë. Por sa para më shumë pritet të marrin pensionistët?

Eksperti për pensionet, Koço Broka

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, eksperti i ekonomisë Koço Broka tregon se pensionistët nuk kanë përfituar dhe nuk janë bërë pjesë e përfitimit të rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto. Ai shton se, në fakt, problem është niveli i ulët i pensionit, fakti që prej vitit 2015, nuk ka pasur rritje të pensioneve ekzistuese. Më tej Broka jep shembuj konkretë se sa do të rriten pensionet e të moshuarve nga 1 tetori.

Çfarë është indeksimi i pensioneve dhe pse aplikohet?

Në media ka pasur një hakërim për nivelin e indeksimit të pensioneve që do të bëhet më 1 tetor 2024. Ndërkohë Drejtori i ISSH, me daljet e tij ne disa televizione u ndal gjërësisht se skema dhe skemat e pensioneve janë skema kontributive duke bërë sqarimet përkatëse. Ai ishte i qartë kur deklaroi se kjo masë 4.1 % ka të bëjë me indeksimin e pensioneve, se është një detyrim ligjor që Instituti i Sigurimeve Shoqërore duhet të indeksojë pensionet çdo vit.

Ky është një detyrim ligjor madje në ligj është parashikuar mënyra se si do të indeksohen pensionet, se kush indeks do të përdoret për të indeksuar pensionet me shportën e mallrave dhe shërbimeve për pensionistët. Qëllimi i indeksit është ruajtja e fuqisë blerëse të parasë të pensionit. Unë fola për indeksim jo në se është i mjaftueshëm apo jo i mjaftueshëm pensioni.

Për të qenë pak më konkretë, të gjitha kategoritë e pensioneve do të përfitojnë njësoj dhe cila do të jetë shuma e përkthyer në lekë?

Të gjitha kategoritë e pensioneve do të përfitojnë njëlloj. Nuk do të indeksohen vetëm kompensimet që janë me çmim fiks. Nuk mund të themi dot sa do të rritet pensioni në përgjithësi, se çdo individ ka masën e vet të pensionit. Atij që e ka pensionin 200 mijë lekë të vjetër do t’i rritet 8200 lekë të vjetër, atij që e ka pensionin 100 mijë lekë të vjetër do t’i rritet 4100 lekë të vjetra. Nuk mund të themi dot në mesatare etj..

A mund të marrin zgjidhje shqetësimet reale të pensionistëve?

Druaj se nuk e shohim realitetin drejtpërdrejt në sy. Natyrisht 2025 është vit zgjedhor. Diçka do të bëhet. Aq më tepër kur nga viti 2015 e këtej ka pasur vetëm indeksim të çmimeve dhe jo rritje të tyre. Pensionistët nuk kanë përfituar dhe nuk janë bërë pjesë e përfitimit të rritjes të Produktit të Brendshëm Bruto. Gjithsesi në njërën nga seancat e Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në datë 10.09.2024 u prezantua Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i depozituar dhe i mbajtur nga Deputeti Gazment Bardhi.

Ndërhyrja e parë në ligj synon që të vendosë një standard minimal për masën e përfitimit të pensionit duke filluar nga viti 2024 në masën e pensionit mesatar rreth 18 mijë lekë dhe duke vijuar në progresion rritës për 5 vitet e ardhshme me qëllim që në 2029 të mos ketë pensione më të ulëta se 300 euro. Një seancë tepër interesante megjithëse u kufizua vetëm në pyetje, deri sa të merren mendimi i qeverisë lidhur me efektet financiare të këtij projektligji.

Si ndikon ecuria e ndryshimit vjetor të çmimeve tek indeksimi?

Le t’i hidhet një sy ecurisë së ndryshimit vjetor të çmimeve gjithsej nga 1 janari 2023 deri në gusht 2024. Si mund të shihet lehtësisht nga të dhënat e tabelës, nga 1 janari i vitit 2023, deri në gusht të vitit 2024, ka një rënie të vazhdueshme të nivelit të ndryshimeve vjetore të indeksit të çmimeve të konsumit, nga 7.2 për qind në janar 2023, në 4.1 për qind në shtator 2023, për të mbërritur në 2.0 për qind në gusht të vitit 2024. Por le të vazhdoj me diçka tjetër, me zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave vendim nr. 131, datë 22.2.2017 për përcaktimin e listës së mallrave të zgjedhura dhe metodën e llogaritjes së indeksit.

Në pikën 3 të këtij Vendimi thuhet: “Indeksi i ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve llogaritet nga Instituti i Statistikave dhe i njoftohet Institutit të Sigurimeve Shoqërore…”. Mbështetur në VKM Nr. 131, datë 22.2.2017, por dhe në publikimin e Instat “Ndryshimet vjetore të indeksit të çmimeve të konsumit”, kam marrë të dhënat për periudhën 12 mujore, shtator 2023- gusht 2024 dhe me to kam operuar për llogaritjen e Indeksit të ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve për pensionistët.

Cilat janë të dhënat nga llogaritja e indeksit të ndryshimit mesatar vjetore të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve për pensionistët?

Këto paraqiten në mënyrë të përmbledhur në tabelën nr 2. në kolonën nr i, paraqitet kodi që përdor Instat, për 12 grupet e mallrave dhe shërbimeve, mbi bazën e së cilave llogaritet indeksi i çmimeve të konsumit në përgjithësi, por dhe ai për pensionet. Në kolonën nr. ii, janë emërtimet e këtyre grupmallrash e shërbimesh të shpenzimeve, në kolonën nr. iii, janë prezantuar, IÇK mesatar për periudhën shtator 2023-gusht 2024, mbi bazën e të dhënave të Instat, llogaritur nga ana ime.

Nga rezultatet e llogaritjes të bie në sy se indeksi i ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve në tërësi për gjithë çmimet, rezulton mestarisht 2.9 për qind, ndërsa ai për ushqime e pije jo alkolike, 4.1 për qind, ai për shëndetin 1.5 për qind, për qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji 2.1 për qind. Sipas të dhënave të VKM Nr. 131, datë 22.2.2017, shpenzimet për ushqime dhe pije joalkolike, zënë 58.8 për qind të gjithë shpenzimeve. Për disa muaj nga marsi në korrik, niveli i çmimeve të këtij grupi ka qenë më i ulët se niveli mesatar i inflacionit. Një grup tjetër i rëndësishëm që merret në konsideratë për llogaritjen e indeksit është ai për qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji, që përbën 12.5 për qind të gjithë shpenzimeve.

Më tej vijnë ato për mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë dhe Shëndetin respektivisht prej 5.7 dhe 5.5 për qind. Çdo sugjerim për ndryshimin e shportës së mallrave me të cilin llogaritet indeksi për indeksimin e pensioneve, por zor se peshave të mësipërme mund të bëhen ndryshime të mëdha. Në kolonën V, mbi bazën e të dhënave të kolonës III dhe IV ka rezultuar IÇK I llogaritur me shportën e mallrave dhe shërbimeve për pensionistët. Si del nga rreshti I fundit, Indeksi i ndryshimit mesatar vjetor të çmimeve të grupmallrave e shërbimeve, rezulton vetëm 3.39 përqind. Por me sa duket në vendimin e Këshillit të Ministrave nuk është mbajtur parasysh ky rezultat, por është marrë në konsideratë ndryshimi mestar vjetor I Ushqime dhe pije joalkolike prej 4.1 për qind.

Ku qëndron problematika reale për të moshuarit në vendin tonë?

Në thelb pavarësisht nga shqetësimet e ankesat e shumta, në thelb problem nuk është as metodika e llogaritjes së indeksit për indeksimin e pensioneve më 1 tetor, as fakti i indeksit të çmimeve të konsumit. Në fakt, problem është niveli i ulët i pensionit, fakti që prej vitit 2015, nuk ka pasur rritje të pensioneve ekzistuese.

Ja përse pritet me interes të veçantë nga njëra anë përgjigja që do i japë qeveria, Kuvendit për efektet financiare që ka miratimi i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë, por dhe propozimi i qeverisë për ndryshimet në skemën dhe rritjen e pensioneve, pas rritjes të pagave në sektorin publik, pra cili është thelbi i reformës apo niveli i bonusit të fund vitit dhe si do të jetë ai, i njëjtë apo i ndryshëm në varësi të nivelit të pensioneve. Këtu nuk kanë asnjë vlerë, opinionet e specialistëve të ndryshëm, por vetëm mendimi e qëndrimi i kryeministrit dhe përfaqësuesve të tjerë të qeverisë, por natyrisht dhe shumicës të politikbërjes dhe vendimmarrjes. Shtesat e të ardhurave buxhetore si 8 mujor mundësojnë një rritje të dukshme të bonusit të fund vitit.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

Similar Posts